Ndërlidhjet

logo-print

Kuçi: Ndarja nuk do të përfundonte me Kosovën


Hajredin Kuçi

Hajredin Kuçi

Procesi i bisedimeve Prishtinë - Beograd nuk ka në agjendë çështjen e ndarjes dhe kufijve, thotë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Ai i rikujton shefit të delegacionit të Serbisë në këto bisedime, Borko Stefanoviq, se çdo opsion i ndarjes, do të përfshinte kufijtë e shumë vendeve të rajonit dhe jo vetëm Kosovës. Ndërkohë, opozita vazhdon me thirrjet që Qeveria ta braktisë procesin e nisur të bisedimeve me Serbinë.


Ndarja e Kosovës nuk është dhe nuk mund të jetë temë diskutimi me Serbinë, thonë zyrtarë të Qeverisë në Prishtinë. Sipas tyre, një opsion i tillë, që nga zyrtarët serbë këto ditë është përfolur si një nga zgjidhjet që mund të dalë nga procesi i bisedimeve, nuk do të ndalej vetëm me rishikimin e kufijve të Kosovës, pasi që do të përfshinte edhe rishikimin e kufijve të vendeve tjera në Ballkan.

Ndërkohë, opozita vazhdon t’i kërkojë Qeverisë që t’i braktisë bisedimet e nisura me Serbinë, duke besuar se nga ky proces Kosova nuk ka asnjë përfitim.

Por, sipas zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, dialogu, mes tjerash, ka si qëllim promovimin e bashkëpunimit ndërfqinjësor, që i përafron vendet me BE-në.

Kurse, opsionet e ndarjes që janë përmendur këto ditë disa herë nga zyrtarët në Beograd, sipas Kuçit, nuk vijnë në konsiderim që të diskutohen.

“Çështja e ndarjes nuk është çështje që ne do ta diskutojmë dhe pala kosovare nuk ka një qëllim të tillë. Ne kemi menduar që njohja reciproke e secilit shtet veç e veç, respektimi i tërësive territoriale të njëri - tjetrit, respektimi i komuniteteve pakicë kudo që jetojnë me identitetet e tyre dhe integrimi në BE, është zgjidhje e mirë”, thotë Kuçi.

Çdo nismë për rishikimin e kufijve nuk mund të përmbyllet vetëm me Kosovën, vijon Kuçi. Hapja e kësaj teme, nënvizon zëvendëskryeministri Kuçi, nuk do të ishte në interesin e rajonit dhe popujve që jetojnë në këto shtete.

“Prishtina nuk është pjesë e atyre bisedimeve dhe nëse do të ketë bisedime të tilla, po e them nën thonjëza, me siguri se aty atëherë nuk do të flitej për ndarjen Kosovë - Serbi, por do të kishim më shumë vende, më shumë shtete. Dhe, unë nuk besoj që është interesi, as i rajonit, as i bashkësisë ndërkombëtare, por as i popujve veç e ve
ç”, deklaron Kuçi.

Përderisa Qeveria e Kosovës beson se procesi i bisedimeve me Serbinë ka nisur dhe do të përmbyllet si proces teknik dhe jo politik, opozita shpreh dyshime në këtë qasje.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i bën thirrje Qeverisë t’i braktisë bisedimet e nisura, duke i vlerësuar ato si të dëmshme për vendin dhe të ardhmen e tij.

Konjufca i bën përgjegjëse edhe misionet ndërkombëtare për gjendjen në veri, duke vlerësuar se i kanë kontribuar konservimit të gjendjes atje.

Glauk Konjufca

“Mendojmë që përgjegjësinë, nëse vjen deri te ky opsion, e mban drejtpërdrejt edhe Qeveria e Kosovës, përveç që e mban edhe prania ndërkombëtare në Kosovë, e cila nuk ka qenë shumë aktive. Po ashtu, mendojmë që puna më e mirë që mund të bënte Qeveria e Kosovës është që të tërhiqej nga këto bisedime me Serbinë dhe t’u kthehej veprimeve konkrete të shtrirjes së autoritetit të vet në veri të vendit”
, shprehet Konjufca.

Sugjerimin e njëjtë për të dalë nga procesi i bisedimeve, Qeverisë ia drejton edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Nënkryetari dhe deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi, thotë se pala kosovare ka hyrë e papërgatitur në këtë proces dhe nuk po tregohet e denjë që t’i vazhdojë bisedimet.
Ne kemi theksuar se bisedimet duhet të ndërpriten për arsye se janë të papërgatitura mirë dhe pa agjendë të caktuar.


“Ne kemi theksuar se bisedimet duhet të ndërpriten për arsye se janë të papërgatitura mirë dhe pa agjendë të caktuar. Po ashtu, po thuhet se janë teknike, ndërsa tërë kohën kemi të bëjmë me një fjalor politik që përdoret, si në nivelin e Kosovës, ashtu edhe në atë të Serbisë. Madje, deklaratat e zotit Stefanoviq janë shumë denigruese për Kosovës, përderisa përfaqësuesja e Kosovës, zonja Tahiri, nuk po i merr parasysh ato”, thotë Isufi.

Shqetësimet e opozitës në lidhje me procesin e dialogut me Beogradin kanë të bëjnë me gjendjen faktike në veri, ku autoritetet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare nuk kanë arritur të shtrijnë pushtetin për shkak të pranisë së strukturave të pushtetit paralel të Serbisë në atë pjesë.

Gjendja faktike mund t’i paraprijë një gjendjeje të re juridike, që do të nënkuptonte një status të veçantë për veriun, kanë potencuar në disa raste zyrtarë nga opozita.

Por, kryeministri dhe Qeveria e Kosovës i mohojnë këto shqetësime duke deklaruar se procesi i bisedimeve me Serbinë po udhëhiqet nga BE-ja dhe po ndihmohet nga Uashingtoni, andaj, sipas tyre, nuk do të mund të devijohet për shkak të pretendimeve serbe ndaj tërësisë territoriale të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG