Ndërlidhjet

Riemërimet në administratën Obama

  • RFE /RL

Leon Paneta (d) dhe Dejvid Petreus

Leon Paneta (d) dhe Dejvid Petreus


Presidenti Barak Obama emëroi Leon Panetën në krye të Departamentit të Mbrojtjes dhe gjeneralin Dejvid Petreus drejtor të CIA-s.

Paneta aktualisht drejton Agjencinë Qëndrore të Inteligjencës, CIA, derisa gjenerali Petreus komandon trupat amerikane në Afganistan.

Paneta do të marrë drejtimin e Pentagonit në muajin qershor, që është dhe koha e largimit të sekretarit aktual të Mbrojtjes, Robert Gejts. Gejts ka qenë në këtë post që nga viti 2006, kur është zgjedhur nga presidenti Bush.

Gjenerali Xhon Allen do të zëvendësojë Petreusin në Afganistan. Allen ka komanduar forcat amerikane në Anbar të Irakut në vitin 2006-2007. Gjatë komandës së tij udhëheqësit fisnorë sunitë ndërruan qëndrim duke u rreshtuar me trupat amerikane në luftë kundër Al Kaidës.

Gjenerali Petreus, i cili u paraqit me presidentin Obama, tha se ishte "optimist i përmbajtur" rreth zhvillimeve në Afganistan.

"Derisa kthehem në Afganistan jam optimist i përmbajtur rreth ecurisë së misionit dhe ekipit të jashtëzakonshëm civil e ushtarak që presidenti do të emërojë në drejtimin e misionit. Nuk mund të mendoj për dikë më të përshtatshëm se gjenerali Allen dhe ambasadori Kroker", tha Petreus.(i.b.)


***

Gari Shmit, drejtor i Programit të Studimeve të Avancuara Strategjike në Institutin amerikan të Ndërmarrjeve, i sheh ndryshimet në këtë formë:

“Duke qenë i përfshirë në të dyja luftërat si shef i Komandës Qendrore, Petrues ka pasur mundësi që të punojë prej së afërmi me komunitetin e atyre që merren me informacione sekrete, që të vazhdojë tutje me ato konflikte. Pra, ai ka lidhje të mira pune me atë komunitet, lidhje që ne i presim të ekzistojnë në kohëra lufte”.

Në vitin 2003, atëkohë gjeneral major Dejvid Petreus ishte komandanti i Divizionit Ajror 101, i cili u përball me luftime të ashpra. Kur e arriti Mosulin, Petreus udhëhoqi divizionin e tij në operacionet që ndërtojnë siguri dhe stabilitet, ndërmori masa për përmirësimin e ekonomisë, lehtësoi zgjedhjet lokale, ndërsa lansoi mbi 4000 projekte të ndërtimit. E gjithë puna e tij duket se ka ndikuar që irakianët t’i japin nofkën Mbreti Dejvid.

Zëvendësimi i tij në Afganistan, gjenerallejtënant Allen, ka qenë komandant i forcave që kanë shërbyer në krahinën Anbar në periudhën 2006-2007, atëherë kur liderët fisnorë sunitë filluan t’iu ndihmojnë trupave amerikane kundër Al Kaidës.

Presidenti Obama pritet të emërojë Rajan Krokerin si kryediplomatin amerikan në Kabul. Drejtori i studimeve qeveritare në Institutin Brukings, Darrel Uest, beson se presidenti afgan, Hamid Karzai, do ta mirëpresë një diplomat të ri amerikan në kryeqytetin e Afganistanit.

Unë mendoj se Qeveria afgane do të punojë me këdo që ne e dërgojmë atje. Mirëpo, me ambasadorin aktual, Ajkenberi, ka pasur tensione. Kështu që ata ndoshta do të jenë të lehtësuar që do të dërgohet atje. Sidoqoftë, unë mendoj se ata e kuptojnë që çdoherë e më shumë do t’iu dorëzohen përgjegjësi dhe se ata kanë nevojë që të komunikojnë në mënyrë më efektive me SHBA-të”, vlerëson Uest.

Në anën tjetër, zyrtarët amerikanë kanë shprehur besimin e tyre se drejtori i deritashëm i CIA-s, Leon Paneta, 72 vjeçar, do të jetë një shef i fuqishëm i mbrojtjes.

Një zyrtar që foli për AP-në tha se Paneta mund të përfitojë shumë nga përvoja e tij gjatë kryerjes së detyrës së re, pasi ai ka udhëtuar mbi 300 mijë kilometra në më shumë se 40 stacione të CIA-s, në më shumë se 30 shtete. Këtë lëvizje edhe analisti Uest e sheh si shumë pozitive.

“Emërimi i Panetës në krye të Departamentit të Mbrojtjes është një lëvizje e shkëlqyer, sepse ai sjell me vete ndjesinë e politikës dhe ekspertizës politike në detyrën e re. Ai ka bërë një punë shumë të mirë në CIA, ndërsa ka punuar edhe gjatë administratës së Bill Klintonit, kur ka menaxhuar Zyrën e Buxhetit dhe Menaxhmentit”.

“Ai ka njohuri të mëdha sa u përket çështjeve të buxhetit dhe mendoj se kjo do të jetë një plus i madh, pasi Departamenti i Mbrojtjes po shikon për mënyra se si të bëhet me efikas”,
thotë Uest.

Zyrtarët thonë se Paneta dhe Petreus do të fillojnë punë në korrik, pasi kjo i jep edhe Shtëpisë së Bardhë disa muaj kohë që të fitojë aprovimin e Senatit. (a.h.)
XS
SM
MD
LG