Ndërlidhjet

Paga minimale në Republikën e Kosovës për vitin 2011 do të jetë 170 euro. Ky vendim është marrë sot nga Këshilli Ekonomik Social. Ai është kundërshtuar nga përfaqësuesit e punëtorëve, të cilët kanë thënë se kjo shumë nuk i plotëson nevojat mujore të punëtorit.


Këshilli Ekonomik Social i Kosovës, në të cilin bëjnë pjesë përfaqësuesit e punëtorëve, të punëdhënësve dhe të qeverisë, ka marrë vendim që paga minimale për vitin 2011 të jetë 170 euro.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, i cili përfaqëson ekzekutivin në këtë Këshill, pas shqyrtimit të propozimeve përkatëse, prezantoi propozimin përfundimtar, i cili do t’i përcillet qeverisë për miratim.

“Vendim: aprovohet propozimi i Këshillit Ekonomik Social që lartësia e pagës minimale në Republikën e Kosovës, në vitin 2011, të jetë në shumën prej 170 eurosh. Paga minimale mund të negociohet dhe të perceptohet edhe në nivele të tjera të segmenteve profesionale të ekonomisë, por jo edhe në shumën e përcaktuar të pagës minimale të nivelit nacional”.

“Për zbatimin e drejtë të këtij vendimi do të përkujdeset autoriteti i inspektoratit të punës të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale”,
sqaroi ministri Rashiq.

Vendimi për pagën minimale do të hyjë në fuqi në momentin e nënshkrimit nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Konfederata e Sindikatave të Lira kanë propozuar që kjo pagë të jetë 250 euro, për t’i mbuluar shpenzimet minimale të jetesës.

Por, punëdhënësit, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Aleanca Kosovare e Biznesit kanë vlerësuar se kjo shumë është e papërballueshme, andaj kanë propozuar atë prej 170 eurosh.

Agim Shahini, nga Agjencia Kosovare e Biznesit, u shpreh kundër përcaktimit të pagës minimale, duke theksuar se kjo duhet të jetë çështje e tregut të punës.

“Do të ishte mirë që paga minimale të përcaktohet me procedura. Duhet të shikohen rregulloret dhe jo në këtë mënyrë”, tha Shahini.

Sindikatat, të cilat e kanë kundërshtuar këtë propozim, kanë thënë se shuma 170 euro nuk e mbulon koston e shpenzimeve. Por, fuqia e tyre në Këshill përmban vetëm pesë anëtarë, nga 15 sa janë gjithsej.
...është një pagë që nuk mund t’i plotësojë nevojat mujore të punëtorit dhe familjes së tij.

Ali Dragusha, nga Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës, tha:

“Padyshim që jemi kundër, sepse mendojmë se është një pagë që nuk mund t’i plotësojë nevojat mujore të punëtorit dhe familjes së tij”.

Me nenin 57 të Ligjit të punës, Këshilli Ekonomik Social duhet që në fund të çdo viti kalendarik të bëjë propozimin për pagën minimale për vitin në vazhdim, i cili më pas miratohet nga qeveria.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG