Ndërlidhjet

Prania ndërkombëtare në Kosovë është faktor që e pengon vendin në integrimet evropiane, vlerësojnë ekspertët për çështje të integrimit.


Prania e misioneve ndërkombëtare në Kosovë e kufizon sovranitetin e saj dhe në një mënyrë, kjo për vendin paraqet një pengesë për integrimet në mekanizmat e Bashkimit Evropian, vlerësojnë ekspertët për çështje të integrimeve.

Shenoll Muharremi, njohës i rrethanave të integrimeve, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ekzistenca e EULEX-it në Kosovë lë hapësirë që vendimmarrësit në Bruksel të kuptojnë se Kosova momentalisht nuk ka kapacitete të drejtësisë.

Rrjedhimisht, sipas tij, në këtë aspekt Kosova perceptohet si një vend jo i gatshëm që të avancojë në fazat tjera të procesit të integrimit evropian.

Shenoll Muharremi

“Problemi kyç në këtë aspekt, qëndron në faktin që Kosova ende nuk e ka një ide apo një plan, por nuk ka as vullnet politik, që ta ndryshojë këtë gjendje. Nuk ka një agjendë dalëse se si të largohet EULEX-i nga Kosova dhe vendi të jetë i gatshëm që t’i zbatojë të gjitha funksionet e shtetit”.


“Pa pasur një plan të këtillë, ne nuk mund ta shohim se si do të jetë dalja nga kjo situatë. Por, siç duket, me vetë faktin se nuk ekziston plani, ky edhe nuk është prioritet i udhëheqësve të institucioneve kyçe në Kosovë
”, thotë Muharremi.

Por, eksperti tjetër për çështje të integrimeve, Avni Mazreku, vlerëson se Kosova nuk është fajtori kryesor për ngecjet eventuale në procesin e integrimit të saj evropian.

“Prishtinën zyrtare ne mund ta fajësojmë ndoshta për ngecje në përmbushjen e disa kritereve teknike, të cilat kritere, realisht, krijojnë të mira për vetë qytetarët e Kosovës, që konsiderohen si standarde evropiane”.

“Por, për pozicionin formal-juridik që Kosova ka në raport me procesin, kjo është përgjegjësi 100 për qind, absolute, e strukturave të Bashkimit Evropian, përkatësisht e shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Për shkakun se agjenda e Brukselit, përkatësisht agjenda e BE-së, e aprovuar në vitin 2003 në Samitin e Selanikut, realisht ngec në rastin e Kosovës”
, vlerëson Mazreku.

Gjithashtu, Mazreku shton se ka pasur mjaft konstatime që prania ndërkombëtare në Kosovë, para dhe pas shpalljes së pavarësisë së saj, nuk është treguar shumë efikase në funksion të avancimit të institucioneve të shtetit apo përgjithësisht shtet-ndërtimit.

Analisti Mazreku konsideron se pozicioni politik dhe roli i Kosovës karshi procesit të integrimeve, është më i pafavorshmi në historinë e integrimeve evropiane.
Duke mos iu ofruar një raport kontraktual, edhe anëtarësimi eventual i Kosovës në Bashkimin Evropian krijon paqartësi sa i përket legalitetit të funksionimit të Bashkimit Evropian deri më tani...

“Secili shtet që e ka filluar procesin e integrimit të tij në Bashkimin Evropian, e ka pasur statusin e vet të zgjidhur. Kosova nuk mund të kualifikohet se është me status të pazgjidhur, por problemi është te Brukseli. Ai ende nuk e ka sqaruar qasjen e tij në raport me Kosovën, për shkakun se Kosovës nuk i ka ofruar një status apo raport kontraktual”.

“Duke mos iu ofruar një raport kontraktual, edhe anëtarësimi eventual i Kosovës në Bashkimin Evropian krijon paqartësi sa i përket legalitetit të funksionimit të Bashkimit Evropian deri më tani, se si BE-ja mund ta pranojë një vend, ndaj të cilit ka pozicion apo raport neutral
”, thekson Mazreku për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, bazuar në dinamikën e deritashme, me të cilën Kosova është duke përmbushur detyrat e saj, që janë kusht i patejkalueshëm në procesin e integrimeve evropiane, Muharremi vlerëson se është vështirë të prognozohet se kur mund të arrihet një rezultat i dëshirueshëm nga kosovarët.

“Asnjëherë nuk e kemi parë një tentativë serioze nga kosovarët që ta adresojnë dhe rregullojnë drejtësinë në vend, që, për shembull, Kuvendi të jetë funksional, që Qeveria të raportojë te Kuvendi. Këto tri-katër hallka nuk po funksionojnë në Kosovë. Ajo nuk do të mundet në vazhdimësi të jetë vrimë e zezë në Ballkanin perëndimor”.

“Prandaj, edhe presioni ndaj lidershipit kosovar do të rritet në vazhdimësi, për shkak se vendet tjera do të vazhdojnë me avancime. Presioni do të jetë shumë më i madh tek ata (lidershipi), edhe nga qytetarët e Kosovës, por edhe nga Brukseli, që t’i ndërmarrin këto reforma, për shkak se Kosova nuk ka alternativë tjetër, përveç Evropës”,
përfundon Muharremi.

Lexoni edhe këto:
Integrim në letër, jo në praktikë
Kosova nuk dëshiron të mbetet e izoluar
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG