Ndërlidhjet

Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës së Kosovës ka mbajtur të premten mbledhjen konstituive, në të cilën janë paraqitur idetë fillestare për planin dhe dinamikën e punës. Edhe pse ishte parashikuar që mbledhjen konstituive ta zhvillojë në të njëjtën kohë edhe Komisioni për amendamentimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, një gjë e tillë nuk ndodhi. Mbledhja e konstituive e këtij komisioni është shtyrë për javën e ardhshme.


Identifikimi i problemave aktuale, gjetja e zgjidhjeve dhe testimi i zgjedhjeve në debate publike parashikohen të jenë fazat e punës së komisionit për amendamentimin e Kushtetutës dhe atij për amendamentimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë.

Edhe pse të dyja komisionet brenda afateve të ndryshme kohore do ta zhvillojnë punën ndarazi, krerët e tyre, Arsim Bajrami dhe Haki Demolli, thanë se janë marrë vesh për një metodikë të ngjashme të punës.

Mandati legal i komisionit për amendamentimin e Kushtetutës e detyron atë që brenda nëntë muajve t’i ndryshojë nenet e caktuara të Kushtetutës, për të mundësuar që presidenti i Kosovës të zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë.

Arsim Bajrami
Kryetari i këtij komisioni, Bajrami, tha se ndryshimi i Kushtetutës që flet për zgjedhjen e presidentit është një ndryshim substancial, që prek sistemin e qeverisjes dhe balancën e pushteteve.

Ai foli për pjesët e nenit që eventualisht mund të pësojnë ndryshime.

“Do të ndërrohen dispozitat që ia japin të drejtën Kuvendit të Kosovës që ta zgjedhë presidentin dhe ta shkarkojë presidentin, sepse një president i zgjedhur nga populli nuk adreson përgjegjësi kushtetuese te Parlamenti”.

“Gjithashtu do të ndërrojmë edhe dispozitat që kanë të bëjnë me Gjykatën Kushtetuese, sepse një vendim i Gjykatës Kushtetuese për shkeljen eventuale të Kushtetutës nga presidenti, është përfundimtar dhe nuk i nënshtrohet një debati publik në Parlament”,
u shpreh Bajrami, për të shtuar se pjesë e punës së komisionit do të jetë edhe ndryshimi i Ligjit për presidentin.

Për ndryshimet në legjislacionin për zgjedhjet, përkatësisht në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme të Kosovës, do të jetë përgjegjës komisioni për amendamentimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Edhe pse ishte parashikuar për të premten, ky komision shtyu takimin konstituiv për javën e ardhshme, për shkak të mungesës së Xhavit Halitit, njërit nga anëtarët e komisionit.

Kryetari i këtij komisioni, Haki Demolli, shprehu bindjen se në takimin e ardhshëm do të qartësohet plani i punës së komisionit që ai udhëheq.

Ndonëse do t’i ketë në dispozicion 12 muaj për ta ndryshuar Ligjin për zgjedhjet, Demolli tha se faza e fundit tremujore e punës së komisionit do të shërbejë për harmonizimin e ndryshimeve me ato që do t’i bëjë komisioni për amendamentimin e Kushtetutës.

Haki Demolli
“Të gjitha këto faza mendojmë t’i kryejmë diku në periudhën tetë-nëntëmujore, në mënyrë që të presim edhe ndryshimet apo amendamentimin e Kushtetutës nga komisioni tjetër”.

“Pra, në qoftë se ka nevojë të përshtatjes së ligjit tonë me amendamentimet e bëra në Kushtetutë, atëherë në periudhën tjetër kohore, ne do ta përshtatim dhe do t’ia dorëzojmë rezultatet finale Kuvendit të Kosovës”,
bëri të ditur Demolli.

Kuvendit të Kosovës, në të ardhmen, do të mund t’i parashtrohet kërkesa për miratimin e ndryshimeve të pjesëve të tjera të Kushtetutës përveç asaj që flet për zgjedhjen e presidentit.

Kryetari i komisionit për amendamentimin e Kushtetutës, Arsim Bajrami, bëri të ditur se legjislativit të vendit dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare do t’iu kërkohet mandat shtesë për të rishikuar Kushtetutën edhe në segmente të tjera - sidomos kapitullin XIV, që flet për dispozitat kalimtare.

“Do të shohim mundësinë që disa dispozita të tranzicionit të ndryshohen, për shkak se Kosova tani është shtet; tani nuk është në pritje të shpalljes së pavarësisë”.

“Është shtet dhe ka mundësi që shumë kompetenca që janë aktualisht duke u ushtruar nga prezenca ndërkombëtare, të barten tek institucionet vendore dhe, në këtë mënyrë, Kosova të fitojë një sovranitet të plotë dhe dalëngadalë të përmbyllet pavarësia e mbikëqyrur”,
tha Bajrami.

Pavarësinë e Kosovës dhe punën e institucioneve vendore, sipas Planit të emisarit Marti Ahtisari, e mbikëqyr aktualisht Zyra Civile Ndërkombëtare, mandati i së cilës buron nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar.

Lexoni edhe këto:
Bajrami: Amandamentimi i jep fund pavarësisë së mbikëqyrur
Demolli: Ndryshimet reduktojnë lëshimet
XS
SM
MD
LG