Ndërlidhjet

Obama: Kam besim në Panetën dhe Petreusin


Barak Obama emëroi Leon Panetën për sekretar amerikan të Mbrojtjes, ndërsa për shef të CIA-s, u emërua gjenerali Dejvid Petreus.

Barak Obama emëroi Leon Panetën për sekretar amerikan të Mbrojtjes, ndërsa për shef të CIA-s, u emërua gjenerali Dejvid Petreus.

Presidenti Obama emëroi drejtorin e agjencisë CIA, Leon Paneta, për sekretar amerikan të Mbrojtjes, ndërsa për shef të CIA-s, u emërua gjenerali Dejvid Petreus, i cili aktualisht është komandant i forcave të jashtme në Afganistan.

Nominimin e Leon Panetës për sekretar të Mbrojtjes dhe të gjeneralit Dejvid Petreus, për shef të CIA-s, presidenti Barak Obama e bëri në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë, ku ishin të pranishëm Robert Gejts, Leon Paneta, Dejvid Petreus, zëvendëspresidenti Xho Bajden, sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton dhe këshilltari për Siguri Kombëtare, Tom Danillon.

“Unë kam punuar për së afërmi me pjesën më të madhe të personave në këtë shkallë dhe të gjithë ata e kanë besimin tim të plotë. Ata janë liderë me integritet shumë të madh dhe talent, që jetën e tyre ia kanë kushtuar çështjes, që vendi ynë të jetë i fortë dhe i sigurt. Unë personalisht jam shumë falënderues për secilin prej tyre për pranimin e këtyre detyrave të reja”, tha Barak Obama.

Gjenerali Petreus, 58-vjeçar, që në vitin 2010 u bë komandant i forcave në Afganistan, do të pensionohet nga shërbimi ushtarak dhe detyrën e shefit të CIA-s do ta fillojë në muajin shtator, në pritje të konfirmimit në Senat.

Presidenti Obama tha se përvoja e gjeneralit Petraeus do të ndihmojë që Al-Kaidës t’i shkaktohet disfatë:

“Megjithëqë, derisa ai dhe CIA konfrontohen me shumë rreziqe, dija e jashtëzakonshme e Dejvidit për Lindjen e Mesme dhe Afganistanin e pozicionon atë për ta udhëhequr agjencinë në përpjekjet e saj për ta mundur Al-Kaidën
”, theksoi Barak Obama.

Ai po ashtu e shpalli vendimin e tij, që zëvendës i gjeneralit Petreus në Afganistan, do të jetë gjenerali Allen, i cili aktualisht është zëvendëskomandant i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara. Ai ka shërbyer edhe në Irak.

Për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Afganistan, presidenti Obama, e ka nominuar zotin Rajan Kroker, i cili ka shërbyer si ambasador në Irak, Pakistan, Siri, Kuvajt dhe Liban.

Gjenerali Petreus tha se e mbështet gjeneralin Allen dhe ambasadorin Kroker.

“Derisa unë të kthehem në Afganistan, e bëj këtë me ndjenjën e optimizmit të përmbajtur për trajektoren e misionit dhe për ekipin e jashtëzakonshëm civilo-ushtarak, që presidenti do ta nominojë për t’i udhëhequr përpjekjet. Mendoj se nuk ka më të mirë se gjenerali Allen dhe ambasadori Kroker për të punuar më tutje në atë që është arritur nga ISAF-i dhe trupat afgane”, tha gjenerali Petreus.

Por, disa ekspertë shprehën shqetësime se ndërrimet personale do ta pengojnë strategjinë ushtarake të Shtëpisë së Bardhë.

Në këtë aspekt, Geri Shmit nga American Enterprise Institut, me seli në Uashington, tha:

“Brengosem se ky do të jetë komandanti i katërt i misionit ISAF, të cilin e ka presidenti Obama, dhe megjithëqë ata janë të mirë, ky lloj i ndryshimit nuk do të ndihmojë, por do të jetë pengues, pasi gjenerali kur vjen, ai ka stil tjetër dhe çdokush duhet t’i përshtatet. Pra, ky lloj i ndryshimit nuk është i shëndetshëm për përpjekjet në luftë”.


Duke e shpallur nominimin e Leon Panetës, shefit të CIA-s, për sekretar të Mbrojtjes, presidenti Obama shprehu besim se ai do të jetë një shef i fuqishëm i mbrojtjes.

Leon Paneta theksoi se Shtetet e Bashkuara ballafaqohen me “kohë të zgjedhjeve të vështira”.

“Është për sigurimin e asaj që ne jemi të aftë për mbizotërimin në konflikte, në të cilat jemi tash të angazhuar, por është, po ashtu, që të jemi të fuqishëm dhe të disiplinuar në aplikimin e burimeve tona kombëtare të kufizuara në mbrojtje të Amerikës”,
tha Leon Paneta.

Shtëpia e Bardhë shpreson se Paneta do ta ketë konfirmimin në Senat me kohë, kështu që sekretari aktual i mbrojtjes, Robert Gejts, do të mund të pensionohet në fund të qershorit. (f.b.)
XS
SM
MD
LG