Ndërlidhjet

OSBE fton qytetarët të dalin në zgjedhje


Tiranë

Tiranë

Ambasadori i OSBE në Tiranë, Eugen Uolfart, përshëndeti masat e marra nga KQZ-ja, për t’u paraprirë situatave të bllokimit të votimit, për shkak të largimit të komisionarëve së bashku me vulën.

Zoti Uolfart e bëri këtë vlerësim duke iu referuar eksperiencave në zgjedhjet pararendëse, ndaj dhe i cilësoi masat të nevojshme.

“Qytetarët duhet të kenë besim te përgatitjet për zgjedhjet që po ecin mirë. Është mirë që ata që e marrin detyrën për t’i shërbyer komunitetit në qendrat e votimit dhe në komisione, t’u shërbejnë vërtet qytetarëve, të qëndrojnë në pozicionet e tyre dhe ta bëjnë detyrën".

"Ka të bëjë me ndërtimin e besimit, që njerëzit të kenë besim që kur shkojnë për të votuar, vota e tyre do të numërohet. Në të shkuarën, fatkeqësisht, ka pasur raste kur komisionarët janë larguar dhe kjo s’duhet të ndodhë. Por, nëse ndodh, duhen marrë masa dhe kjo gjë po bëhet, unë mendoj se është një gjë e mirë përgatitja për raste të tilla”
, tha Uolfart.

Një ditë më parë KQZ-ja mori vendim të kenë në dispozicion vula rezervë që do të përdoren në atë qendër votimi, ku komisionari mund të marrë “peng” vulën.

Kjo vendimmarrje e KQZ-së kaloi vetëm me katër vota, pasi tre përfaqësuesit e propozuar nga opozita në komision, votuan kundër.

I pyetur mbi shanset që kanë këto zgjedhje për të arritur standardet e kërkuara ndërkombëtare, ambasadori i OSBE-së në Tiranë vlerësoi:

“Janë të gjitha mundësitë që Shqipëria të bëjë zgjedhje me standarde dhe për këtë po bëhen përgatitje. Por, e rëndësishme është që të ekzistojë vullneti politik i mirë, jo vetëm nga partitë, por edhe qytetarët e komisionarët që t’i shërbejnë vërtet vendit”.

Këto deklarata, ambasadori Uolfart i bëri pas një takimi për rreth një orë me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi.

Menjëherë pas takimit, zoti Uolfart u bëri thirrje qytetarëve të dalin në votime. Në faqen zyrtare të Presidencës, zyra e shtypit citon se në takim presidenti Topi e vlerësoi si të rëndësishëm rolin e OSBE-së në përgatitjet administrative të institucioneve shtetërore për zgjedhjet e afërta vendore.

Siç theksohet në njoftim, kreu i shtetit vuri në dukje domosdoshmërinë e zhvillimit të një procesi zgjedhor sa më të qetë e të qytetëruar dhe të realizimit të zgjedhjeve vendore më 8 maj, sipas standardeve demokratike, e në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.
XS
SM
MD
LG