Ndërlidhjet

Beqaj: 12 44, pengesë për preferencat tregtare


Besim Beqaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik
Besim Beqaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik
Herën e parë preferenca tregtare nga BE-ja u dha me 12 44-shin sipas UNMIK-ut. Është me interes që të ndërrohet ky emërtim, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.


RADIO EVROPA E LIRË
Rritja ekonomike prej rreth 7 për qind, privatizimi i aseteve publike, ulja e papunësisë deri në 10 për qind, janë disa nga prioritetet e caktuara në kuadër të planit të zhvillimit ekonomik për periudhën 2011-2014. Sa janë të realizueshme këto pika?

BESIM BEQAJ
Unë besoj fuqishëm që me një bashkëpunim të mirëfilltë dhe me një fuqizim të sektorit privat, të gjitha këto gjëra mund të realizohen. Në këtë vit kemi një rritje ekonomikë të paraparë dhe të harmonizuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar në nivel 5.5 për qind.

Ne mendojmë që duke rritur konkurueshmërinë e ndërmarrjeve tona, duke krijuar politika të favorshme fiskale, duke eliminuar ekonominë joformale, duke joshur ndërmarrjet tona që t’i regjistrojnë punëtorët që punojnë, por nuk janë të regjistruar, dhe duke krijuar mundësi për investime në projekte kapitale - me këto gjëra që kontribuojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë, besojmë fuqishëm që rritja ekonomike do të jetë prej 7 deri në 8 për qind.

Projeksioni prej 5.5 për qind për këtë vit ka qenë i paraparë, pa u marrë këto aktivitete dhe një punë shtesë që ne besojmë që do të reflektohet shumë pozitivisht në zhvillimin ekonomik do të jetë edhe eliminimi i barrierave për bërjen e biznesit. Ka shumë licenca dhe leje që duhet të merren dhe është një përkushtim i Qeverisë që këto të eliminohen në mënyrë që këto të lehtësojnë bërjen e biznesit.

Njëkohësisht, konsiderojmë që me rritjen e buxhetit për bujqësi për vitin e ardhshëm, do të krijohen parakushte shtesë për të rritur punësimin në këtë sektor dhe, normalisht, të kontribuohet në mënyrë të drejtpërdrejtë për zëvendësimin e importeve dhe do të jetë një kontribut i drejtpërdrejtë në bilancin tregtar të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ministër, ekspertë të çështjeve ekonomike vlerësojnë se mosvazhdimi i preferencave tregtare me Bashkimin Evropian po e vështirëson edhe më shumë gjendjen ekonomike. Pse nuk është arritur vazhdimësia e këtyre preferencave, kush është fajtor?

BESIM BEQAJ
Nuk është aq e thjeshtë sa të themi kush është fajtor në këtë proces. Në dhjetor të vitit 2009 dhe në shkurt të vitit 2010 janë marrë dy vendime në Bashkimin Evropian për vazhdim të preferencave tregtare për tërë rajonin dhe gjithmonë ka qenë dhe është e paraparë nga BE-ja që të mos ketë diskriminim në nivelin rajonal sa i përket marrëdhënieve tregtare. Duke pasur parasysh që herën e parë këto preferenca tregtare kanë qenë të dhëna me 12 44-shin sipas UNMIK-ut, do të ishte më me interes dhe është me interes që të ndërrohet ky emërtim i Kosovës.

Ne kemi pasur shumë vende mike që kanë kërkuar një riemërtim të tillë dhe preferencat tregtare të vazhdohen sipas emërtimit të ri të Kosovës, e jo duke iu referuar 12 44-shit. Në këtë drejtim, në kapacitetin tim paraprak si ministër i Integrimeve Evropiane, i kam shkruar letër komisionarit për çështje të tregtisë në BE dhe kam kërkuar që të vazhdohen këto preferenca në emër të Kosovës.

Ne jemi në proces e sipër, kjo është duke u diskutuar edhe më tutje në mënyrë që të gjenden modalitetet si do t’i vazhdohen Kosovës këto preferenca tregtare. Dhe, nuk ka dilemë, por ky është të themi një bashkëvendim ndërmjet Komisionit Evropian dhe përmes Këshillit të Evropës dhe vetë Parlamentit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Shumë projekte të mëdha të privatizimit, siç është termocentrali “Kosova e re”, Postë-Telekomunikacioni i Kosovës, etj., varen nga investitorët e huaj. Si mendoni t’i joshni investimet e huaja, duke ditur se niveli i tyre ka rënë?

BESIM BEQAJ
Në këtë drejtim është bërë një punë e mirë, sepse për të gjitha projektet kapitale, të cilat pretendojmë për t’i transformuar, nëse flasim për privatizim, flasim për distribucion dhe furnizim me energji elektrike, në këtë drejtim, ne kemi pasur fazën e parakualifikimit dhe kemi katër investitorë që kanë treguar interesim. Ata janë të joshur dhe janë të interesuar; janë pjesë e procesit dhe besojmë që konform planeve ne do ta përmbyllim këtë proces brenda këtij viti.

Ne do t’i përfundojmë të gjitha procedurat tona administrative, të cilat Qeveria dhe institucionet e Kosovës duhet t’i marrin dhe duhet t’u japin kohë investitorëve. Kemi investitorë që kanë shprehur interes.

Njëkohësisht, e njëjta situatë është edhe me Postë-Telekomin e Kosovës. Ne kemi pesë firma me renome ndërkombëtare, të cilat kanë treguar interes, kanë kaluar procesin e parakualifikimit dhe ne tani jemi duke komunikuar me ta. Ata vazhdojnë të jenë të interesuar për të hyrë në këtë proces. Edhe për projektin e termocentralit “Kosova e Re” ka qenë një parakualifikim dhe ato firma që kanë qenë të parakulifikuara, janë edhe më tutje pjesë e procesit.

Pra, ne jemi duke tentuar që ta përmbyllim komplet përgatitjen institucionale të vendit tonë për t’u hapur rrugë këtyre investime dhe kemi investitorë të mjaftueshëm. Në kuadër të prioriteteve për zhvillimin ekonomik kemi lansuar edhe ide të reja për projekte, siç është ndërtimi i rrugës Prishtinë – Shkup. Kjo nuk do të bëhet me mjete të buxhetit, por do të shkohet ose me PP ose përmes koncesionimit. Edhe për këtë ka shumë investitorë të interesuar.

Mendoj që Kosova po tërheq vëmendjen e investitorëve potencialë zhvillimorë dhe ky potencial zhvillimor duhet të shfrytëzohet në mënyrën më mirë të mundshme. Aktiviteti ynë është që të krijojmë bazë ligjore të mirëfilltë, t’i heqim ato barriera administrative që kanë ekzistuar dhe të fuqizojmë sektorin privat, i cili do të krijojë punësim dhe në fund kjo do të përkthehet si mirëqenie ekonomike për qytetarët.

RADIO EVROPA E LIRË
Një fenomen që vazhdon t’i shkaktojë dëme të mëdha ekonomisë kosovare, është ajo që njihet si ekonomi joformale. Deri më tash, lufta kundër kësaj ekonomie është shpallur disa herë, por vërejtjet janë që kjo luftë ka qenë vetëm deklarative. Çfarë, saktësisht, keni në plan të ndërmerrni?

BESIM BEQAJ
Një çështje shumë e rëndësishme në prioritetet tona të zhvillimit dhe në planin tonë të veprimit që tash jemi duke e hartuar dhe do të dalim me një plan deri me datën 15 maj tek Qeveria, hartohen gjëra konkrete se si do të marrim masa, nga këndvështrimi se si ta eliminojmë ekonominë joformale.

Duke i eliminuar barrierat që i përmenda më herët, duke krijuar siguri, duke krijuar bazë për implementim ligjor, i cili nuk është i selektueshëm si implementim i ligjit, duke mundësuar kontrollimin e kufirit në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke bërë thirrje për bizneset që t’i regjistrojnë gjithë ta njerëz që janë të punësuar dhe duke i thirrur ata që të gjitha qarkullimet të jenë pjesë e veprimit të tyre aktiv komercial dhe afarist, janë pjesë të aktiviteteve që ne i kemi paraparë. Po njëkohësisht, do të merren masa, siç janë inspektim më i shpejtë dhe tendenca për ta eliminuar këtë fenomen, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë po ndikon negativisht.

Ne besojmë që ekonomia joformale dhe kalimi nga ekonomia joformale në ekonomi formale, është aktivitet me prioritet në Qeveri dhe këto masa që ne i kemi paraparë edhe në planin e zhvillimit, janë çështje që shkojnë në drejtim të reduktimit të kësaj ekonomie.
XS
SM
MD
LG