Ndërlidhjet

Kosova bëhet gati ta padisë Serbinë


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Dymbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës, Kosova ka vendosur që të themelojë një institut për hulumtimin e krimeve të luftës. Besohet se ky institut do ta përgatisë Kosovën që të ngrejë padi kundër Serbisë. Organizatat për të drejtat e njeriut thonë se një nismë e tillë është dashur të ndërmerret menjëherë pas lufte.


Dëmet e luftës në Kosovë ka mundësi që për herë të parë të dokumentohen edhe në formë zyrtare. Qeveria ka vendosur që të themelojë Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, i cili do të hulumtojë krimet e kryera në periudhën 1990-1999.

Nisma e tillë mirëpritet nga organizatat që në një formë deri më tash janë marrë me evidentimin e krimeve gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, drejtori i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, thekson se pikë referuese për hulumtimet duhet të jetë viti 1981 dhe jo 1990.
Shkollë e shkatërruar nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë...

“...është çështje se sa do të jetë e vullnetshme dhe e gatshme Qeveria që të investojë në këtë institut dhe që pastaj me rigrumbullimin, rikonfirmimin e fakteve dhe të dhënave jo vetëm për vitin 1990 e këndej, por edhe më herët, atëherë, të krijohet një bazë e fortë juridike që të ngrihen padi kundër atyre që kanë shkaktuar krime lufte në Kosovë”
, thotë për Radion Evropa e Lirë, Behxhet Shala.

Një nga synimet e këtij instituti, sipas ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, është edhe përgatitja e padisë kundër Serbisë nga ana e Kosovës. Padia do të ngrihej kur Kosova do të mund ta bënte këtë, si vend anëtar i OKB-së, apo po qe se nënshkruan statutin e GJND-së.

Deri më tash, Kosova nuk e ka paditur askënd për rreth 14 mijë të vrarët e luftës, 1800 nga të cilët ende mbeten të pagjetur, si dhe për qindra miliona euro humbje të shkaktuara nga dëmet e luftës.

Një nismë pak a shumë e ngjashme, për dokumentimin e krimeve, por në nivel rajonal, tashmë është ndërmarrë nga KOMRA, lëvizje kjo që po hulumton krimet në ish-Jugosllavi që nga viti 1991 deri në vitin 2001.

Kushtrim Koliqi, nga organizata Integra, që është pjesë e KOMRA-s për Kosovën, thotë se tashmë po mblidhen nënshkrimet e qytetarëve, të cilat do t’u dorëzohen qeverive, për t’i nxitur ato që të formojnë një komision rajonal për hetimin e krimeve të luftës.
Varret e të vrarëve në masakrën e Reçakut...

“Në Kosovë kanë ndodhur krime të tmerrshme, kanë vdekur shumë njerëz dhe fati e historia e tyre nuk dihet. Në Kosovë ky komision do të mund t’i lehtësonte të gjithë shpirtrat e atyre familjeve që janë prekur direkt nga lufta dhe, po ashtu, do të kishte ndikim në shoqëri”.

“Në momentin që dihet saktë se sa njerëz janë vrarë në Kosovë, kush janë ata, kush i ka kryer ato krime, atëherë është një lloj lehtësimi, sepse dihen gjërat. Momentalisht, është një kaos total. Neve na duhen emra, persona, data, kush kë e ka vrarë”
, thekson Koliqi.

Sipas të dhënave të organizatave të ndryshme, në Kosovë krimet më të mëdha janë kryer nga policia, ushtria dhe paramilitarët serbë të udhëhequr nga regjimi i Millosheviqit, Por, sot, në Kosovë, sipas statistikave, më shumë ka aktpadi për krime lufte kundër shqiptarëve sesa vetë serbëve.

Pothuajse më shumë ka lëndë kur të dyshuarit apo të akuzuarit janë shqiptarë, edhe pse nëse e krahasojmë numrin e viktimave, është shumë më i madh ai i shqiptarëve.
Udhëheqësi i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, jep një përgjigje për këtë paradoks.

“Pothuajse më shumë ka lëndë kur të dyshuarit apo të akuzuarit janë shqiptarë, edhe pse nëse e krahasojmë numrin e viktimave, është shumë më i madh ai i shqiptarëve. Çështja është se me procedimin e lëndëve për krime lufte janë marrë vetë prokurorët e gjyqtarët ndërkombëtarë, qoftë të UNMIK-ut, apo tash të EULEX-it dhe jo ata vendorë”.

“Këtu pastaj hyn edhe ligji në fuqi, i cili thotë se mund të nisni një gjykim, vetëm në rast se i akuzuari është arrestuar. Ne e dimë se shumica e atyre që kanë kryer krime lufte nuk gjenden në Kosovë”
, shprehet Blakaj.

Ministri i Drejtësisë është treguar i hapur për të përfshirë ekspertë të ndryshëm në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, duke thënë se instituti do të ndihmohet me të gjitha format e mundshme. Megjithatë, nuk është caktuar ndonjë datë për funksionalizimin e tij.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG