Ndërlidhjet

Zgjedhjet vazhdojnë bllokadën


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Zgjedhjet e parakohshme dukshëm do t’i bllokojnë negociatat për emrin me Greqinë, vlerësojnë ekspertët politikë, duke u shprehur nuk presin zgjidhje të shpejtë të problemit edhe pasi të kenë përfunduar zgjedhjet

Denko Malevski, ish-ministër i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, thotë se elita politike maqedonase për dy dekada të plota fatkeqësisht ka dëshmuar një të vërtetë se është e paaftë për të zgjidhur kontestin për çështjen e emrit me Greqinë dhe njëherësh të arrijë një konsensus ndërmjet të gjitha forcave politike, si kusht i domosdoshëm për të ecur drejt zgjidhjes së kontestit, e me këtë dhe zhbllokimin e procesit integrues për Maqedoninë.

“Forcat politike edhe kësaj radhe parapëlqejnë të krijojnë ndarje të thella mes shoqërisë dhe jo të gjejnë pikat e përbashkëta për të lehtësuar rrugëtimin që shpie kah zgjidhja e kontestit”, thekson Malevski.

Ai shton se pas zgjedhjeve me këta antagonizma në shoqërinë maqedonase gjasat janë të vogla të shpresohet që elita politike, e cila do ta kryesojë qeverinë e re, do të ketë guximin të angazhohet me seriozitet për zgjidhjen e kontestit - zgjidhje kjo që është shumë e dhimbshme për çdo qytetar maqedonas, sepse kompromisi megjithatë do të thotë se për diçka duhet të hiqet dorë nga diçka tjetër.

Nga ana tjetër, Naser Ziberi, analist politik, vlerëson se zgjedhjet jo vetëm se do të prolongojnë zgjidhjen e emrit, por, siç thekson ai, nëse edhe më tej mbeten në pushtet forcat aktuale, çështja e emrit rrezikon të mbetet për një kohë të gjatë në status-quo.

“Nëse vjen deri te krijimi i një kompilacioni të ri të strukturave qeverisëse, atëherë shpresat janë shumë më të mëdha, sepse partitë politike opozitare, si ato nga krahu i djathtë, ashtu dhe nga ai i majtë, janë deklaruar hapur se janë për një zgjidhje të kontestit të emrit. Kjo ngjall shpresa se po qe se vjen deri te ndryshimi i garniturës udhëheqëse në Maqedoni që mund të shprehet në zgjidhjen e kontestit të emrit dhe më këtë edhe të dilet nga bllokimi i procesit integrues”, vlerëson Naser Ziberi.

Analisti Ziberi kritikon edhe faktorin politik shqiptar për inferioritetin që ka shprehur në vazhdimësi për çështjen e emrit, duke braktisur mundësinë që politika shqiptare të luajë rolin e shtytësit për ta zhbllokuar këtë proces.

“Partitë politike shqiptare në të kaluarën kanë dëshmuar, por edhe tani fatkeqësisht janë në periferi të kontestit të emrit, duke mos luajtur rol të rëndësishëm në këtë drejtim, as si nxitës, e as si inhibitorë. Andaj, dyshoj se me VMRO DPMNE-në nëse mbetet në pushtet, mund të ndryshohet diçka në këtë drejtim, sepse edhe më parë nga partitë politike shqiptare Gruevskit i janë vënë kushte dhe afate, por ai nuk i ka përfillur”, shton Ziberi.

Nga ana tjetër, ish-diplomati Denko Malevski vlerëson se paqëndrueshmëria politike që pritet t’i ndodhë Maqedonisë pas zgjedhjeve me rezultatin e ngushtë mes opozitës dhe pushtetit, i krijon disfavore zgjidhjes së kësaj çështjeje.

"Ne në Maqedoni kemi dëshmuar se nuk jemi në gjendje për të filluar një dialog strategjik para se ta fajësojmë botën dhe të tjerët për pengesat që i bëhen vendit në rrugën e integrimit. Prandaj, jam skeptik në zgjidhjen e kontestit, sepse pikërisht pas zgjedhjeve jostabiliteti edhe më shumë do të pamundësojë nevojën për unitet te të gjithë, që të shmangen emocionet që jorrallë herë kanë dëshmuar se pa nevojë i krijojnë ndërkëmbëza zgjidhjes së këtij kontesti”
, shprehet Malevski.
XS
SM
MD
LG