Ndërlidhjet

Serbët duan vazhdimin e mbikëqyrjes


Panot reklamuese të partive serbe për zgjedhjet në Kosovë, prej nga Partia Liberale Serbe doli fituese dhe udhëheq dy ministri në Qeverinë e Kosovës.

Panot reklamuese të partive serbe për zgjedhjet në Kosovë, prej nga Partia Liberale Serbe doli fituese dhe udhëheq dy ministri në Qeverinë e Kosovës.

Deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës thonë se nuk pajtohen me liderët e institucioneve se me ndryshimet kushtetuese që kanë nisur, si proces, duhet t’i jepet fund edhe fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare. Sipas tyre, ende nuk janë krijuar kushtet që mbikëqyrja ndërkombëtare të përfundojë, pasi që në Kosovë ende mungon stabiliteti politik.


Përfaqësuesit politikë serbë në Kuvendin e Kosovës nuk e mbështesin përfundimin e fazës së pavarësisë së mbikëqyrur nga ana e bashkësisë ndërkombëtare.

Udhëheqësit kosovarë tashmë kanë iniciuar fillimin e ndryshimeve kushtetuese, pas së cilave është thënë se do të pasojë edhe përmbyllja e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.

Por, një konstatim i tillë nuk pëlqehet nga përfaqësuesit serbë në Kuvendin e Kosovës.

Petar Miletiq, sekretar i përgjithshëm i Partisë Liberale Serbe, parti kjo që drejton edhe dy ministri në Qeverinë e Kosovës, thotë se ende nuk janë pjekur kushtet që mbikëqyrja ndërkombëtare të marrë fund, ngase, sipas tij, ende ka çështje të pazgjidhura.
Misionet ndërkombëtare në Kosovë janë të domosdoshme në mënyrë që të jenë garantues të të gjitha marrëveshjeve të arritura me ne...


“Misionet ndërkombëtare në Kosovë janë të domosdoshme në mënyrë që të jenë garantues të të gjitha marrëveshjeve të arritura me ne, si dhe marrëveshjeve që do të arrihen në të ardhmen”, thotë Miletiq.

Prania ndërkombëtare, shihet e domosdoshme edhe nga deputetja Rada Trajkoviq, nga Lista e Përbashkët Serbe. Sipas saj, largimin e ndërkombëtarëve nga Kosova do ta dëshironin, siç thotë ajo, si ekstremistët serbë, ashtu edhe ata shqiptarë.

“Ekstremistët serbë largimin e ndërkombëtarëve mund ta shohin si rast për kthimin e Serbisë në Kosovë. Kurse, ata shqiptarë, do të mbështesnin largimin e ndërkombëtarëve, sepse do ta shihnin këtë si mundësi që Kosova të drejtohej si e pavarur”.
Rada Trajkoviq

“Mendoj se prania ndërkombëtare është edhe më tutje mjaft e nevojshme dhe kjo për disa arsye. Mendoj se Kosova ende nuk ka hyrë në fazën e stabilitetit. Do të thotë, nuk kemi gjendje stabile politike. Pastaj nuk ka aftësi për organizimin e proceseve të mëdha dhe kjo u pa se si u mbajtën zgjedhjet dhe çfarë vjedhjesh ndodhën, si dhe nuk mendojmë se regjistrimi i popullatës, që u mbajt së voni, i përgjigjet realitetit”
, thekson Trajkoviq.

Këto, sipas Trajkoviqit, janë arsye të mjaftueshme që dëshmojnë se prania dhe mbikëqyrja ndërkombëtare në Kosovë është e domosdoshme.

Sidoqoftë, në Kuvendin e Kosovës tashmë janë themeluar komisionet që do të punojnë për ndryshimet kushtetuese dhe reformat zgjedhore. Ndryshimet kushtetuese nga lidershipi i Kosovës janë parë si mundësi e mirë që t’i jepet fund mbikëqyrjes ndërkombëtare.

Por, në bazë të Pakos së Ahtisarit fundin e kësaj mbikëqyrjeje, megjithatë, nuk mund ta përcaktojnë institucionet e Kosovës, ngase këtë përgjegjësi e ka Grupi Drejtues Ndërkombëtar, i cili përbëhet nga vendet e Bashkimit Evropian, që e kanë njohur Kosovën, pastaj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Turqia.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG