Ndërlidhjet

Lumturohet Papa Gjon Pali II

  • RFE /RL

Vatikan

Vatikan

Një milion besimtarë katolikë nga e gjitha bota u mblodhën të dielën në Vatikan derisa Kisha Katolike e shpalli të ndjerin, Papa Gjon Palin II, si “të bekuar“, një hap nën shenjtërimin.

Rreth 90 delegacione nga e tërë bota, pjesëtarë të pesë familjeve mbretërore dhe 16 udhëheqës shtetesh morën pjesë në meshën e lumturimit.

Në mesin e këtyre delegacioneve ishin edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi.

Gjatë kohës derisa Papa Benedikti XVI lumturonte paraardhësin e tij, para një milion besimtarëve u zbulua edhe një portret tejet i madh i Papa Gjon Palit II, në të cilin duket i shëndetshëm, energjik dhe më i ri, pikërisht ashtu siç ishte gjatë viteve të para të papatit.
Para një milion besimtarëve u zbulua edhe një portret tejet i madh i Papa Gjon Palit II.


Një shishe e vogël me gjakun e Papa Gjon Palit II ishte vendosur para masës së madhe të njerëzve, turmë kjo që besohet se është më e madhja në Vatikan që prej funeralit të Papa Gjon Palit II, në vitin 2005.

Kjo sasi e gjakut ishte marrë prej mjekëve të tij gjatë sëmundjes së tij të fundit për transfuzion të mundshëm, mirëpo asnjëherë nuk ishte përdorur.

Një nga pelegrinët italianë, Frederiko Martinelli, shprehu gëzimin e tij për turmën e madhe të njerëzve që ishin mbledhur në Vatikan për lumturimin e Papa Gjon Palit II:

“Padyshim që është një festë e madhe, një festë e madhe për të gjithë. Kjo gjithashtu është një fitore, sinqerisht e them një fitore ndaj kundërshtarëve dhe një konfirmim për papatin e Papa Gjon Palit II”.

Lideri i ndjerë katolik ishte i pari jo italian në 400 vjetët e fundit dhe i pari nga Evropa Lindore.

Papa Gjon Pali II ishte nga Polonia, ndërsa vdiq në vitin 2005, duke qenë në krye të Kishës Katolike për 26 vjet. Gjatë kësaj kohe ai vizitoi qindra shtete, në shumë prej të cilave ishte jashtëzakonisht popullor.

Ai njihej për qëndrimin e tij të ashpër kundër totalitarizmit, me theks të veçantë komunizmit dhe shtytjen para të dialogut në mes të feve të ndryshme.(a.h.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG