Ndërlidhjet

logo-print

Sindikata kërkon caktimin e pagës minimale


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Dita Ndërkombëtare e Punës në Maqedoni shënohet pa protesta, por sindikata kërkon që rroga minimale të caktohet në 160 euro. Derisa ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Xhelal Bajrami, beson në masat e Qeverisë për luftimin e papunësisë, të papunët ankohen për gjendjen e rëndë sociale dhe harrimin e tyre nga e shtetit.


“Popullata është e papunë, ajo nuk po mund ta sigurojë kafshatën, e lëre më të ekzistojë. Derisa i marrin votat, premtojnë gjithçka, por nga ajo që premtojnë, nuk realizojnë as 20 për qind”, kështu shprehen Osman Memishi dhe Bujar Hasani, derisa ofronin fuqinë e tyre fizike në Bit Pazar të Shkupit, ku nga dita në ditë shtohet numri i personave që kërkojnë punë krahu, për të siguruar mbijetesën e familjeve të tyre.

Pavarësisht gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale që mbretëron në vend, organizatat sindikale nuk kanë organizuar protesta, siç ndodh në shumë vende të botës, me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punës.

Lidhja e Sindikatave vlerëson se dialogu mund të jetë më i frytshëm se protestat, andaj i bëjnë thirrje Qeverisë që, përmes caktimit të pagës minimale, të ndikojë në ngritjen sadopak të standardit të punëtorëve.

Zhivko Mitrevski thotë se rroga minimale në Maqedoni nuk duhet të jetë më e ulët se 160 euro.

“Janë krijuar të gjitha parakushtet për të filluar me hapjen e kësaj çështjeje mjaft të rëndësishme, që besojmë se do të jetë e frytshme dhe njëherë e përgjithmonë të caktojmë rrogën minimale, e cila punëtorëve do t’u mundësojë siguri sociale dhe materiale, por edhe luftim të varfërisë për familjet e punëtorëve
”, thotë kreu sindikalist, Zhivko Mitrevski.

Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Xhelal Bajrami, pranon se Maqedonia ndoshta prin në rajon, por edhe më gjerë sa i përket papunësisë, por ai beson se masat që ka ndërmarrë Qeveria, do të japin efekt në drejtim të zbutjes së gjendjes ekonomike.

“Në Maqedoni kemi një numër të madh të të papunëve, përqindja është jashtëzakonisht e madhe, por jemi në fazën finale të përgatitjes së një strategjie të re për përmirësimin e punësimit dhe shpresoj se krahas këtyre masave dhe masave tjera që i kemi në drejtim të zbritjes së kontributeve, do të japin rezultatin e duhur dhe numri i të papunëve përfundimisht do të fillojë të ulet edhe në Maqedoni”,
deklaron Bajrami.

Sa i përket përqindjes së numrit të të papunëve, ministri Bajrami, kundërshton të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës, sipas të cilit ajo arrin në mbi 30 për qind. Por, ministri i Punës thotë se papunësia nuk është më e lartë se 20 për qind.

“Prej 340 mijë të papunëve, mund të them se 20 deri në 30 për qind janë persona, të cilët punojnë mirëpo fatkeqësisht ata nuk janë të paraqitur në Agjencinë për Punësim nga punëdhënësit, për t'iu shmangur tatimeve që duhet të shlyejnë ndaj shtetit”
, thotë Bajrami duke paralajmëruar masa në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve në punë:

“Duke filluar nga shtatori ne do të jemi sa më të pranishëm në terren, përmes inspektoratit të punës për të ngritur dalëngadalë vetëdijen e të gjithë punëdhënësve në Maqedoni, pasi siguria gjatë kryerjes së punës nuk është në interes vetëm të punëtorit, por para së gjithash është edhe interes i punëdhënësit”.


Por, për dallim nga drejtuesit e institucioneve, me të dhëna krejt të ndryshme dalin përfaqësuesit e partive opozitare, të cilat, tashmë ndodhen në fushatë parazgjedhore.

Ato, madje, thonë se jo vetëm që numri i të papunëve në Maqedoni është rreth 40 për qind, por edhe ata që punojnë, marrin të ardhurat më të ulëta në Evropë, ndërsa kushtet, të në cilat punojnë, nuk i plotësojnë as standardet minimale që i parashohin organizatat ndërkombëtare të punës.
XS
SM
MD
LG