Ndërlidhjet

logo-print

Vritet Osama bin Laden

  • RFE /RL

Osama bin Laden, udhëheqës i rrjetit terrorist Al Kaida, u vra në një operacion të forcave amerikane në Pakistan. Lajmi u bë i ditur nga presidenti Barak Obama. Truri i sulmeve të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara u vra brenda territorit të Pakistanit.

"Vdekja e bin Ladenit shënon një nga arritjet më të rëndësishme të vendit tonë në luftën kundër Al Kaidës. Por, vdekja e tij nuk shënon fundin e përpjekjeve tona. Nuk ka dyshime se Al Kaida do të vazhdojë të përpiqet të na sulmojë. Ne duhet dhe do të jemi vigjilentë si brenda dhe jashtë", tha Obama.

Presidenti tha se forcat amerikane që morën pjesë në operacion nuk pësuan asnjë humbje.

Burimet zyrtare thanë se CIA i kishte rënë në gjurmë bin Ladenit dhe më pas në operacion janë përfshirë trupat nga Navy SEAL Team Six, njësi elitë e kundër-terrorizmit.

Kreu i CIA-s, Leon Paneta, ishte drejtuesi direkt i operacionit.

Obama falënderoi presidentin e Pakistanit, Asif Ali Zardari, për bashkëpunimin.

"Ne duhet të rikonfirmojmë se Shtetet e Bashkuara nuk janë dhe kurrë nuk do të jenë në luftë me Islamin. E kam bërë të qartë ashtu siç e tha dhe presidenti Bush pas 11 Shtatorit, se lufta jonë nuk është kundër Islamit. Bin Ladeni nuk ishte udhëheqës i myslimanëve, por një vrasës masiv i myslimanëve”.

“Al Kaida ka masakruar myslimanë në shumë vende, përfshirë këtu te ne. Ikja e tij do të mirëpritet nga të gjithë ata që besojnë te paqja dhe dinjiteti njerëzor",
tha Obama.

Mijëra njerëz u mblodhën përpara Shtëpisë së Bardhë në Uashington dhe në vendin ku dikur ishin kullat binjake në Nju Jork, duke brohoritur dhe valëvitur flamuj amerikanë.

Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë në Uashington, duke përshkruar atmosferën, tha se në grumbullin e njerëzve kishte nga ata që festonin duke qeshur, por nuk mungonin as lotët.

“Ishte një atmosferë tërësisht festive. Njerëzit bërtisnin, gëzonin, valëvisnin flamuj amerikanë. Njerëzit kacavirreshin në pemët që gjenden jashtë Shtëpisë së Bardhë”, tha Riçard Solash.

Krenaria ishte e pashmangshme në mesin e amerikanëve.

“Nuk mund të jem më krenar se sot. Kanë qenë dhjetë vjet të gjatë pritjeje. Mendoj se çdokush këtu është po aq i emocionuar sa dhe unë. Thjesht, nuk mund ta besoj”, tha Aron Gregori, banor i Merilendit.



Para se të bënte publik lajmin, presidenti Obama informoi presidentët Bush dhe Klinton. Presidenti Bush, përmes një deklarate, tha se kjo ishte "fitore e madhe për Amerikën".

Lufta kundër terrorizmit sërish vazhdon, por sonte Amerika ka dërguar një porosi të pagabueshme: Pavarësisht se sa zgjat, drejtësia vjen në vend”, tha Bush.

Vetë Xhorxh Bush më 17 shtator, 2001, ka kërkuar vdekjen e bin Ladenit.

“Dua drejtësi. Në Perëndim ishte një poster i vjetër që thoshte: Kërkohet, i vdekur apo i gjallë”, ka thënë Bush.

Kryeministri britanik ka qenë i pari që ka reaguar pas vrasjes së bin Ladenit. Kamerun tha se vdekja e tij ka sjellë "lehtësim të madh" në të gjithë botën.

“Lajmi do të mirëpritet në të gjithë vendin. Natyrisht, kjo nuk shënon fundin e kërcënimit nga terrorizmi. Në fakt, duhet të jemi vigjilentë në ditët dhe javët në vazhdim. Megjithatë, ky është një hap shumë i madh përpara”, tha Kamerun.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton tha se lufta kundër terrorizmit nuk përfundon me vrasjen e kreut të rrjetit Al Kaida, Osama bin Laden.

“Porosia jonë për talibanët mbetet e njëjtë, por sot mund të ketë më shumë jehonë. Nuk na mundni dot, por mund të zgjidhni të braktisni Al Kaidën dhe të merrni pjesë në procesin politik paqësor”, tha Klinton.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se vdekja e bin Ladenit është sukses në luftën kundër terrorizmit.

“Bin Laden ishte simbol i terrorizmit ndërkombëtar që nuk respektonte jetën, vetëm vriste dhe shkatërronte. Ai pretendonte se vepron në emër të Islamit, por përqeshte besimin e tij dhe çdo fe tjetër”, tha Merkel.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, tha se vdekja e bin Ladenit ishte “sukses i rëndësishëm”, por paralajmëroi se lufta kundër terrorizmit do të vazhdojë.

Arabia Saudite, vendlindja e bin Ladenit, tha se vdekja e tij ishte “një hap drejt eliminimit të terrorizmit”.

Bin Ladeni pagoi për veprimet e tij, tha presidenti afgan, Hamid Karzai, gjatë një fjalimi televiziv, pas vrasjes së kreut të Al Kaidës, Osama bin Laden.

“U bëj thirrje talibanëve të nxjerrin mësime nga ajo çfarë ka ndodhur në Abotabad dhe të përmbahen nga luftimet, të përmbahen nga shkatërrimi i vendit të tyre, të mos vrasin vëllezërit e tyre, myslimanët dhe fëmijët e tokës sonë”, tha Karzai.

Zëdhënësi i Tehrik-e-Tahrir, apo Lëvizjes së Talibanëve në Pakistan, u kërcënua se grupi do të ndërmarrë sulme kundër udhëheqësve të Pakistanit, kundër armatës pakistaneze dhe Shteteve të Bashkuara.

Grupi islamist palestinez Hamas e dënoi vrasjen e bin Ladenit, të cilin e quajti “luftëtar i shenjtë arab”.

Ministria e Jashtme e Iranit tha se vdekja e bin Ladenit u ka hequr “çdo justifikim” Shteteve të Bashkuara që t’i stacionojnë forcat në Lindjen e Mesme.

Kryeministri izraelit i vlerësoi lart Shtetet e Bashkuara për operacionin që çoi në vrasjen e Osama bin Ladenit.

"Ky është triumf për drejtësinë, lirinë dhe vlerat që ndajnë vendet demokratike, që kanë luftuar bri njëra-tjetrës me vendosmëri kundër terrorizmit", tha Benjamin Netanjahu.


Presidenti izraelit, Shimon Peres, tha se vrasja megjithatë nuk i jep fund terrorizmit.

“Bota do të bëhet më e mirë pa të. Kjo nuk nënkupton se ky është fundi i të gjitha terrorizmave dhe rreziqeve. Por, ai që ishte vrasësi më i madh, më në fund pagoi”, tha Peres.

Në emër të palestinezëve reagoi Hasan Hatib, zëdhënësi i Autoritetit palestinez.

“Të heqësh qafe bin Ladenin është mirë për kauzën e paqes në mbarë botën. Por, tash duhet të kapërcehen metodat e dhunshme, që janë krijuar dhe janë inkurajuar nga bin Ladeni dhe të tjerët në botë”, tha Hatib.

Rusia e përshëndeti vrasjen e kreut të rrjetit terrorist Al Kaida, Osama bin Laden, duke e cilësuar "sukses të madh" dhe shtoi se dëshiron të forcojë bashkëpunimin me SHBA-të në luftën kundër terrorizmit.

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, përshëndeti asgjësimin e Osama bin Ladenit, duke e cilësuar si një nga fitoret më të mëdha në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.(v.p.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG