Ndërlidhjet

FH : Kosova dhe Shqipëria, të fundit në rajon


Freedom House
Freedom House
Freedom House e ka vlerësuar lirinë e shtypit në Kosovë si pjesërisht të lirë, me notën 51, nga 53 sa ishte vitin e kaluar.

Në raportin e fundit të Freedom House për lirinë e shtypit, situata në Kosovë është më e rëndë se ajo në vendet e rajonit.

Shqipëria ka marrë notën 50, Maqedonia dhe Bosnjë e Hercegovina notën 48, Mali i Zi 37 dhe Serbia 33.

Vendet që vlerësohen nga 0 – 30 shihen si vende me shtyp të lirë, ato që marrin nota nga 31 – 60 klasifikohen në kategorinë e vendeve me shtyp pjesërisht të lirë, kurse në kategorinë e notimit nga 61 – 100 hyjnë vendet me shtyp jo të lirë.

Në tabelën e radhitjes së vendeve të anketuara, Serbia hyn në vendin e 72-të, Mali i Zi në vendin e 80-të, Kroacia 85, Bosnjë e Hercegovina 96, Maqedonia 96, Shqipëria 102, kurse Kosova vendin 104 e ndan së bashku me Argjentinën.

Vendi i fundit në listë mban numrin 196.

Në botë, popullata që ka qasje të lirë në media ka rënë në nivelin më të ulët në dhjetëvjetëshin e fundit, ndërkohë që qeveritë represive kanë intensifikuar përpjekjet e tyre për të kontrolluar mediat tradicionale dhe kanë zhvilluar teknika të reja për të kufizuar pavarësinë e mediave në internet.

Në raportin e Freedom House, vendet skandinave janë radhitur të parat, kurse dhjetë vendet e fundit janë Bjellorusia, Burma, Kuba, Guinea, Eritrea, Irani, Libia, Koreja veriore, Turkmenistani dhe Uzbekistani.

Freedom House gjithashtu ka radhitur edhe vendet që kanë pësuar rënie thelbësore në lirinë e shtypit, e ato janë Egjipti, Hondurasi, Hungaria, Meksika, Koreja e Jugut, Tajlanda dhe Ukraina. (a.v.)
XS
SM
MD
LG