Ndërlidhjet

logo-print

WP: Në ndjekje të Bin Ladenit


Osama bin Laden

Osama bin Laden

"Washington Post"

Kur Osama bin Laden u deklaroi luftë Shteteve të Bashkuara gjatë viteve ‘90, ai argumentonte se nëse terroristët myslimanë do të godisnin fuqishëm, SHBA-të do të tërhiqeshin.

Ndjekja e pamëshirshme që çoi deri te vdekja e bin Ladenit, verifikoi se fjalët për dobësinë amerikane ishin të gabueshme.

Vështirësitë amerikane në botën islame që prej 11 shtatorit 2001, kanë qenë si rezultat i përgjigjeve të gabuara apo reagimeve të tepruara ndaj sulmeve të Al Kaidës.

Mirëpo, ideja që SHBA-të do të largoheshin - një analizë që bin Laden e kishte mbështetur në largimin e Amerikës nga Bejruti pas sulmit në vitin 1983 dhe ikjen prej Somalisë në vitin 1994, pas sulmeve të përgjakshme në trupat amerikane atje - është hedhur poshtë bindshëm.

Madje, edhe pas gabimeve katastrofale në Irak, presidenti Xhorxh Bush bënte presion për të mbajtur gjallë fjalorin amerikan, për këmbëngulje në betejë.

Presidenti Obama duke bërë publik lajmin për vrasjen e Osama bin Ladenit.
“Ne do të jemi të pamëshirshëm në mbrojtjen e qytetarëve tanë”, tha presidenti Obama, derisa njoftonte për vdekjen e bin Ladenit prej Shtëpisë së Bardhë, pak para mesnatës. “Drejtësia është kryer” - këto ishin deklarata që do të mund të bëheshin në filmat “Uestern” rreth ndjekjes dhe ndëshkimit.

Obama e zbuloi sadopak operacionin që çoi deri te vdekja e bin Ladenit. Ai tha se operacioni filloi tetë muaj më parë, kur ai ishte informuar për disa shenja të terroristit.

Gjatë muajve të mëpasshëm, inteligjenca amerikane kishte mësuar se bin Laden mund të fshihej në një zonë në Pakistan. Javën e kaluar, Obama autorizoi një sulm të Forcave Speciale të SHBA-ve në një shtëpi në qytezën Abotabad, në veri të kryeqytetit pakistanez, Islamabad.

Fakti që Pakistani nuk e ndaloi apo ndoshta nuk mundi ta ndalojë sulmin me helikopterë, jep një mesazh tjetër.

Kritikët e CIA-s kanë argumentuar se operacionet e agjencisë kundër bin Ladenit, gjatë dekadës së fundit, ishin kompromentuar në mënyrë fatale nga kombinimet e operacioneve të njëanshme dhe bashkëpunimi me drejtorinë e Shërbimit të Inteligjencës së Pakistanit.

Edhe ky vlerësim u verifikua si i gabuar, së paku nëse matet nga këndvështrimi i operacionit të së dielës.

Një pyetje për analizë të kujdesshme gjatë ditëve të ardhshme do të jetë nëse disa elemente të inteligjencës pakistaneze e dinin që bin Ladeni po fshihej në një vend, ku shumë lehtë mund të shihej në afërsi të një objekti të ushtrisë pakistaneze.

Do të jetë tejet e rëndësishme sa i përket së ardhmes se si do të kryhen operacionet amerikane në Pakistan dhe disa vende të tjera myslimane.

Al Kaida e ka humbur momentin e rëndësishëm shumë kohë para vdekjes së liderit të saj. Ky grup kishte bërë armiq gjithkund ku kishte krijuar fuqinë e tij, në Irak, në Afganistan, bile edhe në disa zona fisnore të Pakistanit.

Bota islamike në vazhdimësi u largua nga ky grup, jo prej islamit salafist, të njëjtin që e praktikon Al Kaida, por nga taktikat terroriste që përfunduan duke vrarë shumë më tepër myslimanë në botë sesa amerikanë. (a.h.)
XS
SM
MD
LG