Ndërlidhjet

Kufoma e bin Ladenit hidhet në det

  • RFE /RL

Pamje nga një dhomë e vilës ku ishte strehuar Bin Laden...

Pamje nga një dhomë e vilës ku ishte strehuar Bin Laden...

Njësia elitë e kundër-terrorizmit e SHBA-ve ishte ajo që kreu operacionin e vrasjes së kryeterroristit Osama bin Laden.

Sulmi i forcave amerikane ishte drejtuar ndaj një vile në qytetin Abotabad, rreth 100 km larg Islamabadit.

Vila ishte shumë e madhe dhe besohet se është ndërtuar ekskluzivisht për bin Ladenin. Brenda shtëpisë nuk kishte as telefon e as internet.

Sulmi u shoqërua me luftime në vendin e ngjarjes, derisa Osama është vrarë me plumb në kokë. Trupi i Osama bin Ladenit u mor nga forcat amerikane dhe raportohet se trupat speciale respektuan rregullat e fesë islame gjatë marrjes së kufomës.

Tre burra u vranë bashkë me bin Ladenin, një nga të cilët raportohet të jetë i biri, Hamzai - edhe ai një drejtues i lartë i Al Kaidës.

Zyrtarët amerikanë thanë për AP-në se është vrarë dhe një femër, e cila u përdor si peng nga bashkëpunëtorët e bin Ladenit.

Burimet zyrtare thanë se ka qenë CIA që ka rënë në gjurmët e bin Ladenit dhe më pas në operacion janë përfshirë trupat nga Navy SEAL Team Six, një njësi elite e kundër-terrorizmit.

Pjesëtarët në operacion fluturuan drejt bazës së bin Ladenit me katër helikopterë dhe e kanë qëlluar kryeterroristin në kokë. Identifikimi i tij është bërë përmes ngjashmerisë së fytyrës, por nuk ka informacione nëse do të bëhen dhe analizat e ADN-së.

Kufoma e bin Ladenit u hodh në det, pasi feja islame kërkon varrosjen e shpejtë të të vdekurit, por edhe për atë se asnjë vend nuk ka qenë i gatshëm për t'u bërë streha e fundit e kreut të Al Kaidës.

Forcat amerikane që morën pjesë në operacionin e vrasjes së bin Ladenit nuk pësuan asnjë humbje. (i.b.)

Trego komentet