Ndërlidhjet

Pavarësia editoriale - sfidë


Foto arkiv
Foto arkiv
Mediat dhe gazetarët në Kosovë përballen me sfida e probleme të shumta, që nga ekzistenca e deri te pavarësia editoriale.

Kështu thonë drejtuesit e Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK), por edhe analistët.

Kryetari i AGPK-së, Arben Ahmeti, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjendja e lirisë së shtypit është mjaft e rëndë në vend.
Një gazetar sot përballet edhe me kërcënime, edhe me shantazhe, edhe me sulme...

“Sikur në gjithë botën, edhe në Kosovë, problem është çështja e varshmërisë financiare. Kjo e pamundëson pavarësimin e mediave. Gjendja e lirisë së shtypit në Kosovë është e keqe. Një gazetar sot përballet edhe me kërcënime, edhe me shantazhe, edhe me sulme. Ne, si AGPK, jemi shumë të shqetësuar për këto raste”, shprehet Ahmeti.

Veç problemit për të funksionuar si i pavarur, një medium në Kosovë përballet edhe me kërcënime ndaj gazetarëve.

Ahmeti tregon se vetëm brenda një periudhe të shkurtër kohore ka pasur një numër të konsiderueshëm të rasteve, ku gazetarët apo edhe njerëzit e tjerë që punojnë në media, janë kërcënuar apo shantazhuar nga qarqe të ndryshme.

“Ne vetëm për një muaj kemi pasur tre raste të kërcënimit të gazetarëve, një rast të sulmit dhe dy raste kur policia i ka lënduar gazetarët gjatë ndërhyrjes. Kjo është një statistikë tmerruese dhe shumë shqetësuese për një shoqëri, e cila nuk i ka më shumë se 2 milionë banorë dhe e cila pretendon të ndërtojë një demokraci”, thotë Ahmeti.

Përveç kërcënimeve, edhe marketingu, tash e disa vjet, shihet si mënyrë moderne e kontrollimit të mediave.

Gazetari dhe publicisti Halil Matoshi thotë se çështja e lirisë së mediave në Kosovë në vazhdimësi ka qenë problematike. Sipas tij, një nga problemet kryesore është ndikimi i politikes.

“Sot mund të flasim për pak media, të cilat kanë arritur të ruajnë pavarësinë editoriale dhe të mbesin jashtë kontrollit qeveritar. Qeveria, përmes reklamave dhe agjencive qeveritare, ka subvencionuar shtypin pro qeveritar”.

Halil Matoshi
“Ky vit dhe sidomos viti i kaluar janë më të rëndit që do të mbahen në mend për presionin e fuqishëm mbi lirinë e shtypit në Kosovë”,
thekson Matoshi, duke shtuar se kërcënimet politike kanë vështirësuar edhe më shumë punën e gazetarëve.

“Ju po i shihni debatet, të cilat po zhvillohen në Kosovë, sidomos çështja e mbifuqisë politike, çështja e SHIK-ut. Të gjitha këto kanë ndikuar në kërcënimet dhe shantazhimin e gazetarëve, të cilët praktikisht janë pamundësuar ta kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale”, thotë Matoshi.

Ndërkaq, kryetar i AGPK-së, Arben Ahmeti, si problem të vazhdueshëm thekson edhe qasjen në dokumentet zyrtare.

Gazetari sot përballet me shumë probleme: mungesa e qasjes në dokumentet zyrtare, mungesa e qasjes në informacion, si dhe moslejimi i së drejtës së tij për të qenë i informuar”, thotë Ahmeti.

Me gjithë problemet, shton ai, në Kosovë ka ende media dhe gazetarë që përpiqen të raportojnë paanshëm dhe në mënyrë të pavarur nga politika ditore.

Lexoni edhe këtë:
FH : Kosova dhe Shqipëria, të fundit në rajon
XS
SM
MD
LG