Ndërlidhjet

Ngadhënjim mbi terrorizmin ndërkombëtar


Vrasja e bin Ladenit cilësohet si arritje e madhe e Shteteve të Bashkuata në luftën kundër terrorzimit...

Vrasja e bin Ladenit cilësohet si arritje e madhe e Shteteve të Bashkuata në luftën kundër terrorzimit...

Institucionet e Kosovës e mirëpritën lajmin për aksionin e forcave amerikane, gjatë të cilit u vra udhëheqësi i Al Kaidës, Osama bin Laden. Institucionet vlerësuan se me këtë goditje të SHBA-ve fitoi e mira kundër së keqes dhe u shënua një moment kthese në luftën kundër terrorizmit.


Moment kthese në luftën kundër terrorizmit e cilësuan institucionet e Kosovës eliminimin e udhëheqësit të Al Kaidës, Osama bin Laden.

Presidentja Atifete Jahjaga e vlerësoi si fitore ndaj së keqes aksionin e forcave amerikane, gjatë të cilit mbet i vrarë njeriu më i kërkuar për terrorizëm në botë.

“Republika e Kosovës, populli i saj e mirëpritën lajmin për eliminimin e kryeterroristit të botës, duke qenë të ndërgjegjshëm dhe të falënderueshëm për intervenimin e NATO-s në Kosovë, disa vjet më parë, kur u ndal lufta dhe spastrimi etnik”, citoi deklaratën e presidentes zëdhënësi i saj, Arbër Vllahiu.

“Prej sot bota është më paqësore, prej sot njerëzit janë më të sigurt të shkojnë në punë, në shkollë, të udhëtojnë me metro, me tren, me aeroplan, më të sigurt për jetën e tyre. Kryeterroristi Osama bin Laden mori dënimin e merituar pas të gjitha vrasjeve, vuajtjeve, dhimbjeve dhe dëmeve që i shkaktoi botës”.

“Drejtësia u vu në vend. E mira fitoi kundër së keqes. Njerëzit do të jetojnë në paqe, në përparim, të patrembur dhe të parrezikuar. Lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar është në funksion të paqes, të prosperitetit, të sigurisë për të gjithë, në mbrojtje të jetës dhe të dinjitetit të njeriut”,
citoi Vllahiu deklaratën e presidentes.

Edhe Qeveria e Kosovës i përgëzoi forcat amerikane për operacionin e suksesshëm, duke konsideruar se “vrasja e liderit terrorist të Al-Kaidës, bin Laden, shënon një moment kthese në luftën kundër terrorizmit, jo vetëm për popullin amerikan, por për të gjithë popujt e botës, të cilët e duan lirinë dhe paqen”.

Përmes një kumtese për media, Qeveria e Kosovës tha se “në këtë moment kthese, populli i Kosovës ndan me popullin amerikan ndjenjën e shpresës dhe solidaritetit për një jetë me të sigurt dhe më paqësore”.

“Kjo ngjarje është një moment i përkujtimit për të gjitha jetët e humbura në luftë kundër terrorizmit dhe një moment i shpresës se e mira do të ngadhënjejë mbi të keqën”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.

Edhe partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përshëndeti aksionin e forcave amerikane. Zëdhënësi Ernest Luma, duke paraqitur qëndrimin e partisë së tij, tha se vrasja e bin Ladenit është një fitore e madhe e SHBA-ve, Qeverisë dhe popullit amerikan në luftën për liri dhe paqe.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e përshëndet fuqishëm ngjarjen e orëve të para të mëngjesit, për goditjen përfundimtare që forcat e SHBA-ve i dhanë kokës së të keqes në botë, udhëheqësit të organizatës terroriste Al Kaida, Osama bin Laden, duke e eliminuar atë edhe fizikisht”.

“AAK-ja konsideron se vrasja e liderit terrorist është një satisfaksion i madh për popullin amerikan e veçanërisht për familjet e viktimave që i humbën më të dashurit e tyre në sulmin e shëmtuar të 11 Shtatorit 2001”,
tha Luma.

Populli kosovar vazhdimisht ka shprehur solidaritetin me popullin amerikan dhe kjo është parë edhe pas sulmeve të 11 Shtatorit të Al Kaidës në SHBA, gjatë të cilave u vranë 3 mijë persona.

Sulmet ishin orkestruar nga Osama bin Laden, eliminimi i të cilit nga institucionet e partitë politike cilësohet si fitore mbi terrorizmin ndërkombëtar.


Edhe qytetarët mirëpritën lajmin...

Edona Peci

Kosovarët vlerësuan se me vrasjen e kreut të Al Kaidas, Osama bin Laden, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë një hap përpara kundër terrorizmit në të gjithë botën. Ata thanë se, tash e tutje, opinioni botëror do të jetë më syçelë ndaj veprimeve eventuale të rrjetit terrorist Al-Kaida.


Pjesa më e madhe e qytetarëve të Kosovës e kanë mirëpritur lajmin për vrasjen e kreut të rrjetit terrorist të Al-Kaidas, Osama bin Laden.

Ata e cilësuan si hap pozitiv kundër terrorizmit në të gjithë botën vrasjen e bin Ladenit, i cili që prej sulmeve të 11 Shtatorit ka qenë në qendër të kërkimeve të Shteteve të Bashkuara.

Gjylfidane Thaçi, profesoreshë nga Prishtina, tha se rezultati i operacionit të forcave amerikane përbën një mrekulli.

Sa mirë! Kjo është mrekullia - mrekulli që mund të ndodhë. Është mrekulli që e kanë mbytur. (Pse? A ka qenë kërcënim edhe për Kosovën?) Për gjithkënd ka qenë (kërcënim)”, u shpreh ajo.

Edhe ndërkombëtarët, të cilët përkohësisht punojnë në Kosovë, e mirëpritën lajmin për vrasjen e bin Ladenit. Kim Sharot, bashkëshorti i së cilës është i angazhuar në një mision ndërkombëtar në vend, tha se vrasja e kreut të Al Kaidës është një sukses për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Konsideroj se, pasi që e kanë ndjekur për një kohë aq të gjatë, është mirë që tani e kanë zënë”, u shpreh ajo.

Burim Hoxha, student nga Prizreni, tha se me vrasjen e Bin Ladenit është goditur rrjeti terrorist në të gjithë botën.

“Është një hap përpara që Amerika bën kundër terrorizmit dhe është i mirë për të gjithë qytetarët, jo vetëm të Amerikës, por të të gjithë botës”,
vlerësoi ai.

Ramë Zenuni, zyrtar bankier, nuk e përjashtoi mundësinë që edhe pas vrasjes së kreut të saj, Al-Kaida do ta vazhdojë veprimtarinë.

Megjithatë, ai tha se, tash e tutje, për çfarëdolloj veprimi të saj, të gjitha shtetet në botë do të jenë më të kujdesshme.

Sigurisht, është në interesin e përgjithshëm të mbarë opinionit botëror të likuidohet një kriminel, i cili ka bërë vepra aq të këqija kundër njerëzimit e kundër njerëzve. Sigurisht, ai i ka bashkëpunëtorët dhe njerëzit e tij, të cilët do ta vazhdojnë veprimtarinë e tij, mirëpo edhe Shtetet e Bashkuara dhe opinioni botëror do të jenë më këmbëngulës në likuidimin dhe shkatërrimin e terrorizmit në botë”, tha ai.

Ndërkohë, Xhevat Rrahmani tha se ky akt mund të shërbejë për ngritjen e vetëdijes në mesin e kosovarëve për të qëndruar larg organizatave ekstremiste.

“Shqiptarët janë pak në ndikimin e gjithë kësaj - ekstremistëve. Në disa raste ndodhi që tre-katër shqiptarë u gjenden në mesin e terroristëve. Andaj, kjo do të thotë shumë”, konsideroi ai.
XS
SM
MD
LG