Ndërlidhjet

A po zgjidhet problemi me policët serbë?


Policët e suspenduar serbë
Policët e suspenduar serbë

Ministria e Punëve të Brendshme duket të jetë e vendosur se nëse deri më 30 qershor nuk ka kthim të policëve serbë, ata do t’i përjashtojë nga puna. Por, zyrtarë të Qeverisë serbe kërkojnë të mos ketë nxitim, ndërsa mendojnë se për këtë çështje duhet një vendim politik.


Kanë mbetur vetëm edhe katër ditë, deri kur policët serbë mund të mbajnë statusin e të suspenduarve me pagesë. Nëse rreth 300 policët serbë, që bojkotojnë punën nga shkurti i vitit 2008, nuk kthehen në punë deri më 15 maj, pagat do t’iu ndërpriten.

Ata do të trajtohen si punonjës të policisë deri më 30 qershor, kur, sipas vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, do të shpallet konkurs i ri.

Ky vendim i MPB-së për sekretarin shtetëror në Ministrinë për Kosovën, Oliver Ivanoviq, nuk duket të jetë i mençur. Ai thotë se duhet të arrihet një zgjidhje politike, ku roli i EULEX-it do të ishte thelbësor.

“Policët serbë janë të vetëdijshëm se kjo nuk do të zgjasë pafundësisht, por ende shpresojnë se do të ketë ndonjë zgjidhje politike. Është shumë lehtë për shqiptarët e Kosovës që të shpallin konkurs dhe të zgjedhin do farë njerëz të rinj, por kjo do të jetë e dëmshme edhe për serbët, por edhe për ata që kujdesen për rendin dhe ligjin. Sepse, në vend të policëve të aftë, ata do të zgjedhin disa të rinj, që do të nisin nga fillimi”.

“Derisa nuk ka mbështetje të Qeverisë së Serbisë për diçka të tillë, frikësohem se nuk do të pranohen kuadro cilësorë për t’u bërë pjesëtarë të policisë, ndërsa mbështetja e Qeverisë së Serbisë varet nga ajo nëse do të respektohet marrëveshja e arritur me UNMIK-un në nëntorin e kaluar”,
tha Ivanoviq, duke iu referuar planit gjashtëpikësh, plan ky që për Qeverinë e Kosovës konsiderohet inekzistent.

“Në vend se të nxitohen me konkurs të ri, shqiptarët e Kosovës do të duhej që ta shtynin EULEX-in që të ndërmarrë përgjegjësinë për vendimin politik, sepse ne nuk kemi kontakte direkte mes shqiptarëve dhe Qeverisë së Serbisë. Prandaj, i vetmi shans është që përfaqësuesit ndërkombëtarë, në këtë rast EULEX-i, të marrë përgjegjësinë dhe të kontaktojë me Qeverinë e Serbisë dhe të merren vesh për zbatimin e njërës pikë të planit 6 pikësh, që është policia”,
tha Ivanoviq.

Përfshirjen e Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në zgjidhjen e këtij problemi e dëshiron edhe Qeveria e Kosovës. Këtë e konfirmon këshilltari në MPB, Fisnik Rexhepi. Por, nuk pranohet zgjidhja e problemit duke marrë për bazë planin 6-pikësh.

“Nga instalimi i EULEX-it kemi kërkuar që të mbështesë institucionet e Kosovës në këtë drejtim. Kemi kërkuar nga EULEX-i, që në komunikim me autoritetet në Beograd, të ndërmjetësojë që Beogradi zyrtar t’i inkurajojë serbët të kthehen në polici. Por, i kemi bërë të qarta edhe qëndrimet tona se nuk do të lejojmë dualizëm në strukturën e Policisë së Kosovës, e aq më pak që të kemi zinxhir të dyfishtë në strukturën e Policisë së Kosovës”, tha Rexhepi.

Policët serbë të suspenduar kanë bojkotuar për më tepër se një vit punën, meqë nuk kanë dashur që t’i binden zinxhirit komandues të Policisë së Kosovës, por Policisë së UNMIK-ut, e cila më nuk është përgjegjëse për policinë.

“Nëse shqiptarët e Kosovës kanë ndërmend zbatimin e rendit dhe ligjit në çdo pjesë, atëherë duhet ta nxisin EULEX-in të hyjë në bisedime mbi finalizimin e gjashtëpikëshit, në atë mënyrë që policia të funksionojë me lidhje vertikale dhe policët ndërkombëtarë të jenë ndërmjetësues mes shqiptarëve të Kosovës, institucioneve të Prishtinës dhe policëve serbë kudo që ata jetojnë dhe punojnë”, u shpreh Ivanoviq.

Këto kushte nuk janë të pranueshme për Qeverinë e Kosovës. Ndërsa, duket se vendimi i ministrit të Punëve të Brendshme do të jetë edhe thirrja e fundit bërë policëve për kthim.

“Gjithçka tanimë është e qartë. Ne e kemi përcaktuar një afat kohor se deri kur policët e suspenduar do të jenë në masën e suspendimit me pagesë, deri kur pa pagesë dhe kur do të hapet konkurs për zëvendësimin e tyre”.

“Vendimi i prerë nuk duhet perceptuar si ndëshkim për policët e suspenduar, por inkurajim që ata të kthehen në kuadër të Policisë së Kosovës. Është thirrja e fundit që ua bëjmë atyre që të kthehen. Por, më lejo edhe një herë të bëj të qartë se nuk do të ketë kompromis në zinxhirin komandues të Policisë së Kosovës - ai mbetet i unifikuar”,
tha Rexhepi.

Policëve serbë u është drejtuar edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës përmes një shkrese zyrtare, duke i ftuar që të kthehen në punë. Ftesës personale të secilit punonjës iu ka bashkangjitur vendimi i ministrit dhe të gjitha së bashku po u dërgohen secilit pjesëtar serb të policisë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se tanimë kanë pasur 4 raste të policëve serbë që janë kthyer. Ndërkohë, thuhet se ka shumë të interesuar në mesin e qytetarëve serbë që të përfshihen në kuadër të Policisë së Kosovës, po qe se hapet konkursi i ri.
XS
SM
MD
LG