Ndërlidhjet

Decentralizimi kushtëzohet nga zgjedhjet


Ministria e Pushtetit Lokal përsërit se formimi i komunave të reja me shumicë serbe varet nga pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet lokale, të parapara të mbahen në vjeshtë të këtij viti. Në bazë të procesit të decentralizimit parashikohet që në Kosovë të formohen edhe 8 komuna të reja.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Pushtetit Lokal thonë se që kur ka filluar procesi i decentralizimit e deri më tash janë konvertuar në komuna vetëm tri pilot njësi - ajo e Hanit të Elezit, Junikut dhe Mamushës.

Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, pohon se institucionet kosovare janë duke punuar fuqishëm që procesi i decentralizimit të realizohet sipas planeve të parapara.

“Deri tash, në krahasim me ligjin e fundit që ka pasur 30 komuna dhe me ligjin e ri që do të ketë 38 komuna, vetëm 3 pilot njësi komunale janë konvertuar në komuna me të drejta të plota. Ndërsa, 5 komuna të tjera mund të konvertohen me rastin e organizimit të zgjedhjeve të lira, sepse nuk ka formë tjetër demokratike për të krijuar legjitimitet për strukturat komunale, veçse vota e lirë e qytetarëve”, tha Ferati.

Me Planin e Ahtisaarit parashihet formimi i pesë komunave të reja me shumicë serbe. Ministri Ferati shprehet optimist që bashkëpunimi në të ardhmen me banorët serbë të Kosovës, do të rritet - gjë kjo që do të mundësojë jetësimin e planit të decentralizimit.

“Mund të them se ka ndryshime, por jo të nivelit të kënaqshëm, por ekzistojnë ndryshme të dukshme. Vetë aplikimi dëshmon... pastaj, gjatë kontakteve dhe takimeve që kemi pasur, pjesëmarrja e qytetarëve në disa lokalitete ka qenë e kënaqshme. Presim që edhe në komunat ku ky progres është më i vogël, ta shtojmë ketë progres”, tha Ferati.

Ai theksoi se decentralizimi është në të mirën e komuniteteve, sidomos atij serb.

Nga ana tjetër, eksperti për decentralizim, Dardan Gashi, konsideron se komunat e reja mund të formohen, por, siç thotë ai, ato duhet të jenë edhe funksionale.

“Ato komuna serbe, të cilat mendohen të formohen, janë të dizajnuara që të jenë komuna me shumicë serbe, kurse participimi i serbeve në institucione, e sidomos sa i përket decentralizimit, është joekzisent. Kështu që ato mund të formohen në aspektin juridik, por nuk besoj që do të formohen në aspektin praktik”, u shpreh Gashi.

Sipas Gashit, problemi në ketë drejtim qëndron të vetë serbët, të cilët, siç shprehet ai, janë të ndikuar nga Beogradi zyrtar që të mos bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.

“Është problemi i mosparticipimit të qytetarëve serbë, por sidomos i presioneve të drejtpërdrejta nga Beogradi. Këtu, në esencë, Qeveria ose institucionet e Kosovës shumë pak mund të bëjnë për ta bindur palën serbe”.

“Shumë më shumë mund të bëjë bashkësia ndërkombëtare, e cila është edhe garantuese e Pakos së Ahtisaarit, që ta bindë Beogradin që të heqë dora nga obstruksionet dhe në esencë t’i lirojë serbët e Kosovës që të përmirësojnë jetën e tyre”,
tha Dardan Gashi.

Plani i Ahtisaarit parasheh formimin e pesë komunave të reja serbe në Graçanicë, Ranilluk, Partesh, Kllokot, si dhe zgjerimin territorial të komunës së sotme të Novobërdës.

Zyrtarë të Ministrisë së Pushteti Lokal, si dhe prania ndërkombëtare në Kosovë, i kanë intensifikuar takimet me përfaqësuesit e serbëve, sidomos ata të pjesës qendrore të Kosovës, që të marrin pjesë në këto procese.
XS
SM
MD
LG