Ndërlidhjet

“Sejdiu ftohet të mos shkojë në Shkup”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
Në prag të vizitës së zëvendëspresidentit amerikan, Joseff Biden, në Prishtinë, shtypi kosovar e paralajmëron këtë si një konfirmim të radhës së mbështetjes amerikane për Kosovën.

“Prova të reja për pavarësinë” titullohet shkrimi i ballinës së gazetës “Lajm”. Para vizitës së Bidenit në Kosovë, administrata amerikane përmes zëvendës-asistenitit të sekretarit amerikan të shtetit, Stewart Jones, dërgoi mesazhe se do të kërkohen prova të reja që mund të ndryshojnë qëndrimin e shteteve që janë kundër pavarësisë së Kosovës.

Në të njëjtën temë, gazeta “Koha Ditore” shkruan se kjo vizitë paraqet mbështetjen e fuqishme dhe të përhershme të demokracisë më të re në Evropë. Gjithashtu, vizita ndërlidhet edhe me paralajmërimet për zvogëlimin e trupave të KFOR-it në Kosovë, marrë parasysh përparimet e bëra viteve të fundit.

Në artikull thuhet po ashtu se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara nga vënia e dyshimeve për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe në NATO. Andaj, Uashingtoni synon që bashkë me Brukselin t’i përfshijë edhe këto vende në procesin e integrimeve euroatlantike.

Shtypi kosovar shkruan për arsyet pse presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, nuk ka udhëtuar për në Shkup në inaugurimin e presidentit të ri të Maqedonisë. Gazeta “Zëri” shkruan se presidenti Fatmir Sejdiu e ka kthyer prapa ftesën e autoriteteve maqedonase për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit.

“Hidhërimi” i Sejdiut, sipas burimeve të “Zërit”, ka pasuar mënyrën e dërgimit të ftesës nga autoritetet maqedonase. Sipas këtyre burimeve thuhet se presidenti kosovar kishte marrë ftesën të shtunën, bashkë me rekomandimin që ai mundësisht të mos merrte pjesë në këtë ceremoni, për shkak të reflektimeve që do të mund të kishte tek presidenti i Serbisë, Boris Tadiq.

Si shpagim, Sejdiu merrte përparësinë që i pari nga presidentët e shteteve të rajonit ta vizitonte Maqedoninë më 19 maj dhe kështu të zhvillonte takimin e parë me presidentin e ri, Ivanov.

Sidoqoftë, kjo ofertë thuhet se nuk i ka pëlqyer Sejdiut, i cili nuk e ka pranuar fare ftesën dhe e ka kthyer atë pas tek autoritetet maqedonase.

Po ashtu edhe “Koha Ditore” shkruan se autoritetet e Shkupit edhe zyrtarisht e kanë konfirmuar dërgimin e ftesës për Sejdiun. Kurse, mospjesëmarrja e tij në inaugurim thuhet se erdhi si pasojë e një rekomandimi që ai mundësisht të mos udhëtonte për në Shkup, pasi që kishte shqetësime se prania e Sejdiut mund ta shtynte presidentin serb Tadiq të largohej nga ceremonia.

Afërsisht të njëjtin konstatim e ka dhënë edhe gazeta “Express”, ku thuhet se Sejdiut i ishte ofruar ftesa, por ishte lutur që të gjente arsye për mospjesëmarrje.

Ndërkaq, gazeta “Zëri” shtron dilemën e bartjes së protestave nga veriu i Mitrovicës në pjesën lindore të Kosovës. Pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet serbëve dhe ndërkombëtarëve që të mos ketë më protesta në veri të Kosovës, ndërprerja e rrymës po bëhet shkas që serbët e rajonit të Kamenicës, në pjesën lindore të Kosovës, të fillojnë një valë të re protestash, shkruan gazeta.

Lëndimi i 21 policëve dhe arrestimi i pesë serbëve ishte bilanci i parë i këtyre protestave, shkruan “Zëri”. Aty citohet edhe përfaqësuesja serbe, Rada Trajkoviq, e cila thotë se serbët po u nënshtrohen manipulimeve të tmerrshme.
XS
SM
MD
LG