Ndërlidhjet

“Tregu” për shpëlarjen e parave


Krimi financiar është i pranishëm në Kosovë dhe terreni për shtrirjen e këtij aktiviteti është mjaft i përshtatshëm. Kështu thonë ekspertë për çështje ekonomike, sipas të cilëve, moszbatimi i ligjeve po krijon hapësirë për shtrirjen e krimit të organizuar.

Sabahudin Komoni, profesor i financave në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se në mungesë të funksionimit të mekanizmave parandalues, Kosova tashmë është bërë vend ku shpërlahen edhe paratë.

“Jo vetëm që është vend i rrezikshëm për shpëlarjen, por janë duke u bërë shpëlarje të tilla të parasë, sidomos me procesin e privatizimit, me procesin e hyrjes së elementeve kriminale. Ka ardhur mundësia që të jetë një terren i mirë për shpëlarje të parave”, thotë Komoni.

Edhe eksperti tjetër i ekonomisë, Ali Jakupi, thotë se krimi financiar është i pranishëm në Kosovë, por, megjithatë, ai thotë se për të vërtetuar një gjë të tillë, nevojiten hulumtime dhe analiza. Sipas tij, në Kosovë është i pranishëm krimi i organizuar, kontrabanda e mallit dhe ekonomia joformale.

“Mangësia e ligjeve është një prej faktorëve që ndikon; çështje tjetër është se çdo shoqëri që del prej luftës, ende nuk është në gjendje të kuptojë etikën. Në këto rrjedha të padëshirueshme mund të jenë institucionet, bizneset, mund të jenë individët në forma të ndryshme”, pohon Jakupi.

Dukuria e krimit financiar në Kosovë vlerësohet të jetë njëra prej sfidave më të mëdha për institucionet vendore dhe ndërkombëtare që veprojnë në vend, shprehet Ali Jakupi, duke shtuar se lufta kundër kësaj dukurie po zhvillohet vetëm me deklarata dhe jo me veprime konkrete.

“Mua më pëlqejnë shumë deklaratat e tilla, tolerancë zero, por mund të jetë diskrepancë me realitetin. Do të thotë, dëshirat, orientimet, strategjitë janë të dëshirueshme për shtetin, por për t’u zbatuar në praktikë, është një storie tjetër. Nuk e di sa janë në përputhje e sipër ato deklarata”, thotë Jakupi.

Ai mendon se nëse dëshirohet të zvogëlohet krimi financiar, kjo do të duhej të bëhej, sipas tij, përmes ushtrimit të shtetit ligjor.

“Duhet të mos ketë trajtime të llojllojshme sipas arshinave që dikush dëshiron. Por, me kritere krejtësisht ligjore, të ndiqet korrupsioni, të ndiqet krimi i organizuar financiar dhe atëherë njerëzit mund të kuptojnë se mund të punojnë, janë të lirë dhe janë në një shtet demokratik të pavarur”, shprehet Jakupi.

Sipas statistikave zyrtare të Policisë së Kosovës, ekziston një numër i madh i rasteve të krimit financiar, të hetuara nga policia, ndërkaq vlera e parave të konfiskuara nga viti 2006 e deri në vitin 2008 është mbi 3 milionë euro. Kështu thotë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, duke shtuar se deri më tani janë hetuar 15 grupe kriminale, me ç’rast janë arrestuar 48 persona.

“Ka pasur persona të arrestuar, ka pasur edhe shuma të caktuara të konfiskuara nga ana e njësiteve të krimeve ekonomike, në bashkëpunim edhe me prokurorinë relevante. Vlen të përmendet rasti i arrestimit të personave me shtetësi kineze në rajonin e Ferizajt, me ç’rast me dyshimin për shpëlarje të parasë janë konfiskuar më shumë se një milion euro, në një rast të caktuar”, thotë Beka.

Sidoqoftë, në bazë të vlerësimeve të Komisionit Evropian në Kosovë, vetëm nga ekonomia joformale Kosova humb mbi 700 milionë euro në vit.
XS
SM
MD
LG