Ndërlidhjet

Votimi i katërt për Avokatin e Popullit


Ligjvënësit kosovarë
Ligjvënësit kosovarë

Së shpejti pritet që Kuvendi i Kosovës të provojë për të 4-ën herë radhazi të zgjedhë Avokatin e Popullit. Pas tri dështimeve që ta zgjedhin Ombudspersonin e Kosovës, kësaj radhe deputetët shprehen optimistë se njëri nga tre kandidatët që kanë hyrë në rrethin e ngushtë, do marrë shumicën e votave.


Kuvendi i Kosovës pritet të nxjerrë për herë të katërt në votim zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Sot, një panel intervistues i Kuvendit ka përzgjedhur tre kandidatë, të cilët i procedohen Kryesisë dhe seancës plenare për zgjedhjen e njërit prej tyre në postin e Avokatit të Popullit.

Kryetari i Panelit, deputeti opozitar nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, thotë se imazhi i këtij institucioni është dëmtuar shumë nga dështimet e vazhdueshme të Kuvendit për të zgjedhur Ombudspersonin.

Gjatë dy mandateve të fundit, legjislativi i Kosovës nuk ka arritur të gjejë një kandidat që do të merrte mbështetjen e deputetëve. Makolli vlerëson se tashmë po dëmtohet rëndë vetë imazhi i institucionit, por edhe i Kosovës, ngase Kuvendi po tregon paaftësi që t’i zgjedhë organet kushtetuese.

“Pamundësia e Kuvendit që të zgjedhë të parin e institucionit të Avokatit të Popullit e ka dëmtuar rëndë imazhin e vetë këtij institucioni në radhë të parë, por po ashtu e ka dëmtuar edhe imazhin e Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare, sepse është treguar një paaftësi, një papërgjegjësi e të zgjedhurve të popullit për të kompletuar institucionet kushtetuese, ashtu si parashihet me ligj dhe Kushtetutë”,
thotë Makolli.

Ndërkohë, deputeti nga radhët e partisë shumicë në Kuvend, Xhavit Haliti, i Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se ka përshtypjen që zgjedhja e këtij institucioni, si edhe shumë posteve të tjera, po kalon në procedura jonormale. Ai thotë se zgjedhja e Avokatit të Popullit përmes konkurseve dhe intervistave nuk është mënyra e duhur.

“Kategorikisht jam kundër mënyrës se si po funksionon forma e përzgjedhjes së shërbyesve civilë do t’i quaja, pra edhe e Avokatit të Popullit, përmes intervistave dhe konkurseve. Gjithkund kjo rregullohet përmes gjetjes së një mesi, duke gjetur dhe zgjedhur një njeri me autoritet. Ju e dini që tri herë është votuar dhe asnjërën herë s’kemi mundur ta zgjedhim”, thekson Haliti.

Sipas deputetit Haliti, përzgjedhja e njerëzve në postet e rëndësishme në Kosovë shpesh e ka vënë Kuvendin e Kosovës në pozitën e një institucioni jopolitik. Ai thotë se ishin këto kritere që e përjashtonin politikën si faktor në përzgjedhje, të cilat ndikuan që asnjë kandidat të mos e ketë deri më tash përkrahjen e mjaftueshme nga deputetët.

“Mënyra se si po trajtohet çështja e votimit të Kuvendit, në qoftë se pritet që deputetët të votojnë të gjithë si të pavarur, siç do të duhej të jetë, atëherë do të duhej që të gjithë deputetët të jenë jo të partive, por deputetë të pavarur - të zgjedhur individualisht. Sikur të ishin ashtu, atëherë do të kishte mundësi të llogaritej tek një formulë e tillë. Por, unë prapë mbetem pranë asaj se duhet patjetër që politika të thotë fjalën e vet dhe atëherë mund të llogarisim se mund të zgjidhet”,
thotë Haliti.

Në anën tjetër, deputeti Ibrahim Makolli shpreson që më në fund Kuvendi do ta zgjedhë Avokatin e Popullit, në mënyrë që ky institucion të mund t’i realizojë përgjegjësitë kushtetuese në shërbim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

“Jam i bindur që përfundimisht qytetarët e Kosovës e meritojnë që ta kenë të zgjedhur Avokatin e Popullit dhe këtë, për më tepër, kur kemi parasysh se pikërisht deputetët e Parlamentit e kanë besimin e qytetarëve dhe në raport me këtë besim do të duhej që t’i kryenin edhe detyrimet e veta kushtetuese. Gjithsesi jam i bindur që kësaj radhe Kuvendi do t’ia dalë që ta zgjedhë Avokatin e Popullit”, deklaron Makolli.

Bazuar në procedurat, emrat e tre kandidatëve i procedohen për verifikim Komisionit për legjislacion, prej nga, më pas, Kryesia e Kuvendit vendos që të thërrasë një seancë plenare, kur kandidatët do t’i nënshtrohen votimit të fshehtë në Kuvend.

Në raportet e fundit për Kosovën të Këshillit të Evropës, por edhe të një Komisioni për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian, mes tjerash kritikohet moszgjedhja e Avokatit të Popullit për katër vjet rresht.
XS
SM
MD
LG