Ndërlidhjet

Sfida e respektimit të të drejtave për fëmijët


Kushtet e vështira socio-ekonomike, vetëdija e ultë e disa familjeve në Kosovë, si dhe kureshtja për të zotëruar me para, kanë nxitur shumë fëmijë kosovarë që të bëjnë punë të ndryshme, duke rrezikuar edhe mirëqenien e tyre.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ndërkohë, është zotuar se do të eliminojë punën e fëmijëve, duke identifikuar fillimisht punët e rrezikshme, në të cilat janë të angazhuar fëmijët.

Në një projektligj të kësaj ministrie, punë të rrezikshme konsiderohen punët që për nga natyra apo rrethanat, fëmijët mund të pësojnë dëmtime në shëndet, siguri, arsim dhe moral.

Këshilltari i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Behxhet Gaxhiqi, thotë se shakatari kryesor që fëmijët në Kosovë punojnë, është mospërkrahja financiare nga ana e prindërve.

“Ne jemi duke u munduar që në vazhdën e aktiviteteve t’i bëjmë të vetëdijshëm prindërit dhe fëmijët për rreziqet e mundshme që mund t’i kenë nga punët që nuk u takojnë. Hapi i dytë - do të komunikojmë me ndërmarrësit ku fëmijët hyjnë dhe marrin mjetet metalike - të mos i lejojnë të hyjnë aty”, thotë Gaxhiqi.

Punë të rënda, sipas zotit Gaxhiqi, janë ngarkimi dhe shkarkimi që bëjnë fëmijët, ndërsa si punë të rrezikshme, sipas tij, konsiderohen punët që bëjnë në hedhurina, punët që bëhen në depot me pesticide, punët që bëhen në pyll, punët që bëhen në ndërtimtari, hyrja lart në katet e shtëpive për të shërbyer dhe shumë të tjera.

Grupmoshat e fëmijëve, të cilët kryejnë këto punë të rënda, sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, janë 13 deri në 16 vjeç.

Ndërkohë, me këtë qëllim dhe në mënyrë që t’u përgjigjet sfidave të reja kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e të drejtave të fëmijëve, Qeveria e Kosovës ka filluar procesin e zhvillimit të strategjisë dhe planit nacional për të drejtat e fëmijëve 2009-2013.

Sipas përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, Qeveria me këtë mekanizëm synon të arrijë standarde ndërkombëtare të të drejtave të fëmijëve, të përcaktuara me Konventën për të drejtat e fëmijës, dhe po ashtu të ndihmojë në përmirësimin e mekanizmave që tanimë ekzistojnë, si dhe të garantojë se normat e pranuara mbi të drejtat e fëmijëve zbatohen dhe respektohen.

Qëndresa Ibra, nga Zyra e kryeministrit të Kosovës, thotë se kanë bërë përpjekje që të punojnë në ngritjen e një niveli të jetesës më të mirë për të gjithë fëmijët në Kosovë, duke e konceptuar si standard fundamanetal për një shoqëri demokratike.

“Punët e rënda që fëmijët kryejnë janë një dukuri mjaft shqetësuese për ne. Qeveria e Kosovës edhe për këtë problem ka krijuar një komunitet, që merret me eliminimin dhe parandalimin e punëve të fëmijëve. Në kuadër të këtij komuniteti janë marrë parasysh punët më të rënda dhe është listuar një listë me punët që rreptësisht u ndalohen fëmijëve”, tha Ibra.

Ndërkaq, Shpresa Sekiraqa, përfaqësuese e Këshillit të nxënësve në Prishtinë, shprehet mjaft optimiste që Qeveria e Kosovës, me mekanizmat e saj, do të mund të ndikojë në përmirësimin e gjendjes aktuale të fëmijëve.

“Në Kosovë ka shumë fëmijë, të cilët punojnë punë që nuk u takojnë atyre dhe janë në kundërshtim me Konventën Ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve. Problemi kryesor është mungesa e mjeteve materiale”, thotë ajo.

Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, së bashku me Policinë e Kosovës, vazhdimisht bëjnë përpjekje për t’i larguar fëmijët që punojnë në rrugë, përfshirë këtu edhe ata që kërkojnë lëmoshë, por beteja e tyre në këtë drejtim nuk ka pasur sukses.
XS
SM
MD
LG