Ndërlidhjet

logo-print

“Dorëheqje nga KQZ-ja”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

Mosftesa e Shkupit për presidentin kosovar, Fatmir Sejdiu, në inaugurimin e presidentit maqedonas, Gjorgje Ivanov, është ndër temat kyçe të shtypit prishtinas. E përditshmja “Express” ka vlerësuar se mosftesa e presidentit Sejdiu është vetëm njëra nga sjelljet, siç thuhet, qesharake dhe prepotente të maqedonasve përballë shqiptarëve, të cilat, sipas gazetës, zënë fill që nga viti 1992.

Duke vënë në pah shumë arsye pse Maqedonia ka një sjellje jorespektive ndaj Kosovës dhe shqiptarëve që nga fillimi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, e përditshmja “Express” thekson se shqiptarët duhet të bëjnë një koordinim praktik të veprimeve, të përcaktojnë disa prioritete kombëtare, politike, ekonomike, kulturore dhe sportive për një bashkëpunim dhe respektim të ndërsjellë në rajon dhe më gjerë.

Gazeta thekson se Kosova dhe Shqipëria si dy shtete brenda një rajoni dhe me një fuqi relativisht të fortë politike brenda një shteti siç është Maqedonia, nuk kanë nevojë të nënçmojnë rolin e tyre.

Në këtë kontekst, e përditshmja “Express” thekson se presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, e ka pasur borxh të konsultohet me presidentin kosovar, Fatmir Sejdiu, rreth kësaj çështjeje, sepse, siç nënvizon gazeta, nëse shteti maqedonas ka pranuar kushte prej presidentit serb, Boris Tadiq, atëherë edhe Bamir Topi ka mundur të vë kushte sikurse edhe Ali Ahmeti, por, siç vë në pah gazeta, këto koordinime nuk bëhen në ditën e fundit.

Ndërkaq, e përditshmja “Koha Ditore” ka siguruar detaje nga fjalimi i shefit të Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Feith, që do të mbajë sot në London School of the Economics.

Feith, midis tjerash, vlerëson me këtë rast se pavarësia ka qenë zgjidhja e vetme e mundshme për statusin e Kosovës, duke pasur parasysh vuajtjet dhe represionin e ushtruar mbi kosovarët nga regjimi serb.

Sipas zotit Feith, kjo çështje nuk mund të bëhet subjekt i negociatave ashtu sikurse që njohjet e deritashme nuk mund të zhbëhen pavarësisht nga epilogu i procesit legal në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Sipas “Kohës Ditore”, në këtë prezantim shefi i ICO-së, Pieter Feith, pritet të vë në spikamë angazhimin e vazhduar të misionit civil ndërkombëtar rreth Kosovës, pastaj të theksojë nevojën për dialog ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ndërkohë që do t’i përsërisë thirrjet drejtuar Qeverisë së Kosovës që të fokusohet në reforma dhe t’ia zgjasë dorën komunitetit serb.

Ndërsa, këta të fundit, sipas “Kohës Ditore”, do t’i ftojë që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale, që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti.

Në anën tjetër, e përditshmja “Kosova sot” ka një shkrim që ka të bëjë me dorëheqjen e kreut të Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës, Zait Xhemajli. Gazeta thekson se kjo dorëheqje e dëmton rëndë procesin përgatitor të zgjedhjeve të ardhshme lokale.

Në sytë e ndërkombëtarëve kjo mund të jetë një minus i madh që Kosovës mund t’i kushtonte shumë, sepse në vendet demokratike zgjedhjet janë të shenjta, shkruan, midis të tjerash, e përditshmja “Kosova sot”.
XS
SM
MD
LG