Ndërlidhjet

Rindërtimi i Kroit të Vitakut


Ndërtimi i shtëpive të shqiptarëve...

Ndërtimi i shtëpive të shqiptarëve...

Qeveria e Serbisë, përmes ministrit, Goran Bogdanoviq, ka shprehur mbështetjen për rindërtimin e shtëpive të serbëve në lagjen Kroi i Vitakut në veri të Mitrovicës. Si serbët, ashtu dhe shqiptarët po ndërtojnë shtëpitë nën masa të shtuara të sigurisë.

Serbët, të cilët për dy javë rresht kundërshtuan rindërtimin e shtëpive të pronarëve shqiptarë në lagjen Kroi i Vitakut në veri të Mitrovicës, morën sot një mbështetje nga Qeveria serbe.

Në ditën kur nisën të spastrojnë terrenin në pesë lokalitetet për ndërtimin e shtëpive në këtë pjesë të qytetit, ka qenë ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, ai që i ka inkurajuar të vazhdojnë me punën.

“Me rëndësi është që këto shtëpi të ndërtohen, që të mos ketë probleme, që nuk do të ketë konflikt, meqë ai nuk është në interes të askujt. Ne mund të jetojmë pranë njëri-tjetrit. Unë shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje edhe shqiptarëve që të lejojnë fqinjët, miqtë e tyre t’i ndërtojnë shtëpitë, ashtu siç po ndërtojnë ata në Kroin e Vitakut”,
tha Bogdanoviq.

Por, në të vërtetë, për pothuaj dy javë policia e EULEX-it është detyruar të përdorë gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestat e serbëve lokalë, të cilët kundërshtonin rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve, por edhe vetë kthimin e tyre.

Protestat janë ndalur pas asaj që serbët e quajtën arritje e marrëveshjes me autoritetet ndërkombëtare për rindërtimin e shtëpive të tyre. Institucionet e Kosovës kanë deklaruar se nuk janë në dijeni për një marrëveshje të tillë.

Sot, njoftohet se ka filluar puna, ndërsa është shtuar prania e pjesëtarëve të policisë kosovare, asaj të EULEX-it dhe të KFOR-it.

“Nga ana e UNMIK-ut mund të them që në përputhje me marrëveshjen tonë, sot ka filluar puna në pastrimin e tetë shtëpive pa kurrfarë problemesh; situata është e qetë”, tha përfaqësuesi i UNMIK-ut, Jaroslav Kozak.

Ndryshe, edhe Kozak, edhe përfaqësuesit e serbëve kanë shfaqur shqetësim për, siç thonë, rindërtimin në brendësi të kësaj lagjeje të disa shtëpive nga ana e banorëve shqiptarë.

“Sa i përket informacioneve që ne kemi marrë, mund të shihen disa provokime, por u takojnë institucioneve të sigurisë që të merren me ta”, tha Kozak.

Përfaqësuesi i lagjes Kori i Vitakut, Nebojsha Miniq, shpjegon se fillimi i punës ka qenë i mbarë.

“Kemi nisur sot të punojmë. Është qetë, nuk ka pengesa, presim që të kalojë dita në mënyrë të qetë. Për nesër nuk mund të garantoj. Deri tash kemi pasur mjaft raste që të dëgjojmë premtime të bashkësisë ndërkombëtare, që do të punohet në ndërtimin e besimit mes serbëve dhe shqiptareve“,
tha Nebojsha Miniq.

Ndryshe, kreu i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, ka thënë, ditë më parë, se është Qeveria e Serbisë ajo që po investon në rindërtimin e shtëpive të serbëve, edhe pse, sipas tij, dokumentet nuk mund ta dëshmojnë këtë. Goran Bogdanoviq nuk ka përjashtuar ndihmën në të ardhmen.

Kush i financon - po natyrisht që këtu ndihmojnë OJQ-të, komuniteti ndërkombëtar dhe do të ndihmojë edhe Qeveria e Serbisë, meqë është obligim yni që t’i ndihmojmë të zhvendosurit”, tha Goran Bogdanoviq, i cili, me gjithë deklaratat politike që ka bërë, vizitën e sotme në veri të Mitrovicës e ka konsideruar si jozyrtare.
XS
SM
MD
LG