Ndërlidhjet

logo-print

S'kanë përfunduar tendencat për territore të reja autonome


Me krijimin e shteteve të pavarura nga ish-republikat jugosllave dhe formimin e shtetit të Kosovës, është shënuar shpërbërja e Jugosllavisë, por nuk kanë përfunduar tendencat për territore të reja autonome - u tha në një debat në Çagllavicë.


Vetëm integrimi i rajonit në Bashkimin Evropian mund ta ndalë zhbërjen e mëtutjeshme të territoreve të ish-Jugosllavisë, është thënë sot në një debat të organizuar në Çagllavicë, ku është prezantuar libri “Ballafaqimi me kontradiktat jugosllave - Iniciativa e Bursistëve”.

Në debat kanë marrë pjesë drejtori i Iniciativës së Bursistëve, Charles Ingrao, profesor i historisë në Universitetin Pardue në SHBA, Dushan Janjiq, koordinator i Forumit për marrëdhënie etnike, Anton Berishaj, profesor në Universitetin e Prishtinës, Momçillo Trajkoviq, kryetar i Lëvizjes Serbe të Rezistencës, si dhe ish-politikani kosovar, Azem Vllasi.

Profesori Charls Ingrao tha se procesi i zhbërjes së Jugosllavisë mund të mos jetë ende i kryer. Ai rikujtoi disa tendenca të Republikës Serbe në Bosnjë për ndarje dhe bashkim me Serbinë, si dhe raportet ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni, të cilat ende mbeten të brishta. Kështu që ai tha se zhbërja e ish-Jugosllavisë mund të vazhdojë tutje nëse nuk do të ketë integrim të këtij rajoni në BE.

“Procesi i zhbërjes së Jugosllavisë do të përfundojë vetëm atëherë kur të gjithë popujt do të jenë pjesë e integruar e Bashkimit Evropian”, tha Ingrao.
Ndërkaq, ish-zyrtari i lartë në kohën e Federatës Jugosllave, Azem Vllasi, tha se Jugosllavia ishte një projekt i dështuar që nga fillimi. Kurse, shpërbërja e Jugosllavisë, me formimin e shteteve të pavarura, sipas tij, nuk i ka përmbyllur të gjitha problemet ende, por u ka dhënë fund tash për tash shqetësimeve për konflikte të reja të armatosura.

“Shpërbërja e Jugosllavisë ka marrë fund me zhdukjen formale edhe të emrit të saj. Do të thotë, ai proces ka marrë fund. Por, kjo nuk do të thotë se i ka mbyllur të gjitha krizat eventuale të ardhshme, ato në Bosnjë, në Maqedoni apo me autonominë e Vojvodinës”, tha Vllasi.

Ndryshe nga Vllasi, Momçillo Trajkoviq, një përfaqësues serb në këtë konferencë, tha se nuk pajtohej se zhbërja e Jugosllavisë mund të vazhdojë edhe me Vojvodinën. Ai tha se çështja e Kosovës ndryshon shumë me atë të Vojvodinës, pasi që atje, sipas tij, i tërë problemi mund të zgjidhet vetëm me decentralizim të pushtetit, pasi që shumica e banorëve janë serbë.

“Mundësia që Vojvodina me shumicë serbe të formojë shtet të pavarur dhe në këtë mënyrë të vijë deri te rënia definitive e Jugosllavisë, shpresoj se është vetëm iluzion. Shanse më të mëdha për rënie ka Bosnja”, tha Trajkoviq, duke vlerësuar se ndryshimet eventuale në Bosnjë mund të ndryshojnë shumë rrjedha në gjithë rajonin, duke rikthyer idetë për shtete të mëdha etnike në rajon.

Në anën tjetër, Dushan Janjiq tha se pajtohej në masë të madhe me Vllasin, pasi që Vojvodina ende paraqet problem. Nëse Beogradi përgjigjet në mënyrën e vjetër, duke e kundërshtuar çdo kërkesë të Novi Sadit, Janjiq tha se kjo mund ta çojë Serbinë në konfuzion. Kështu që, sipas tij, do të duhej të veprohej me një koncept tjetër.

“Problemi tash qëndron në atë se si do t’i zgjidhë qeveria e dobët qendrore tendencat lokaliste në Serbi”, tha Janjiq.

Ai tha se rruga më e mirë do të ishte që këto probleme të rregullohen me Kushtetutë, duke krijuar katër rajone me autonomi të caktuar. Njësoj, sipas tij, duhet të veprojë edhe Kosova nëse shpreson të integrohet në BE.

Ndërkohë që profesori Anton Berishaj tha se studimi në librin që po debatohej ishte mjaft mirë i përmbledhur, marrë parasysh se shpërbërja e Jugosllavisë ishte më tragjikja për kah përmasat.

“Flasim për një rast që shënohet si një ndër rastet më tragjike që njihet në historinë e zhbërjes së ndonjë shteti. Nëse e krahasojmë me ish-Bashkimin Sovjetik ose me çfarëdo shteti tjetër, ajo çka ka ndodhur në Bashkimin Sovjetik, i cili ishte disa herë më i madh sesa shteti për të cilin po flasim, Jugosllavinë, ishte asgjë krahasuar me atë që ka ndodhur këtu tek ne”, tha Berishaj.

Gjatë debatit u shtrua edhe çështja e bashkëpunimit mes popujve të rajonit.

“Na takon neve që të vendosim se a duam të jetojmë bashkë apo do të vazhdojmë ta urrejmë njëri-tjetrin. E, urrejtja u shkon më së shumti shtati atyre që janë sot në pushtet”, tha me këtë rast Janjiq.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG