Ndërlidhjet

logo-print
Derisa presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka deklaruar se marrëdhëniet me shtetin e Maqedonisë do të vazhdojnë të jenë të mira edhe pasi që atij nuk i është bërë ftesë për të qenë i pranishëm në ceremoninë inauguruese të presidentit të ri të këtij shteti, analistët politikë konsiderojnë se kjo çështje do të ndikojë në raportet diplomatike në mes të shteteve.

Analisti Driton Lajçi thotë se Shkupi zyrtar ka bërë gabim që nuk e ka ftuar presidentin e Kosovës në atë ceremoni.

“Mendoj se Maqedonia nuk është dashur ta bëjë këtë gabim diplomatik-protokollar, sepse më i vështirë ka qenë vendimi i marrë nga Qeveria maqedonase për njohjen e pavarësisë së Kosovës, sesa për ta ftuar presidentin Sejdiu për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të Maqedonisë. Për mua është një taktikë e Maqedonisë, e cila, në njëfarë mënyre, do të ndikojë në ndërtimin e marrëdhënieve diplomatike në mes të Prishtinës zyrtare dhe Shkupit zyrtar”, tha Lajçi.

Ndryshe, mediat në Kosovë kanë raportuar se presidenti kosovar kishte marrë ftesën të shtunën, bashkë me rekomandimin që ai mundësisht të mos merrte pjesë në këtë ceremoni, për shkak të reflektimeve, siç thuhet, që do të mund të kishte tek presidenti i Serbisë, Boris Tadiq.

Për këtë, analisti Lajçi pohon se Maqedonia ka shkelur protokollet e diplomacisë.

“Kjo për mendimin tim është një shkelje e protokolleve të diplomacisë, është shkelje e Konventës së Vjenës. Pastaj, është ftesë joserioze; fqinji, miku nuk ftohet në atë mënyrë joserioze, sepse nuk ka mundësi ta ftosh askënd të mos vijë. Do të thotë, nuk ka justifikim. Ky është një gabim i radhës i diplomacisë së Maqedonisë”,
pohoi Lajçi

Edhe analisti tjetër, Muhamet Mavraj, vlerëson së Republika e Maqedonisë nuk ka pasur asnjë arsye për të mos i bërë ftesë presidentit të Republikës së Kosovës. Sipas tij, arsyeja e përkeqësimit të raporteve me Serbinë nuk ka qenë reale.

“Republika e Maqedonisë nuk ka treguar shumë guxim. Nuk ka qenë arsyeja e vërtetë për Maqedoninë pjesëmarrja e Boris Tadiqit në ceremoni dhe përkeqësimi i raporteve me shqiptarët”,
tha Mavraj.

Megjithatë, zoti Mavraj konsideron se Kosova duhet t’i ruajë raportet shtetërore me të gjitha shtetet, në veçanti me Maqedoninë.
Unë mendoj që nuk është në interesin e Kosovës që të përkeqësohen marrëdhëniet me asnjë shtet, e sidomos jo me Maqedoninë, për shumë e shumë arsye...

“Unë mendoj që nuk është në interesin e Kosovës që të përkeqësohen marrëdhëniet me asnjë shtet, e sidomos jo me Maqedoninë, për shumë e shumë arsye, dhe mendoj që lidershipi i Kosovës ka kuptuar që është interes strategjik qenia e marrëdhënieve të mira me Maqedoninë”,
tha Mavraj.

Ndërsa, sa i takon pranisë së presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, në atë takim, analisti Lajçi thotë se prezenca e tij ka qenë e domosdoshme, pasi që, siç thotë ai, Shqipëria tash është në një pozicion të ri pas anëtarësimit në NATO.

“Shqipëria tashmë flet me një zë tjetër, me një fuqi tjetër, nga nja pozicion krejtësisht tjetër. Është anëtare e NATO-s, është faktor i stabilitetit të Ballkanit dhe nuk ka asnjë mundësi formalisht të lidhet mosftesa e presidentit Sejdiu me shkuarjen ose mosshkuarjen e presidentit Topi
”, deklaroi Lajçi.

Sido që të jetë, me anë të një komunikate, presidenca e Kosovës ka bërë të ditur se presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, zyrtarisht sot ka marrë ftesë nga presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, për ta vizituar këtë vend. Në komunikatë thuhet se në bazë të marrëveshjeve të të dy presidentëve është rënë dakord që kjo vizitë të realizohet më 28 maj.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG