Ndërlidhjet

Mekanizmat kundër korrupsionit të mbështeten nga Qeveria


Përpjekjet e institucioneve të Kosovës në luftë kundër korrupsionit duhet të përforcohen me vendosjen e legjislacionit, institucioneve dhe procedurave adekuate. Kështu kanë vlerësuar përfaqësuesit e Komisionit Evropian lidhur me përparimet e Kosovës në zbatimin e rekomandimeve të partneritetit evropian dhe avancimin e standardeve drejt Bashkimit Evropian.

Brengat e përfaqësuesve të Komisionit Evropian, sipas zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, janë edhe brenga dhe prioritete të Qeverisë së Kosovës, duke pasur parasysh partneritetin me këtë komision.

“Sa i përket çështjes në fjalë, padyshim se kjo mbetet një nga prioritetet dhe angazhimet kryesore të Qeverisë së Kosovës dhe në këtë drejtim ne kemi një partneritet të ngushtë edhe me Komisionin Evropian, por edhe me institucionet vendore dhe misionet tjera ndërkombëtare që funksionojnë në Kosovë”, tha Krasniqi.

Deri më tash, nga Qeveria në Kuvendin e Kosovës janë proceduar: Ligji për deklarimin dhe kontrollin e pasurisë, Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, ndërkaq që Ligji kundër korrupsionit është në rishqyrtim.

Dokumenti i politikave që përcaktojnë luftën kundër korrupsionit, i quajtur si strategji kundër-korrupsionit, pritet të miratohet në muajin qershor në Kuvendin e Kosovës.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Krasniqi, thotë se sa i përket legjislacionit, Qeveria e ka kryer punën e saj dhe tash mbetet që Kuvendi i Kosovës të vendosë për ligjet.

“Nga ana e Qeverisë, të gjitha këto kanë përfunduar. Tash shpresojmë që Kuvendi i Kosovës t’i procedojë sa më shpejt këto ligje dhe strategjinë, në mënyrë që me të vërtetë të kemi një legjislacion edhe më funksional, sesa që ka qenë deri më tash. Kështu që sa i përket legjislaturës, Qeveria tashmë i ka kryer obligimet e veta dhe shpresojmë që edhe Kuvendi do të procedojë shumë shpejt me përmbushjen e obligimeve që dalin nga ana e tyre”, deklaroi Krasniqi.

Në anën tjetër, Hasan Preteni, drejtues i Agjencisë Kosovare kundër-Korrupsion, thekson se vlerësimet e përfaqësuesve të Komisionit Evropian janë reale dhe se nevojitet edhe një numër ligjesh për ta luftuar korrupsionin.

“Në përgjithësi, mendoj se vlerësimet janë reale dhe ato sugjerimet që janë dhënë në raportin e progresit. Kanë filluar disa mangësi të evitohen, mirëpo ende jemi larg përmbushjes së të gjitha atyre që janë shënuar në raportin e progresit”,
tha Preteni.

Ndryshe, vërejtje e veçantë nga përfaqësuesit e Komisionit Evropian për, siç thuhet, ngecjen në luftë kundër korrupsionit, shkon në adresë të gjyqësorit të Kosovës. Zoti Preteni vlerëson se vullneti politik i institucioneve qendrore për ta luftuar korrupsionin, është pohuar, por ai do të dëshmohej nëse ato i ndihmojnë mekanizmat që kanë mision luftën kundër korrupsionit në punën për realizimin e misionit të tyre.

“Mendoj se institucionet qendrore duhet të bëjnë më shumë, që përveç se të përfundohet nomenklatura ligjore, duhet t’u sigurohet një pavarësi në veprim këtyre institucioneve. Me pavarësi nënkuptoj që t’u sigurohet buxhet i mjaftueshëm, të sigurohet profesionalizëm dhe trajnime për zyrtarët nëpër këto mekanizma. Nuk është element i vogël, por është shumë domethënës edhe stimulimi financiar i zyrtarëve që punojnë në këto mekanizma, sepse është e vetmja mundësi që në këto institucione të kemi zyrtarë të mirë, të fuqishëm dhe me përvojë, në qoftë se ata do të paguhen mirë
”, tha Preteni.

Sidoqoftë, zoti Preteni ka shprehur mendimin se të gjitha mekanizmat e pavarur, të cilët e luftojnë korrupsionin, duhet ta kenë vetëm Kuvendin e Kosovës adresë të përgjegjësisë dhe raportimit dhe se në punën e tyre të mos përzihet askush tjetër.
XS
SM
MD
LG