Ndërlidhjet

“Limaj, historia e parave është shpifje”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

Në shtyp sot komentohet dorëheqja e kryetarit të KQZ-së. Sipas të së përditshmes “Zëri”, Komisioni Qendror Zgjedhor është bërë burim i problemeve dhe tensioneve politike, krejtësisht të panevojshme, në përgatitje të një procesi, suksesi i të cilit është kusht, pa të cilin nuk bën nëse Kosova dëshiron të ecë përpara në proceset e integrimeve euro-atlantike.

Duke vlerësuar dorëheqjen e kreut të KQZ-së, gazeta “Zëri” thekson se ky post në Kosovë ka shumë rëndësi, ka një peshë tej mase të veçantë kur dihet se vendasit tash e tutje do të jenë përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve.

Ky fakt, sipas “Zërit”, e relativizon skajshmërisht qëndrimin e Zait Xhemajlit për ngarkesën e punëve dhe angazhime të tjera. Pavarësisht arsyetimeve të zotit Xhemajli, gazeta “Zëri” ka vënë në dukje se Komisioni Qendror Zgjedhor është burim i problemeve dhe tensioneve politike dhe se KQZ-ja, me dorëheqjen e kryetarit, ka rënë në pikën më të ultë organizative, e cila urgjentisht duhet të tejkalohet po qe se dëshirohet që shoqëria kosovare të jetë e gatshme të përballet me sprovën e zgjedhjeve të kësaj vjeshte, shkruan “Zëri”.

Ndërkaq, e përditshmja “Koha Ditore” citon burime jozyrtare se edhe në rastin e përpilimit të listës së kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, janë marrë parasysh sugjerimet e miqve ndërkombëtarë për të evituar, siç thuhet, mundësinë e dështimit të përzgjedhjes së kandidatëve për këto vende.

“Koha Ditore” ka publikuar edhe listën e emrave të kandidatëve që janë në garë për Gjykatën Kushtetuese, të cilës do t’i shtohen edhe dy kandidatë serbë dhe tre ndërkombëtarë, por që emrat e kandidatëve serbë nuk do të bëhen publikë deri në momentin e votimit të tyre. Gazeta ka mësuar se bëhet fjalë për një profesor universitar dhe një avokat.

E përditshmja “Kosova sot” vë në pah vlerësimet në lidhje me reagimin e anëtarit të kabinetit qeveritar, Fatmir Limaj, ndaj disa akuzave që i janë bërë ditëve të fundit. Sipas gazetës, veprimi i ministrit Limaj, i cili shpjegoi para medieve se akuzat janë të pavërteta, duhet të jetë shembull për politikanët tjerë që të jenë vazhdimisht më të hapur për jetën e tyre dhe më të sinqertë në raport me qytetarët.

Ndryshe, siç vë në dukje “Kosova sot”, ndodh gati përditë që qytetarët të dëgjojnë histori që duken të pabesueshme, por që shumë shpejt depërtojnë tek secili, saqë krijohet ideja që edhe lajmi më spekulativ mund të ketë konotacione të së vërtetës.
XS
SM
MD
LG