Ndërlidhjet

Potencialet për rimëkëmbjen ekonomike


Kosova ka potencial të mjaftueshëm për rimëkëmbje ekonomike, por vetëm nevojitet sigurimi i mjeteve financiare dhe krijimi i një klime të favorshme për investime të huaja të drejtpërdrejta - vlerësojnë ekspertë për çështje ekonomike. Megjithatë, ata theksojnë se masat për një progres në sektorë të caktuar, nuk janë të përqendruara aq sa duhet nga institucionet e Kosovës.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, pohon se në një të ardhme të afërt do të shihen lëvizje të mëdha në sektorët, që mendohet se do të ndikojnë në rimëkëmbjen ekonomike në vend.

Ministri Shala konsideron se sektori privat është forca lëvizëse e zhvillimit ekonomik, ndërkaq ndër sektorët tjerë është edhe energjetika, ku, siç thekson ai, kanë filluar të tejkalohen pengesat që kanë qenë deri më tani.

“Gjithashtu, sektori i arsimit është në fokus të Qeverisë. Jemi në rrugë të mirë për t’i gjetur modalitetet më të shpejta që ta shfrytëzojmë këtë aset të pakompensueshëm dhe mjaft të shëndoshë - që Kosova mund të veçohet në rajon dhe në Evropë”, tha ministri Shala.

Zoti Shala, si sektor tjetër veçon edhe atë të bujqësisë. Ai potencon se Qeveria është duke bërë përpjekje maksimale për t’i konsoliduar dhe për t’i zëvendësuar importet nga bota e jashtme.

Në anën tjetër, Muhamet Mustafa, kryetar i Institutit për Hulumtime dhe Zhvillime “Riinvest”, deklaron se fusha më vitale që tregohet sa ka shënuar suksese në përmirësimin e gjendjes ekonomike në vend, janë sektorët e caktuar të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Sipas zotit Mustafa, këta sektorë kanë pasur një zhvillim të suksesshëm dhe kanë arritur deri diku që të bëjnë një zëvendësim të importeve dhe, siç thotë ai, të dalin me eksporte premtuese edhe përkundër vështirësive të shumta, siç janë politikat jo të favorshme të tatimeve dhe taksave.

“Kosova duhet të investojë në sektorët e agro-industrisë. Kemi një sektor mjaft të fuqishëm të ndërtimit, duke u zhvilluar materialet ndërtimore, industria grafike dhe disa industri të tilla. Ajo që duhet të investohet më së shumti, është krijimi i kushteve për zhvillimin e shërbimeve, të cilat kanë vlerë të lartë shtuese të produktit të brendshëm bruto, siç janë teknologjitë e informacionit, industria softuerike”.

“Në atë drejtim duhet të forcojmë edukimin dhe për shkak të popullatës së re, ne mund të krijojmë përparësi konkurruese edhe në këtë fushë”,
pohon zoti Mustafa.

Megjithatë, ai thotë se përmirësimi i arsimit dhe ngritja në nivelin më të lartë të këtij sektori në Kosovë, si dhe zhvillimi i infrastrukturës, do të kërkojnë shumë kohë.

“Duhet sa më parë të nxiten investimet në këta sektorë. Te shikohet se çfarë i pengon investimet; duhet korrigjuar ato pengesa, të cilat krijojnë probleme për investime, që ato i bëjnë të shtrenjta - infrastruktura e pazhvilluar, mbledhja e TVSH-së dhe doganat për pajisje në kufi”, thekson zoti Mustafa.

Në anën tjetër, eksperti për çështje ekonomike, Mejdi Bektashi, thotë se fatkeqësisht Kosova ende nuk ka strategji primare, e cila, shton ai, do të përcaktonte se cilët sektorë bartës do të ndikonin në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Sipas tij, mungesa e një strategjie të tillë po ndikon në ngecjen e zhvillimit ekonomik në Kosovë.

“Prioriteti kryesor në zhvillimin ekonomik të Kosovës për periudhën afatmesme 5-vjeçare duhet të jetë zhvillimi i agro-biznesit, pasi që importi i këtyre produkteve në bilancin tregtar të Kosovës kap një vlerë mjaft të madhe”, thotë profesor Bektashi.

Sidoqoftë, ekspertët e ekonomisë disa herë kanë vlerësuar se edhe procesi i privatizimit dhe çuarja përpara e tij mund të jenë faktorë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik.
XS
SM
MD
LG