Ndërlidhjet

Plagët e padukshme të luftës


Spitali Kirkuk, në veri të Bagdadit...
Spitali Kirkuk, në veri të Bagdadit...
Autoritetet ushtarake në Uashington ende po bëjnë përpjekje për të mësuar se çka në fakt ka ndodhur më 11 maj në bazën ushtarake në Irak – të njohur si Kampi i Lirisë.

Një rreshter i Ushtrisë Amerikane kishte shkuar në klinikën, ku janë të vendosura trupat që vuajnë nga çrregullime psikike, dhe ka qëlluar 5 njerëz për vdekje.

Menjëherë pas arritjes së lajmit në Uashington, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, doli para gazetarëve:

Dua të shpreh tmerrin tim dhe keqardhjen e thellë për incidentin e sulmit të sotëm në Kampin e Lirisë në Irak. U shpreh keqardhjen dhe ngushëllimet e mia familjeve të të vrarëve. Ne jemi ende në proces të mbledhjes së informatave se çka ka ndodhur saktësisht, por nëse njoftimet paraprake konfirmohen si humbje tragjike e jetëve nga duart e forcave tona, atëherë kjo është arsye për një shqetësim të madh dhe urgjent”, kishte deklaruar zoti Gates.

Presidenti Barack Obama u zotua se “do që të sigurohet plotësisht se çka i ka prirë kësaj tragjedie”. Ai është takuar me sekretarin Gates për të diskutuar se çka mund ta ketë shtyrë rreshterin John Russell, 44-vjeçar, një njeri me karrierë ushtarake, i cili ka punuar si teknik i elektronikës dhe që e ndanin vetëm disa javë nga kthimi në shtëpi në Texas – të vriste 5 miqtë e tij ushtarë.

Babai tij beson se ai e di.

Wilburn Russell, 73 vjeçar, tha se djali i tij, i cili po përfundonte turnin e tretë të detyrës së tij në Irak, ishte “ndarë” nga ushtria. Pas bisedës me eprorin e tij, Russell ishte liruar nga përgjegjësitë e tij dhe ishte urdhëruar të kërkonte këshilla psikologjike. Babai i Johnit thotë se urdhri do t’i ketë shkaktuar shqetësim të madh të birit. Ai ishte në borxhe të mëdha dhe kërcënimi se do të mund të shkarkohej nga ushtria dhe të humbiste rrogën, mund t’i ketë rënë si goditje e tmerrshme.

“Ata e kanë stërvitur që të vrasë”, ka thënë babai i tij. Kështu, duke u ndjerë i dëshpëruar, Johni ka marrë armën dhe ka nxjerrë hidhërimin e tij në pacientët e klinikës psikike, në të cilën ishte menduar që edhe ai të kërkonte ndihmë.

Gjuajtjet me armë kanë ngritur një vëmendje të re të problemit, i cili ishte diskutuar disa herë në Shtetet e Bashkuara: Sa stres mund të durojnë trupat në Irak dhe Afganistan që të mos dëmtohet shëndeti i tyre mendor?

Mbi 1 milion trupa amerikane kanë shërbyer në Irak dhe në Afganistan që nga tetori i vitit 2001. Shumë nga ta kanë qenë të ekspozuar për kohë të gjatë para streseve të luftës dhe ndodhive traumatike.

Gjatë të dyja luftërave, ushtria amerikane shpeshherë ua ka zgjatur detyrën ushtarëve të saj. Ushtria gjithashtu ka përdorur thënien “zbatoni urdhrat” – gjë që i mban ushtarët në njësitet e tyre, edhe nëse detyrat e tyre aktive kanë përfunduar. Rezervsitët, të cilët përbëjnë personelin ndihmues, i nisnin përtej detit përkundër dëshirës së tyre.

Një politikë e tillë ishte kritikuar shumë, si dhe urrehet nga ushtarët, të cilët ndjejnë se kanë mbaruar me detyrat e tyre. Madje, “Hollywood-i” ka bërë filmin me titull “Ndaloni Humbjet”.

Studimet ushtarake dhe anketat e ndryshme gjurmojnë lidhjen direkte në mes të pozicionimeve të gjata dhe pozicionimeve të shumëfishta dhe kështu rrisin shkallën e çrregullimeve post-traumatike, të njohur si PTSD.

Paul Rieckhoff, themelues i Veteranëve Amerikanë të Irakut dhe Afganistanit, thoshte: “Ti mund t’i dërgosh ushtarët për të tretën ose të katërtën herë, por ti duhet të kuptosh se po shkatërron jetët e tyre”.

Më 2007-ën, ushtria ka regjistruar 140 raste të konfirmuara të vetëvrasjes – shifër kjo më e larta që nga viti 1980.

Një studim më i vonë nga organizata hulumtuese RAND ka thënë se rreth 20 për qind e ushtarëve shërbyes, të cilët janë kthyer nga Iraku apo Afganistani, kanë treguar simptoma të çrregullimeve post-traumatike apo të depresionit më të madh.

Edhe më shumë depresive se përqindja e atyre që vuajnë, është përqindja e veteranëve që kërkojnë trajtim: më pak se gjysma. Arsyet janë të ndryshme. Por, shumica thonë se të trajtohesh për sëmundje psikike, do të ishte një shenjë dobësie në karrierën e tyre.

Madje, edhe në mesin e atyre që kërkojnë ndihmë, studimet e RAND-it kanë gjetur se vetëm gjysma kanë marrë tretmanin, që studiuesit e konsiderojnë “të përshtatshëm minimalisht” për sëmundjet e tyre.

Studiuesit konsiderojnë se është e nevojshme një përpjekje më e madhe kombëtare që të përmirësohet dhe të rritet kapaciteti i sistemit të shëndetit mendor, që t’u ofrohet kështu kujdes efikas shërbyesve dhe veteranëve.

Një ditë pas gjuajtjeve në Kampin e Lirisë, ushtria amerikane ka njoftuar se ka filluar hetimet për të identifikuar mangësitë në trajtimin e shëndetit mendor për trupat e pozicionuara në zonat e luftës.

“Unë kam një të afërm në ushtri, i cili ka shërbyer dy turre në Irak, dhe ai mendon se së shpejti do ta thërrasin për një shërbim të tretë në Afganistan”.

“Kur ai u kthye nga Iraku, herën e parë, ne – familja dhe shokët e tij – kemi vënë re se kishte ndryshuar. Ai kishte lëkundje të rënda të gjendjes shpirtërore – pikëllimi dhe hidhërimi i tij dukeshin të pafund. Ai pinte shumë dhe qante shpesh”.

“Kur është kthyer nga lufta, herën e dytë, ai ishte më pak i ndjeshëm, por dukej sikur të kishte humbur atë zotësinë bazike. Nga rutina e zakonshme e jetës së tij të përditshme, ne mendonim se ai duhej të shkonte për konsulta psikologjike, por, si shumica e veteranëve, ai refuzonte”.

“Ne bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndihmuar dhe brengosemi – megjithëse nuk mendojmë se është afër përmirësimit”.


Tani, babai i John Russellit mund të shprehë vetëm keqardhjen.

“Jam i sëmurë”, thotë ai. “Jo vetëm për birin tim, por për të gjithë të involvuarit. Nuk do të duhej të ndodhte kurrë”.
XS
SM
MD
LG