Ndërlidhjet

Zgjidhen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese


Ligjvënësit kosovarë

Ligjvënësit kosovarë

Me 76 vota për, 6 kundër dhe 2 abstenime, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka zgjedhur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Dekretimin e tyre do ta bëjë presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.



Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur gjashtë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilët i procedohen presidentit për aprovim përfundimtar.

Nga 21 kandidatët që kishin kaluar testin në Komisionin e veçantë vlerësues, ka fituar lista e koalicionit PDK – LDK, e mbështetur edhe nga partia opozitare AAK dhe pakicat.

Andaj, në bazë të këtij vendimi, gjashtë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës janë: Enver Hasani, Gjyljeta Mushkolaj, Iliriana Islami, Kadri Kryeziu, si dhe dy anëtarët nga pakicat, Altay Suroi nga komuniteti turk dhe Ivan Çukalloviq nga ai serb. Kurse, tre anëtarë tjerë të kësaj gjykate do të jenë ndërkombëtarë.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Bahri Hyseni, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, e vlerësoi si shumë të rëndësishme për Kosovën zgjedhjen e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese.
...besojmë që kandidatët që sot kanë fituar të drejtën që të jenë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese në të ardhmen, me nder dhe respekt do ta mbrojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“E konsiderojmë një hap shumë të rëndësishëm për institucionet e Kosovës. E kemi krijuar institucionin më të lartë për interpretime juridike - Gjykatën Kushtetuese. Prandaj, konsiderojmë se kemi bërë një punë jashtëzakonisht të mirë dhe besojmë që kandidatët që sot kanë fituar të drejtën që të jenë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese në të ardhmen, me nder dhe respekt do ta mbrojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës”,
tha Hyseni.

Në një vijë me partitë në pushtet në lidhje me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese sot ishte edhe partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, tha se marrëveshja e kësaj partie me koalicionin qeverisës kishte të bënte me mosbllokimin e konstituimit të këtij organi, marrë parasysh rëndësinë që ka për Kosovën.

“Duhet të ketë vullnet politik prej të gjithë neve që ta mbajmë këtë gjykatë kësisoj si është dhe mendoj se me kalimin e kohës, të gjithë do ta shohim se Gjykata Kushtetuese do të jetë ashtu si duhet - e paanshme, dhe shpresojmë se nuk do të ketë ndërhyrje që të prishet ky imazh”,
theksoi Gjini.

Ndërkohë, kishte edhe deputetë që vlerësuan se zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka kaluar në mënyrë anti-kushtetuese.

Deputetja Edita Tahiri, nga Grupi Parlamentar i PDK-së, e cila, e pakënaqur me formën e votimit, braktisi seancës, tha se nuk pajtohej që partitë politike kishin një listë të të preferuarve të tyre, duke ua mohuar të drejtën deputetëve që të zgjedhin vetë nga lista prej 21 kandidatëve, sa kishin kaluar testin për votim në Kuvend.

Kjo formë, sipas Tahirit, ishte kundër-kushtetuese dhe shkelje e parimeve demokratike.
...Parlamenti ka bërë shkeljen më të madhe të mundshme të parimeve demokratike dhe të rregullores së vet, me ç’rast u është marrë e drejta deputetëve të deklarohen për kandidatët.

“Sot, me rastin e zgjedhjes së gjykatësve për Gjykatën Kushtetuese, Parlamenti ka bërë shkeljen më të madhe të mundshme të parimeve demokratike dhe të rregullores së vet, me ç’rast u është marrë e drejta deputetëve të deklarohen për kandidatët, por është bërë një lloj marrëveshjeje dhe sot Parlamenti është dukur sikurse një Eurovizion, kur dalin grupet parlamentare dhe japin lista të gatshme”, deklaroi Tahiri.

Gjatë votimit, edhe dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Dardanisë dhe Aleanca Kosova e Re, kishin listat e tyre, por ato nuk erdhën në shprehje të votohen, pasi që lista e koalicionit fitoi dy të tretat e votave qysh në votimin e parë, duke siguruar 76 vota për, 6 kundër dhe 2 abstenime.

Pas përzgjedhjes në Kuvend, gjyqtarët emërohen nga presidenti i Kosovës. Gjykata Kushtetuese ka gjithsejtë nëntë anëtarë, prej të cilëve, sipas Kushtetutës, katër duhet të jenë shqiptarë, një nga minoriteti serb, një nga pakicat e tjera dhe tre ndërkombëtarë. Ndërkaq, kryetari i Gjykatës zgjidhet me votat e anëtarëve të këtij organi.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG