Ndërlidhjet

Kontrolli i kufijve dhe kontrabanda


Pika kufitare Jarinë
Pika kufitare Jarinë
Ruajtja e kufijve dhe luftimi i kontrabandës, e sidomos krimit të organizuar - mbeten disa nga sfidat kryesore për Doganat e Kosovës. Këtë e pohojnë vetë zyrtarë të këtij institucioni. Drejtori i Doganave, Naim Hurgulica, si problem më të madh e sheh kontrollimin e kufijve në veri të Kosovës, ku Dogana e Kosovës vazhdon të mos jetë e pranishme. Këto pika kufitare kontrollohen nga EULEX-i.

“Ne mendojmë se kontrolli është në nivel të kënaqshëm, të mos themi shumë të mirë. Ne jemi prezentë në të gjitha vendkalimet kufitare, të cilat janë të autorizuara për transport të mallrave. Janë dy-tri vendkalime ku nuk kemi prezencë, por zakonisht shërbejnë vetëm për kalimin e personave fizikë, në përjashtim të veriut të Kosovës”, tha Huruglica.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e EULEX-it për doganat, Alexandra Georga, pranon se si kudo tjetër në botë, edhe Kosova ka problemin me kontrabandimin mallrave.

“Ne e dimë se kontrabandimi është problem, është fenomen që ekziston kudo në botë, në secilin vend. Në rastin e shteteve që kufijtë i kanë në male, problemi është më i madh se te të tjerat. Është e qartë se EULEX-i, që është mision i sundimit të ligjit, dhe doganat që janë të përfshira në sundimin e ligjit, do bëjnë gjithçka për t’i minimizuar aktivitetet e tilla”, theksoi Georga.

Pas shpalljes së pavarësisë, serbët patën djegur pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës, duke e lënë këtë pjesë për pothuaj një vit pa kontroll kufitar – gjë që ishte vlerësuar se buxhetit të Kosovës i ka shkaktuar humbje prej rreth 30 milionë eurosh.

Që nga vendosja e doganierëve të EULEX-it në këto pika, sipas Naim Huruglicës, është vërejtur rënie e humbjeve.

“Vlerësimet tona gjithmonë bazohen në disa të dhëna, të cilat i marrim nga tereni, nga analizat që i kemi të përbashkëta me misionin EULEX. Këtu po flas posaçërisht për veriun e Kosovës. Ne kemi vërejtur që në gjashtë muajt e fundit ka një rënie të dukshme të kontrabandës, bile vlerësimet tona shkojnë deri te ajo që ka një rënie për 80 % në krahasim me një periudhë të njëjtë të vitit të kaluar, kur kishim një problem shumë të madh”, tha Huruglica.

Megjithatë, drejtori i Doganave thotë se aktualisht sfidë mbetet kontrabanda me kafshë nga ana e Anamoravës dhe në kufirin me Malin e Zi.

“Ka një kontrabandë të vogël në rajonin e Anamoravës, e cila bëhet me kafshë të gjalla nga Serbia në Kosovë, por edhe anasjelltas me produkte të tjera, si dhe një kontrabandë të vogël në kufirin me Malin e Zi”, tha Huruglica.

Nga vlerësimet e ndryshme të zyrtarëve të Kosovës është thënë se një përqendrim të shtuar në luftimin e kontrabandës dhe krimit duhet të ketë në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës, në kufi me Serbinë. EULEX-i ka arritur që të dërgojë atje doganierë, por të cilët kryejnë vetëm regjistrimin e kalimeve dhe nuk bëjnë doganimin e mallrave.
XS
SM
MD
LG