Ndërlidhjet

MPB: Beogradi rrit presionin mbi policët serbë


Policët e suspenduar serbë
Policët e suspenduar serbë

Është i vogël numri i policëve serbë që vendosën t’i kthehen Policisë së Kosovës. Presioni i Beogradit zyrtar, edhe kësaj here, ka qenë më me ndikim, sesa vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’ua ndërprerë pagat atyre.


Prej 300 policëve të suspenduar serbë, vetëm 15 pranuan që t’i kthehen Policisë së Kosovës. Nga sot (16 maj), atyre që mbeten jashtë policisë, u ndalohet paga. Por, sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Arbër Beka, ka edhe një afat kohor deri kur ata mund të quhen pjesëtarë të policisë.

“Zyrtarët tjerë që nga e shtuna do të jenë në suspendim pa pagesë deri më 30 qershor. Nëse deri më 30 qershor nuk kthehen, atëherë Policia e Kosovës do t’i shqyrtojë kërkesat e qytetarëve të tjerë nga komuniteti serb, që kanë shfaqur dëshirën që të jenë pjesë e Policisë së Kosovës”, u shpreh Beka.

Zyrtarët e Qeverisë pranojnë se presioni i Beogradit zyrtar, për të mos lënë policët serbë që t’i binden zinxhirit komandues të Policisë së Kosovës, ka qenë më me ndikim sesa vendimi i Qeverisë që pas 15 muajsh suspendimi me pagesë, t’ua ndalojë pagat policëve serbë.

Këshilltari në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Fisnik Rexhepi, mendon se kjo tendencë e Qeverisë serbe nuk do të ketë jetë të gjatë.

“Ne kemi informata se ka vazhduar presioni i Qeverisë së Beogradit ndaj policëve të suspenduar, mirëpo kjo nuk mund të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë. Ne do të vazhdojmë edhe gjatë kësaj kohe që të komunikojmë dhe t’i inkurajojmë policët serbë që të kthehen në kuadër të Policisë së Kosovës".

"Dhe ne, në bazë të disponimit që ekziston te ta, në bazë të rrethanave aktuale, jemi të bindur se tendencat e Beogradit do të dështojnë edhe kësaj radhe dhe do të triumfojë vizioni dhe maturia e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe do të mund ta ruajmë karakterin multietnik të Policisë së Kosovës”,
tha Rexhepi.

Rreth 300 policë serbë bojkotojnë Policinë e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, meqenëse nuk duan që t’i binden zinxhirit komandues të Policisë së Kosovës, por atij të UNMIK-ut, mision ky që tashmë nuk ka kompetenca mbi policinë.

Edhe pse drejtoria e policisë, vitin e kaluar, pati vendosur që të mos i paguajë këta pjesëtarë, ka qenë një vendim politik i Qeverisë që policët serbë vazhduan të marrin paga për 15 muaj, pa u paraqitur fare në punë.

Përfaqësues të opozitës mendojnë se vendimi i tashëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme që t’u ndërpresë pagat, është shumë i vonuar.

“Është bërë më shumë se një vit që këta policë serbë nuk janë paraqitur në detyrat e tyre të punës dhe kjo i ka kushtuar buxhetit të Kosovës mbi një milion euro dëmtim, për shkak të mosveprimit të duhur të Qeverisë së Kosovës për të caktuar një afat dhe më pas për të shpallur konkurs, nëse do të ishte e nevojshme për pranimin e pjesëtarëve të rinj serbë”, thotë Burim Ramadani, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Konkursi, në të vërtetë, mund të shpallet në muajin shtator ose tetor, dhe kjo nëse deri më 30 qershor policët serbë vendosin që të mos i kthehen Policisë së Kosovës. Ministria e Punëve të Brendshme është optimiste se do të ketë trende pozitive të kthimit.

Por, ditë më parë, zyrtarë të Qeverisë serbe kanë thënë se vendimi i MPB-së është i gabuar dhe se për zgjidhjen e problemit serb duhet vendim politik.

Ky vendim i MPB-së për sekretarin shtetëror në Ministrinë për Kosovën, Oliver Ivanoviq, nuk duket të jetë i mençur. Ai thotë se duhet të arrihet një zgjidhje politike, ku roli i EULEX-it do të ishte thelbësor.

“Policët serbë janë të vetëdijshëm se kjo nuk do të zgjasë pafundësisht, por ende shpresojnë se do të ketë ndonjë zgjidhje politike. Është shumë lehtë për shqiptarët e Kosovës që të shpallin konkurs dhe të zgjedhin do farë njerëz të rinj, por kjo do të jetë e dëmshme edhe për serbët, por edhe për ata që kujdesen për rendin dhe ligjin. Sepse, në vend të policëve të aftë, ata do të zgjedhin disa të rinj, që do të nisin nga fillimi”, ka thënë Oliver Ivanoviq.

Ministria e Punëve të Brendshme pranon se është në favor të policisë që të kthehen policët serbë dhe të mos rekrutohen të rinj. Por, zyrtarë të kësaj ministrie po ashtu kanë siguruar se kësaj here do të jenë më të vendosur dhe se 30 qershori është shansi i fundit, kur policët serbë mund t’i bashkohen sërish Policisë së Kosovës.
XS
SM
MD
LG