Ndërlidhjet

Gjendja sociale në Kosovë është shetësuese për shkak të nivelit të lartë të papunësisë dhe varfërisë. Kështu vlerëson Gjergj Dedaj, zëvendës ministër i Punës dhe mirëqenies sociale dhe Fadil Maloku, ekspert për çështje sociale. Zëvendësministri Dedaj shprehet optimist se kjo gjendje do të tejkalohet, ndërkaq zoti Maloku shpreh dronë se lëkundjet aktuale sociale mund të eskalojnë në kahje negative.


Pakënaqësitë sociale, të cilat janë shënuar kohët e fundit, qoftë me protesta ose greva të ndryshme, qoftë përmes hulumtimeve të opinionit nga organizatat e ndryshme, nxjerrin në pah gjendjen e brishtë sociale në Kosovë dhe tërheqin vëmendjen se kjo gjendje është shqetësuese. Gjergj Dedaj, zëvendësministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale vlerëson se gjendja aktuale sociale në Kosovë është pasojë e dy dekadave të kaluara, ku sipas tij, Kosova ka kaluar periudhë mjaft të vështirë të okupimit dhe tranzicionit të gjatë.

“Këto reflektohen më së shumti te shkalla e lartë e papunësisë, e cila po ashtu reflekton një gjendje të vështirë sociale, një shkallë të lartë të varfërisë, e cila është tepër shqetësuese dhe preokupim i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të shoqërisë kosovare në përgjithësi. Megjithatë, unë mendoj se qytetarët e Kosovës janë të vetëdijshëm për të gjitha këto dhe do të jenë po ata që kanë treguar urtësi dhe dinjitet në momentet më të vështira dhe në këtë fazë të tranzicionit të Kosovës do të jenë të dinjitetshëm, që bashkërisht me të gjitha forcat dhe kapacitetet tona, t’ia dalim që ta kapërcejmë edhe këtë situatë. Unë jam optimist”, thotë Dedaj.

Sipas tij, qeveria aktuale është e përkushtuar që t’i zgjidhë problemet ekzistuese sociale, të cilat janë pasojë e shkallës prej mbi 40 përqind të papunësisë dhe rreth 20 përqind të varfërisë së skajshme.

Në anën tjetër, profesor doktor Fadil Maloku, ekspert për çështje socialologjike, vlerëson se tashmë kanë filluar të dalin në sipërfaqe problemet sociale, të cilat sipas tij, janë ngulfatur nga politikat e udhëhequra gjatë dhjetë viteve të kaluara.

“Në një vend me një papunësi ekstreme çfarë është në Kosovë e që askund nuk mund ta hasësh në Evropë, kujtoj që mund të jetë një parametër i sigurt në drejtim të krijimit të parakushteve për lëkundje të reja sociale, për një shpërthim social. Unë kujtoj që kjo do të vijë. Por, vonesa aktuale një dekadëshe e këtyre problemeve sociale, unë kujtoj që ka qenë si pasojë e ngulfatjes nga politika aktuale dhe qeveritë e pasluftës, të cilat me ato parametrat e tyre lidhur me definimin e statusit politik, në njëfarë mënyre e kanë zhvendosur vëmendjen prej problemeve sociale”, thotë Maloku.

Ndryshe, sinjali i fundit i paknaqësisë sociale në Kosovë ishte protesta e organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, në të cilën ishin ftuar gjithë qytetarët. Zëvendësministri Dedaj, e vlerëson protestën si të drejtë demokratike, por sipas tij, pjesëmarrja e vogël në protestë tregon se qytetarët janë duke e kuptuar situatën në të cilën gjendet Kosova.

“Thirrja për protestë gjithëpopullore dhe marrja pjesë e një numri tepër simbolik dhe tepër të vogël në këto protesta tregon për ndërgjegjen, gatishmërinë dhe pjekurinë qytetarëve të Kosovës për t’i kuptuar këto procese. Dhe unë mendoj se, jemi tepër, tepër, në një fazë shumë serioze dhe shumë të përgjegjshme se çfarëdo rrezikimi dhe çfarëdo destabilizimi i situatës në Kosovë, do të nënkuptonte një fitore për Beogradin dhe mendoj se për këtë janë të vetëdijshëm të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Por, ndryshe mendon sociologu Maloku. Ai thotë se protesta e fundit ishte një provë për shoqërinë kosovare, e cila tregon se ajo nuk është duke funksionuar në të gjitha segmentet e saj relevante.

Sipas tij, kjo provë dëshmoi se sindikata është e përçarë dhe e fragmentarizuar dhe se, siç tha Maloku, ky është një sinjal i keq që tregon se në gjithë këtë ka gisht politika.

Por, e gjithë kjo, thotë zoti Maloku, rrezikon të sjellë pasoja të padëshirueshme, gjë që mund të jetë një bumerang për politikën dhe përfaqësuesit e saj.

“Fragmentarizimi i sindikatës dhe margjinalizimi i saj në periferi, për mendimin tim mund të nxjerr grupe të ndryshme të cilat janë të frustruara dhe mund ta radikalizojnë situatën. Për shkak se Kosova, me këto ekstreme të papunësisë dhe ekstremet e varfërisë së skajshme, kujtoj që shumë lehtë mund ta radikalizoj situatën. Dhe unë nuk do të doja që Kosovën ta presin situata identike çfarë ishin për shembull në vitin 97 në Shqipëri”, thotë Maloku.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG