Ndërlidhjet

Në mbrojtje të Kushtetutës


Mbrojtja e Kushtetutës së Kosovës dhe konsolidimi i vetë Gjykatës Kushtetuese do të jenë disa nga sfidat që gjyqtarët e zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës i shohin që në fillim të punës së tyre.



Gjyqtari Kadri Kyeziu, i cili ka qenë edhe njëri nga hartuesit e Kushtetutës se Kosovës, konsideron se prania e misioneve ndërkombëtare ne Kosovë do ta bëjë të vështirë mbrojtjen ne mënyrën e duhur të kushtetueshmërise se Kosovës.

“Do të jetë bukur e vështirë, duke pasur parasysh një konglomerat të pushteteve të cilat ekzistojnë sot në Kosovë - duke u nisur nga pushteti ynë, pra ai i Kosovës, i Eulexit, pastaj pushteti ushtarak... Kemi gjithashtu problemin e pushtetit serb nëpër enklava dhe me siguri që është gjëja më e ndërlikuar në rajon”, tha Kryeziu.

Ndërsa për gjyqtaren, Gjyljeta Mushkolaj, sfidat në fillimin e punës së Gjykatës Kushtetuese do të jetë vetë konsolidimi i këtij institucioni.

“Mendoj se sfida e parë është konsolidimi i Gjykatës sepse duhet të kompletohet edhe me pjesën tjetër të personelit, që gjithashtu është shumë i rëndësishëm dhe pa të cilin nuk ka mundësi të funksionojë. Megjithatë, unë besoj shumë thellë që asnjë prej misioneve të huaja që janë të vendosura në Kosovë, nuk do të veprojë në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese”,
thotë zonja Mushkolaj.

Gjyqtarja tjetër Iliriana Islami mendon se në raport me bashkëpunimin me misionet ndërkombëtare, do të punohet, siç tha ajo, në realizimin e interesit të përbashkët.

“Të paktën do të punohet, në çdo aspekt, që të realizohet interesi i përgjithshëm, që është vetë vullneti i popullit dhe proceset që duhet të ecin në harmoni me vetë standardet që i përcakton bashkësia ndërkombëtare, qoftë për anëtarësim në BE apo në mekanizmat tjerë. Kështu që kjo do të jetë sfidë dhe interes i përbashkët për të gjithë ne dhe për Gjykatën”, thotë zonja Islami.

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Dhe pikërisht për këtë arsye, gjyqtarja Mushkolaj thotë se Gjykata do të kryej misionin e saj pa marrë parasysh rezistencën e kujtdo qoftë.

“Gjykata Kushtetuese është interpretuesi i fundit i Kushtetutës së Kosovës dhe ajo do ta kryejë funksionin e vet pa marrë parasysh rezistencën e kujtdo”, thotë zonja Mushkolaj.

Gjykata Kushtetuese dhe emërimi i anëtarëve të saj ka qenë një prej sfidave kryesore të ndërtimit të institucioneve që e kanë përcjellë Kosovën që prej shpalljes së pavarësisë së saj.
XS
SM
MD
LG