Ndërlidhjet

logo-print

Politikanë serbë nga veriu i Kosovës konsiderojnë se mungesa e besimit në institucionet e Kosovës bën që komuniteti i tyre të mos jetë i përfshirë në shoqërinë kosovare.



Ndërsa institucionet qendrore të Kosovës, synojnë që përmes zhvillimit ekonomik të integrojnë serbët, këtyre të fundit duket se u mungon besimi në elitën politike shqiptare.

Politikanë nga pjesa veriore dhe qendrore e Kosovës, ku janë më të përqendruar serbët, nuk shohin se ka gatishmëri të vërtetë nga ana e drejtuesve shqiptarë për të integruar komunitetin serb.

“Për mua është shumë me rëndësi që institucionet edhe në nivelin qendror edhe në atë lokal të mos funksionojnë si deri më tash, por, të funksionojnë në bazë të akteve normative dhe të kenë legalitet të plotë dhe transparencë. Nëse i afroheni një zyrtari të institucioneve ai u drejtohet me një gjuhë, që nuk e kuptoni, shpeshherë në mënyrë jokorrekte, vetëm pse është pjesëtar i nje etnie tjeter".

"Fatkeqësisht liderët kosovarë, shumica nga ta, i trajtojnë serbët si pjesë të një shteti, e jo si qenie njerëzore, sikur ne të ishim Serbia, e jo serbët, banorë që kanë jetuar gjithnjë këtu”,
thotë Rada Trajkoviq, nënkryetare e Këshillit Kombëtar Serb, me seli në Gracanicë.

Qeveria e Kosovës pengesë kryesore në integrimin e komunitetit serb e sheh ndikimin e Beogradit zyrtar përmes financimit të strukturave paralele të vendosura në mjediset e banuara me shumicë serbe. Por, politikani serb nga veriu i Mitrovicës Nebojsha Joviq, mendon se institucionet e Kosovës janë duke përdorur një qasje te gabuar.

“Nuk ka vullnet të mirë te pala shqiptare që të punojnë realisht për të përfshirë serbët në jetën politike, në jetën e përditshme. Ne serbët e kemi një problem te madh, sepse politikanët tanë për një kohë të gjatë janë menduar se si t’i bëjnë shqiptarët, që t’i trajtojnë institucionet e Serbisë, si të vetat".

"Mendoj se shqiptarët po e bëjnë të njëjtin gabim tash. Për të rikthyer besimin te të themi institucionet e Kosovës dhe populli shqiptar duhet që këta të fundit të paktën të ofrojnë të gjithë serbëve të përndjekur te kthehen edhe pse është e pamundur që të kthehen të gjithë”,
pohon Joviq.

Në të vërtetë, institucionet e Kosovës vazhdojnë thirrjet drejtuar serbëve që të kthehen dhe integrohen në shoqërinë kosovare. Zëvendësministri i Ekonomisë dhe i Financave Bedri Hamza, thotë se mjete të veçanta janë ndarë për këtë qëllim.

“Qeveria e Kosovës ka ndarë fonde të veçanta për integrimin e pakicave përmes granteve, që iu kanë ndarë komunave, sidomos atyre me minoritete, përmes Ministrisë për Kthim dhe Komunitet, por edhe përmes zyrës së kryeministrit, që e ka një fond, që destinacion ka integrimin e pakicave”, tha Hamza.

Por, Ministria e Kthimit, që është përgjegjësja kryesore për kthim dhe integrim, ka një buxhet të kufizuar prej vetëm 7. 5 milionë eurosh. Ministri Sasha Rashiq thotë se këto mjete janë shumë të pakta në krahasim me kërkesat që vijnë nga komuniteti.

“Aktualisht nuk kemi fonde të mjaftueshme, sesa kemi kërkesa për ndihmë dhe për mbështetje të komuniteteve. Ministria për Kthim dhe Komunitete u përgjigjet këtyre kërkesave me kapacitet të kufizuar. Por, kjo nuk është e mjaftueshme”, shprehet Rashiq.

Komuniteti serb në masë të madhe bën një jetë paralele në Kosovë. Qeveria e Serbisë, që nga 1999 ka investuar shuma të mëdha parash në mbajtjen gjallë të strukturave paralele serbe. Edhe sot, thuhet se investimi më i madh në veriun e Kosovës, por edhe në enklavat e banuara me serbë është ai i Beogradit e jo i Prishtinës.

Sasha Rashiq, një nga serbët e paktë që i është bashkuar institucioneve të Kosovës beson në integrimin e plotë të komunitetit serb. Ai thotë se nuk mund te ketë rrugë tjetër.

“Qeveria e Kosovës ka plane konkrete që ta ketë një shoqëri të integruar sepse nëse flasim për një integrim evropian, para kësaj duhet ta kemi një shoqëri kosovare të integruar”, shprehet Rashiq.

Por, në anën tjetër, Nebojsha Joviq, thotë se besimi në institucionet e Kosoëvs është i vogël. Shkas për këtë sipas tij, ndër të tjera janë bërë edhe disa procese gjyqësore, që ai i quan të padrejta. Sidoqoftë, Joviq, është i vetëdijshëm se një situatë e tillë nuk mund të zgjasë përgjithmonë.

“Nuk mundemi për kohë të gjatë, që të jetojmë larg njëri- tjetrit, do të ishte mirë, që sa më shpejt të kthehet ky besim”, thotë Joviq.

Rada Trajkoviq ndërkohë, u bën thirrje serbëve, që të paktën të mos sjellin veten dhe të tjerët në atë pozicion që në mjediset ku jetojnë ta ndjejnë veten të huaj.

“Thelbi i çështjes është që kjo hapësirë mos të huajësohet nga ne, mos të bëhet e huaj, jo për aryse pse dikush ka shpallur status te ri”, shprehet Trajkoviq.

Sidoqoftë, serbët që nuk janë pjesë e institucioneve, thonë se nuk ka ofertë konkrete nga Prishtina zyrtare, për integrimin e gjithë komunitetit serb në shoqërinë kosovare. Ndërsa, serbët që janë pjesë e jetës politike në Prishtinë, thonë se projekte ka, por nuk ka fonde të mjaftueshme.

Megjithatë, njohës të rrethanave thonë se për shkak të armiqësive në një të kaluar të afërt, do të shkojë mbase edhe një dekadë, deri sa shqiptarët dhe serbët të arrijnë pajtim të njëmendtë.
XS
SM
MD
LG