Ndërlidhjet

Zyrtarë të FSK-së thonë se deri më tash 7 për qind e kandidatëve kanë braktisur këtë forcë, për shkak të sic thuhet kritereve të rënda të aplikuara gjatë stërvitjeve.





Shtatë për qind nga 1400 pjesëtarë të TMK-së, që janë zgjedhur për t’iu bashkuar Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë braktisur këtë forcë. Kriteret e ashpra të trajnimit, i cili udhëhiqet nga ekspertë të NATO-s, kanë bërë që këta pjesëtarë të dorëzohen.

Zëdhënësi i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ibrahim Shala pohon se ky numër është në kuadër të normave të lejuara.

“Ka raste të tilla, po ato janë në kuadër të përqindjeve të tolerueshme që ndodhe edhe tek ushtritë e NATO-s, sepse në fazen fillestare nuk mund ta ndjekin kursin dhe tempon e trajnimeve. Do të thotë është në kuader të perqindjes normale. Përqindja normale mund të jete 5-7”, tha Shala.

Ndërkohë, tre muaj pas fillimit të trajnimit, Shala konsideron se është arritur sukses në përgatitjen e kuadrove për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Rezultati i trajnimeve të para veç ka filluar të ndjehet në strukturat e FSK-së. Disa oficerë, disa gjenerata, që kane përfunduar trajnimet e tyre bazike, ata janë shpërndarë në kazermat e ndryshme të FSK-së, ku janë duke kryer detyrat. Dhe një prej gjeneratave, që është vetëm në veprim është gjenerata e instruktorëve të parë të certifikuar që kanë kryer këto ushtrime bazë dhe që sot janë duke punuar me gjeneratën e parë të rekrutëve” tha Shala.

Nga ana tjetër, eksperti për çështje ushtarake, Ramadan Qehaja, konsideron se me gjithë trajnimet e përfunduar dhe rekrutimet e tjera që janë duke u bere, sic shprehet ai, Forca e Sigurisë së Kosovës është e vonuar në operacionalizimin e saj.

“Sa i përket formimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jemi në një vonesë një vjeçare. Kur i analizojmë gjërat dhe shohim se ne cfarë stadi jemi në momentin aktual unë do të thoja, që ka shumë dobësi të cilat vërehen duke filluar nga MFSK-se e cila ende nuk është formësuar a ekziston që 7- 8 muaj. D.m.th ka problem të brendshme shumë”, tha Qehaja.

FSK do të nisë së vepruari me kapacitete fillestare në shtator të këtij viti. Ibrahim Shala shpjegon:

“Sektorët e kësaj force sipas planifikimit për ngritjen e kapaciteteve të FSK-se pritet të bëhen diku ne muajin shtator, që FSK-ja të ketë efektivet e para të gatshme për veprim”, tha Shala.

Siç dihet mision i Forcës së Sigurisë së Kosovës është, që të marrë pjesë në operacione për reagim ndaj krizave në Kosovë dhe jashtë saj, operacione të mbrojtjes civile në Kosovë dhe t'i ndihmojë autoritetet civile.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG