Ndërlidhjet

Në Kosovë ka një konsensus të gjerë që zgjedhjet e ardhshme komunale të mbahen në vjeshtën e këtij viti. Por, dallimet aktualisht qëndrojnë tek data e zgjedhjeve. Me qëllim të caktimit të kësaj date, presidenti Fatmir Sejdiu ka nisur konsultimet me të gjitha partitë politike.

Pas takimit, presidenti Sejdiu tha se aktualisht nuk ka një datë të caktuar, përveç akordimit se zgjedhjet duhet të mbahen në vjeshtën e këtij viti. Ai tha se shumë shpejt do ti thërras në takime të ndara të gjitha partitë politike veç e veç dhe më pas do të propozoj datën përfundimtare.

“Ka disa prej partive që e japin idenë e tetorit. Ndoshta ide që duhet përpunuar ende. Ka të tjera që nuk insistuan për një datë konkrete. Unë nuk kam datë, por unë do ti vazhdoj konsultat e veçanta me secilën parti politike gjatë ditëve në vijim. Pak tre-katër ditë mund të jenë afat i konsultave të tyre të brendshme për të marrë qëndrimet e tyre në kuadër të partive dhe për të shprehur qëndrimin. Pas konsultave të veçanta me secilën prej tyre do ta kemi edhe një konsultë të përbashkët, finale, e cila do të pasoj pas këtyre bisedimeve dhe natyrisht në fund të marrë vendimin se cila do të jetë data më e përshtatshme për zgjedhje”, tha Sejdiu.

Ndërkohë, partitë pjesëmarrëse në këtë takim thanë se ka një disponim të përgjithshëm që zgjedhjet të mbahen në afatin ligjor. Përfaqësuesi i AAK-së në këtë takim, Burim Ramadani tha se shqetësimet e opozitës kishin të bënin edhe me disa probleme që sipas tij, kishin karakterizuar përgatitjen e zgjedhjeve.

Ai përmendi zhvillimet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe mos-emërimin e Kryeshefit të Sekretariatit të KQZ-së. Mirëpo, si tha Ramadani, presidenti ka premtuar se këto probleme do të zgjidhen brenda ditëve në vijim paralelisht me caktimin e datës së zgjedhjeve. Ramadani tha se preferonte që zgjedhjet të mbahen në tetor, për shkak të motit më të mirë sesa muajin nëntor i cili përmendet më shumë nga partitë në pushtet.

“AAK-ja ka prezantuar datën 25 tetor. Është e diela e fundit e tetorit dhe arsyet kryesisht kanë të bëjnë me motin më të mirë që mund të jetë në tetor sesa në nëntor. Me mundësinë që në disa komuna të ketë balotazh dhe ato atëherë do të zhvilloheshin në nëntor, përndryshe do të ishte shumë vonë si dhe me dëshirën më të madhe që të ketë masivitet më të madh të pjesëmarrjes në zgjedhje”, theksoi Ramadani.

Në takimin e sotëm kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të disa partive politike serbe dhe komuniteteve tjera. Sidoqoftë, mbeten edhe disa parti serbë që sërish nuk shprehin ndonjë interesim për pjesëmarrje në zgjedhje. Por, presidenti Sejdiu u bëri ftesë si subjekteve politike ashtu edhe votuesve serbë që të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe rrjedhimisht edhe të marrin përgjegjësi për mbrojtjen e interesave të komunitetit.

“Unë shfrytëzoj edhe këtë moment që tu adresohem qytetareve serb të Republikës së Kosovës që të marrin pjesë në procesin zgjedhor që do të organizohet. Të jenë partnerë dhe akterë të përbashkët në ndërtimin e jetës dhe demokracisë në Kosovë. Të jenë koshient përgjegjësive si qytetarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre që do të bëjnë punë për të realizuar interesat e çdo qytetari, për jetë më të mirë të tyre”, deklaroi Sejdiu.

Ndërsa zgjedhjet e ardhshme lokale, parashihet të mbahen në fund të këtij viti dhe do të jenë të parat në Kosovën e pavarur, zgjedhjet parlamentare janë paralajmëruar për fundin e vitit 2011.

Vendimi që zgjedhjet parlamentare të mos mbahen sivjet është marrë nga presidenti. Por, me kërkesë të një pjese të opozitës pritet që mendimin e vet n lidhje me këtë vendim të presidentit Sejdiu, ta japë edhe Gjykata Kushtetuese e cila tashmë është në konstituim e sipër.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG