Ndërlidhjet

“Duan tetorin”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
E përditshmja “Express” thekson se nënpresidenti amerikan, Xhozef Bajden, mbahet mend për shumë më tepër sesa fjalimet e tij, mbahet mend për qëndrimin e tij dhe shpesh fjalët e tij mbeten tek njerëzit e Kosovës shumë më gjatë, sesa dëshira e tij për të shënuar arritje politike amerikane.

Në këtë kuptim, gazeta thekson se ndoshta komunikuesi dhe njeriu më i fuqishëm për Kosovën dhe popullin e saj që ka shkelur në Kosovë, pas Bill Klintonit, është zoti Bajden.

Më tutje, gazeta thekson se Bajden, i vendosur për drejtësi, vjen në Ballkan për t’ua dhënë mundësinë dhe shpresën të gjithëve që ta shohin të drejtën, duke lënë të kuptohet se vjen për të bërë gjithçka që mund të arrijë dhe të ushqejë një paqe të drejtë për të gjithë.

E përditshmja “Express” thekson se Bajden është për kosovarët njeriu që njeh entuziazmin e madh, përkushtimin e madh, i cili nuk ka hezituar ta shpenzojë veten në një kauzë me vlerë, i cili ka rrezikuar se nëse dështon në atë që thotë dhe bën për shqiptarët, të paktën dështon duke guxuar fuqishëm dhe duke mbrojtur të drejtën nga e keqja e domosdoshme.

Por, siç nënvizon gazeta, aftësia e tij me gjuhën, ashtu si edhe qëndrimet e tij, ishte sigurisht pjesë e suksesit të tij të jashtëzakonshëm me popullin amerikan, sepse ai për Ballkanin dhe Kosovën ka përmbledhur çështje të mëdha në fjali të thjeshta, duke komunikuar me shqiptarët në Amerikë dhe në Kosovë në një mënyrë të pazakonshme.

Ai u bë hero për të shtypurit dhe të varfrit përtej kufijve të botës amerikane, shkruan midis tjerash e përditshmja “Express”.

Konsultimet për zgjedhjet lokale - Duke vënë në pah nevojën e garantimit të stabilitetit zgjedhor dhe një konsensusi politik pikërisht për këtë çështje, e përditshmja “Kosova sot” thekson se subjektet politike, disa prej të cilave tashmë janë në fushatë elektorale, duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët për t’i paraprirë një procesi të qetë, demokratik dhe transparent zgjedhor.

Në këtë kontekst, gazeta thekson se pikërisht në këtë fazë, si asnjëherë tjetër, do të provohet lidershipi i presidentit Fatmir Sejdiu.

E përditshmja “Kosova sot” ka vënë në dukje se ai nuk përfaqëson vetëm datën e zgjedhjeve, por çdo gjë që ndërlidhet me këtë proces, përfshirë edhe unitetin e popullit dhe unifikimin e politikës për zgjedhjet.

Nëse presidenti ia arrin qëllimit t’i ulë udhëheqësit kosovarë në një tryezë dhe të sigurojë konsensusin e tyre për zgjedhjet e radhës, atëherë, siç thekson gazeta, ai do të fitojë një betejë të fortë; në të kundërtën, nëse këtij procesi i qaset me mëdyshje, hezitim, dyshime dhe akuza, atëherë hapet një kapitull i ri i pasigurisë kosovare në funksionalizimin e shtetit, thekson midis tjerash në këtë temë e përditshmja “Kosova sot”.

Ndërkaq, një shkrim tek “Koha ditore” ka për fokus mandatet e pranisë ndërkombëtare në Kosovë, të cilat, sipas gazetës, po i thellojnë ndasitë mes komuniteteve.

Gazeta ka vënë në dukje se ndasitë ekzistuese ndërmjet shumicës shqiptare dhe pakicës serbe në Kosovë gradualisht po formalizohen edhe nga misionet ndërkombëtare, të cilat, siç nënvizon gazeta, po e vazhdojnë praninë me ushtrimin e mandateve të ndryshme dhe kontradiktore.

Gazeta thekson se zhvillimet në terren vërtetojnë se roli mbikëqyrës i Zyrës Civile Ndërkombëtare është funksionalizuar vetëm në vendbanimet joserbe, ndërkohë që UNMIK-u mbetet bashkëbisedues më i përshtatshëm për komunitetin serb.
XS
SM
MD
LG