Ndërlidhjet

Shtypi botëror e ka cilësuar vizitën e nënpresidentit të Shteteve të Bashkuara, Xhozef Bajden, në Ballkan si përpjekje për të tejkaluar kundërshtimin që ndjejnë nacionalistët serbë në raport me njohjen e kufijve të rinj në rajon.



“Financial Times” dhe “National Journal”


Nën presidencën e Xhorxh Bushit, Shtetet e Bashkuara e lanë diplomacinë e Ballkanit në duart e Brukselit, i cili ka ndjekur një linjë më të butë mbi integrimin, duke ofruar mundësinë e anëtarësimit në Bashkimin Evropian nëse palët kundërshtuese zgjidhin mospajtimet që kanë, shkruan FT.

Washingtoni tani e sheh Marrëveshjen e Daytonit të vitit 1995 si një zgjidhje të shpejtë, e cila ka dhënë shumë për serbët, për të arritur deri tek fundi i luftës në Bosnjë, që mori më shumë se 100 mijë jetë.

Në Serbi, zoti Bajden do të takohet me udhëheqësit atje, për t’i ftuar liderët pro-evropianë që t’i japin fund mbështetjes që ofrojnë për nacionalistët serbë në shtetet fqinje, shkruan gazeta.

Ndërkaq, në Kosovë - shtetin që shpalli pavarësinë nga Serbia vitin e kaluar, ai do të nënvizojë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për një demokraci shumëkombëshe, shkruan “Financial Times”.

E përjavshmja “National Journal” shkruan se nuk ka asnjë dyshim se Xho Bajden trajtohet seriozisht në Ballkan.

Megjithatë, dallimet në qëndrime midis Washingtonit dhe Beogradit në raport me Kosovën nuk do të mund të zgjidhen me një vizitë dhe Kosova e Bosnja, posaçërisht Bosnja, janë kërcënime reale mbi stabilitetin e gjithë rajonit, shkruan gazeta.

Turneu i zotit Bajden është një fillim megjithatë dhe mbase një sinjal që dëshmon për një përfshirje më të gjerë amerikane pas një dhjetëvjetëshi, gjatë të cilit evropianët është dashur të kenë rolin udhëheqës.

Gjatë qëndrimit të Bajdenit në Beograd, mesazhi i tij për Bosnjën padyshim që do të jetë më i pranueshëm se ai që do të japë për Kosovën, shkruan gazeta, për të shtuar se kjo ndodh për faktin se Serbia, e veçanërisht qeveria aktuale e Boris Tadiqit, i mban serbët e Bosnjës në distancë, për dallim nga Kosova, ku i mban serbët në duart e veta, shkruan “National Journal”.

Vizita e Bajdenit në Prishtinë do të shërbejë padyshim si një rikujtim për Beogradin se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i braktisin shqiptarët e Kosovës, të cilët përbëjnë 90 për qind të popullatës.

Megjithatë, përgjatë kësaj rruge, e ardhmja e Kosovës duhet të zgjidhet dhe kjo nuk do të jetë e lehtë. Deri më tash, 58 vende e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por serbët janë fuqimisht të lidhur me ndjenjën kombëtare për Kosovën.

Do të ishte mbase më së miri për administratën e Obamas të shpresojë që t’i zbusë problemet në ish-Jugosllavi dhe jo t’i zgjidhë ato. Dhe, duke marrë parasysh historinë e moszbutjes së problemeve në Ballkan, kjo më vete do të ishte një arritje, shkruan në fund “National Journal”.
XS
SM
MD
LG