Ndërlidhjet

logo-print

Rinegocimi për decentralizim - i pamundur


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Decentralizimi është një nga komponentët kryesorë të pakos së Ahtisaarit. Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës thonë se për ta decentralizimi është shumë i rëndësishëm, por jo në formën që është propozuar nga Ahtisaari. Zyrtarët kosovarë, nga ana tjetër, hedhin poshtë çfarëdo rinegocimi për çështje të decentralizimit.


Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, së fundi, kanë hedhur idenë se çështja e decentralizimit duhet të rinegociohet sërish. Por, zyrtarë të institucioneve të Kosovës thonë se kërkesat e serbëve për rinegocim të procesit të decentralizimit janë të pamundura.

Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, pohon se Pakoja e Ahtisaarit është një vendim përfundimtar dhe nuk mund të ketë bisedime të tjera për decentralizim.

“Në përgjithësi, Pakoja e Ahtisaarit është një vendim përfundimtar dhe institucionet e Kosovës kanë marrë vendim për ta implementuar të tillë. Ka palë të ndryshme që kanë shikime të ndryshme e komente të ndryshme dhe pikërisht aty është rreziku. Çdo hapje e Pakos së Ahtisaarit është vite të humbura”.

“Përveç asaj, unë nuk besoj që mund t’i shtohet më kualitet Pakos së Ahtisaarit, duke i ditur ambiciet e vazhdueshme të Beogradit që asnjëherë nuk ka për qëllim kualitetin e jetës së serbëve dhe të drejtat e tyre, por ka për qëllim të krijojë pengesa për funksionalizimin e shoqërisë kosovare. Qëndrimi im është që Pakoja e Ahtisaarit duhet të implementohet e tëra si është në gjithë territorin e Kosovës”,
tha ministri Ferati.

Ngjashëm mendon edhe analisti politik, Ramush Tahiri. Ai thotë se procesi i decentralizimit është rezultat i bisedimeve ndërkombëtare dhe, sipas tij, nuk mund të ketë bisedime të tjera të këtij niveli. Në nivel lokal, siç thotë ai, bisedime shqiptaro-serbe duhet të ketë.
Nëse përfaqësuesit serbë mendojnë se i gjithë procesi mund të rinegociohet edhe Pakoja e Ahtisaarit mund të rinegociohet - kjo është e pamundur.

“Në institucionet e Kosovës mund të bisedohet për modalitete. Mirëpo, decentralizimi është rezultat i bisedimeve të Vjenës dhe i bisedimeve ndërkombëtare. Nëse përfaqësuesit serbë mendojnë se i gjithë procesi mund të rinegociohet edhe Pakoja e Ahtisaarit mund të rinegociohet - kjo është e pamundur, sepse duhet palët për bisedime të përcaktohen dhe duhet të jetë intermediatori ndërkombëtar”.

“Nuk është që Kosova humb nga ky proces apo fiton nga ky proces, mirëpo duket se lojë e keqe e Ivanoviqit është që të vihet në pikëpyetje Pakoja e Ahtisaarit, duke ditur që nga kjo pako buron edhe pavarësia e Kosovës”,
tha Tahiri.

Në anën tjetër, ministri Ferati deklaratat e zyrtarëve të Serbisë për këtë çështje i sheh si një krizë e politikës së Beogradit.

“Unë e kuptoj si një krizë të politikës së Beogradit që nuk dëshiron ta pranojë edhe realitetin, edhe zgjidhjen e mirë që po u ofrohet serbëve, ngase akoma nuk e ka guximin që ajo vetë qytetarëve të Serbisë t’ua shpjegojë se cili është realiteti, edhe pse të gjitha sondazhet tregojnë se edhe vetë qytetarët e Serbisë janë lodhur nga ky pozicion i Beogradit dhe atë që e besojnë brenda vetes, nuk janë në gjendje ta thonë”, u shpreh Ferati.

Pakoja e ish-negociatorit ndërkombëtar, Martti Ahtisaari, është refuzuar nga serbët. Por, serbët kanë thënë se decentralizimi, që parashihet me pakon, është çështje shumë e rëndësishme për ta.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG