Ndërlidhjet

Procedura e dekretimit të gjykatësve


Për shkak të mosemërimit të anëtareve ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese, është shtyrë dekretimi i 6 gjyqtarëve vendës. ICO thotë se emërimi i 3 gjyqtarëve ndërkombëtarë do të bëhet para fundit të muajit qershor.


Gjashtë anëtarët vendës të Gjykatës Kushtetuese nuk kanë dhënë betimin, i paraparë të mbahej të martën. Kabineti i presidentit ka vendosur që ceremonia e betimit të shtyhet, derisa të emërohen edhe 3 anëtarët ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që zyrtarizimi i tyre të bëhet në një ceremoni të përbashkët.

Edhe pse në njoftimin e Presidencës thuhet se kjo ceremoni do të organizohet pas disa ditësh, Zyra Civile Ndërkombëtare lë të kuptohet se bëhet fjalë për javë dhe jo ditë.

“Duam të lëvizim sa më shpejt që të jetë e mundur dhe varet nga procesi. Me siguri se kjo çështje do të kryhet para verës, para fundit të qershorit”, i tha Radios Evropa e Lirë, zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Andy McGuffie.

Tre gjykatësit ndërkombëtarë i emëron Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Kosovë në konsultim me kryetarin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. McGuffie thotë se procesi nuk ka arritur ende as në fazën e intervistimit të kandidatëve.

Andy McGuffie
“Presidenti i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e jep listën e ngushtë dhe nga ajo listë, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar bën emërimin. Aktualisht, janë duke u zhvilluar konsultime me gjykatën. Po dëgjojmë pikëpamjet e tyre. Ende nuk kemi arritur në fazën e intervistimit”,
shprehet McGuffie.


Ndryshe nga kandidatët vendës, emrat e të cilëve diheshin që në kohën e selektimit fillestar, ICO nuk ka bërë të ditur emrat e kandidatëve ndërkombëtarë. Organizata joqeveritare “Fol ‘08” ka kritikuar Zyrën Civile Ndërkombëtare për jotransparencë rreth përzgjedhjes së tre anëtarëve ndërkombëtarë të kësaj gjykate.

Por, kritika ka pasur edhe në përzgjedhjen e anëtarëve vendës të Gjykatës Kushtetuese. Eksperti për çështje penale, Ismet Salihu, thotë se ende pa filluar punën gjykata, është shkelur Kushtetuta.
Mënyra se si janë emëruar këta gjyqtarë, nuk është e mirë, nuk është në rregull, sepse doli hapur se dy partitë në pushtet i kanë zgjedhur njerëzit e vet, pa kundër-kandidatë...

“Mënyra se si janë emëruar këta gjyqtarë, nuk është e mirë, nuk është në rregull, sepse doli hapur se dy partitë në pushtet i kanë zgjedhur njerëzit e vet, pa kundër-kandidatë, i kanë çuar, i kanë votuar dhe që të mos problematizohet shumë kjo punë, i kanë dhënë një mundësi AAK-së që edhe ata ta propozojnë një njeri të tyre. Kështu që kjo prej stafit të gjyqtarëve është shumë e politizuar”, tha Salihu.

Salihu nuk është optimist as mbi përzgjedhjen e gjykatësve ndërkombëtarë.

“Këta gjyqtarë ndërkombëtarë vijnë rishtas, nuk e njohin legjislacionin e Kosovës, as Kushtetutën, e as rrethanat. Dhe, nëse ia ndërlidh rrethanat tjera, pak premton që kjo mënyrë e zgjedhjes, e emërimit, do të ndihmojë në respektimin e ligjit e Kushtetutës në përgjithësi në Kosovë dhe, sipas të gjitha gjasave, fati i kësaj Gjykate Kushtetuese do të jetë i njëjtë me gjykatat e tanishme”, tha Salihu.

Ndërkohë, disa nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë deklaruar tashmë se do të mbrojnë Kushtetutën, pa marrë parasysh presionet eventuale që mund t’u vijnë nga politika. Por, edhe janë pranuar sfidat.

Do të jetë bukur e vështirë, duke pasur parasysh një konglomerat të pushteteve, të cilat ekzistojnë sot në Kosovë - duke u nisur nga pushteti ynë, pra ai i Kosovës, i EULEX-it, pastaj pushteti ushtarak... Kemi gjithashtu problemin e pushtetit serb nëpër enklava dhe me siguri që është gjëja më e ndërlikuar në rajon”, ka thënë anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu.


Bëhet ekstradimi i parë i një kosovari nga autoritetet zvicerane

Me kërkesë të Qeverisë së Kosovës dhe EULEX-it, Zvicra ka ekstraduar një kosovar tek autoritetet e Kosovës. Lajmi është kumtuar nga ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi.

I ekstraduari dyshohet se ka kryer një vepër penale – vrasje të një qytetari kosovar. Pas kthimit në Kosovë, ai do të gjykohet në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, ka thënë ministrja Kelmendi.

Ky është rasti i parë që Kosova si shtet shfrytëzon të drejtën e ekstradimit, marrë parasysh se në të kaluarën kërkesa kryesisht është bërë nga autoritetet e Serbisë. Ministrja Kelmendi tha se autoritetet e Zvicrës i janë përgjigjur shumë shpejt kërkesës për ekstradim.

Nekibe Kelmendi
“Kemi bërë ekstradimin e parë si Ministri e Drejtësisë, ekstradimin e parë të një shtetasi kosovar nga Federata Zvicerane në Kosovë. Ekstradimi është bërë në bazë të fletarrestimit ndërkombëtar, të lëshuar nga Gjykata e Qarkut në Mitrovicë, për dyshimin se ka bërë vepër penale në vitin 1995, vepër penale të vrasjes, të kryer ndaj një shtetasi gjithashtu kosovar”,
tha Kelmendi.

Ministrja Kelmendi tha se aktualisht Kosova kërkon edhe ekstradimin e dy ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët, me kërkesë të Serbisë, janë kapur nga autoritetet e Austrisë dhe Maqedonisë, që të dërgohen në Serbi. Kelmendi tha se do të punohet që edhe këta dy qytetarë të ekstradohen në Kosovë.

Behxhet Shala, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, me seli në Prishtinë, thotë se ekstradimi i parë paraqet një hap pozitiv për shtetin e Kosovës. Por, ai sheh probleme kur është në pyetje ekstradimi i atyre kosovarëve që dyshohen të jenë involvuar në vepra që marrin karakterin politik apo etnik.

Në këto raste, ai thotë se rolin vendimtar ende mund ta luajnë autoritetet e EULEX-it dhe jo Qeveria e Kosovës.

“Mendoj që rastet që kanë të bëjnë me një kriminalitet, ta quaj jopolitik, një kriminalitet që nuk është i lidhur me krimet e luftës, mund të kenë rast që të ekstradohen në Kosovë. Mirëpo, rastet tjera, mendoj që është një procedurë më e komplikuar dhe do të nevojitet kohë derisa partnerë, të cilët bashkëpunojnë me Kosovën, t’i kthejnë në Kosovë”, tha Shala.

Ndryshe, KMDLNJ e vlerëson shumë pozitivisht fillimin e ekstradimeve, ndërkaq pret që roli i shtetit të Kosovës në këtë fushë të rritet me rritjen e numrit të njohjeve të Kosovës së pavarur.
XS
SM
MD
LG