Ndërlidhjet

logo-print

Maqedonia përparon në liberalizimin e vizave me BE-në


Komisioni Evropian ka mendim pozitiv për përparimin që ka bërë Maqedonia në procesin e liberalizimit të vizave, ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup, me rastin e publikimit të raportit të komisionit, i cili tani do të shqyrtohet nga shtetet anëtare të Unionit.


Maqedonia ka bërë më së shumti nga shtetet e rajonit në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave. Kështu ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme, duke u thirrur në raportin e fundit të Komisionit Evropian lidhur me heqjen e regjimit të vizave, por Ministria e Jashtme thotë se ende nuk është sjellë asnjë vendim, pasi që, siç thuhet, duhet kohë për vlerësime dhe marrjen e vendimeve.

Në fakt, raporti i komisionit do të shqyrtohet veçmas nga shtetet anëtare të Unionit që më pas të dilet me një propozim-vendim, i cili duhet të shqyrtohet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, ndërsa vendimi duhet të miratohet nga Parlamenti dhe të ratifikohet nga Komisioni Evropian.

Në Ministrinë e Jashtme janë të bindur se Maqedonia ka përmbushur pjesën më të madhe të kritereve, ndërsa kanë mbetur edhe disa detaje, të cilat, sipas saj, do të realizohen me kohë.

Ndërkohë, duke komentuar procesin e liberalizimit të vizave, ish-shefi i diplomacisë, Denko Maleski, thotë se Maqedonia ka bërë gjithçka që të fitojë liberalizimin e vizave, por, sipas tij, tani institucionet duhet të kenë kujdes të veçantë në sjelljen e tyre.

”Me siguri se kemi bërë gjithçka që nevojitet, por mendoj se liberalizimin e vizave do ta fitojmë jo vetëm ne, por edhe shtetet tjera të rajonit, pasi nuk do të mund të lëvizim shpejt drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, tha Maleski.

Analisti Albert Musliu thotë se Maqedonia nuk duhet t’i përsërisë gabimet nga e kaluara, por të përkushtohet në mbajtjen e kursit, pasi çdo lëshim, sipas tij, mund ta kthejë prapa vendin.

“Liberalizimi i vizave është çështje teknike, e cila është dashur shumë më herët të absolvohet dhe sigurisht kjo nuk është bërë për shkak të gabimeve tona dhe mungesat që i kemi ne si shtet”, tha zoti Musliu, duke shtuar se prioritet për vendin duhet të mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian, andaj edhe vëmendja, sipas tij, duhet përqendruar në kapërcimin e të gjitha pengesave, kurse liberalizimi eventual i regjimit të vizave të mos proklamohet si e arritura më e madhe e mundshme.

“Të tërhiqet vëmendja e qytetarëve prej proceseve euro-integruese dhe të përqendrohet vetëm në liberalizimin e vizave - është gabim shumë i madh. Liberalizimi i vizave nuk nënkupton edhe anëtarësim në Bashkimin Evropian, pasi ka plot shtete që janë në listën e bardhë të Shengenit, por as që bëjnë përpjekje të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Besoj se edhe nëse na hiqen vizat, mendoj se kjo nuk do të ndodhë para vitit 2010”, tha analisti politik, Albert Musliu.

Sidoqoftë, liberalizimi i regjimit të vizave mbetet edhe prioritet i pjesës dërrmuese të qytetarëve të Maqedonisë dhe këtë e dëshmojnë edhe të gjitha anketat e realizuara nga agjenci të ndryshme, sipas të cilave, heqja e regjimit të vizave pëlqehet në radhë të parë për arsye ekonomike.
XS
SM
MD
LG