Ndërlidhjet

Bajden: Pavarësia e Kosovës e pakthyeshme


Nënpresidenti amerikan, Xho Bajden, gjatë fjalimit në Parlamentin e Bosnjë e Hercegovinës, 19 maj '09.

Nënpresidenti amerikan, Xho Bajden, gjatë fjalimit në Parlamentin e Bosnjë e Hercegovinës, 19 maj '09.

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xho Bajden, tha se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se ka rëndësi kritike për stabilitetin e rajonit.


Bajden i bëri këto deklarata në fjalimin që e mbajti në Parlamentin e Bosnjë e Hercegovinës, ku e filloi turneun treditor në Ballkan.

“Kosova, së fundi, e festoi njëvjetorin e pavarësisë dhe vazhdon të bëjë përparim si demokraci shumetnike. Pavarësia, edhe pse e re, është e pakthyeshme dhe ka rëndësi kritike për stabilitetin dhe përparimin e rajonit”, tha nënpresidenti amerikan.

Ai gjithashtu tha se Shtetet e Bashkuara duan që të ndërtojnë marrëdhënie të reja me Serbinë.

“Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të ndërtojnë marrëdhënie të reja e të shëndosha me Serbinë. Nuk është sekret për askënd se unë personalisht si senator, kam qenë shumë kritik në këto vitet e fundit. Por, ne duam të ndërtojmë raporte të reja pozitive me Serbinë”, tha Bajden.

“Ne nuk presim që Serbia, së shpejti të njohë Kosovën. Por, presim që Beogradi të bashkëpunojë me Bashkimin Evropian dhe aktorët tjerë kyçë ndërkombëtarë në Kosovë, dhe të shohë për zgjidhje pragmatike, që do të përmirësonin jetët e njerëzve atje, të shqiptarëve dhe të serbëve, dhe të mos i bëjë viktima të mospajtimeve politike”.

Nënpresidenti Bajden gjithashtu i tha Parlamentit të Bosnjë e Hercegovinës se Uashingtoni e mbështet integrimin evropian të Bosnjës si shtet i përbashkët.

“Administrata Obama-Bajden do të mbështesë dhe riforcojë përkushtimin afatgjatë amerikan për Evropën si e tërë, e lirë dhe në paqe, ku do të përfshiheni edhe ju”, tha nënpresidenti Bajden.

“Rruga e vetme e drejtë, nga pikëpamja e administratës sonë, është që të sigurohet një e ardhme prosperuese për këtë vend, që t’i bashkëngjitet Evropës si Bosnjë e Hercegovinë. Për momentin, ju jeni jashtë asaj rruge. Për t’u kthyer prapë në të, ju duhet të punoni bashkë përgjatë vijave etnike dhe partiake, në mënyrë që vendi juaj të funksionojë si shtet i vërtetë”, tha Bajden.

Të mërkurën, nënpresidenti amerikan, Xho Bajden, viziton Serbinë, ndërsa të enjten Kosovën.

Nënpresidenti amerikan, Xho Bajden, gjatë vizitës në Kosovë do të takohet me autoritetet qendrore dhe do të mbajë një fjalim në Kuvendin e Kosovës. Ai pritet të vizitojë dhe Manastirin e Deçanit.

Vizita e nënpresidentit Bajden në Kosovë do të përfundojë më 22 maj.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG