Ndërlidhjet

“Ballkani kthehet në prioritet të madh”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

Vizita e nënpresidentit amerikan, Xhozef Bajden, në Ballkan, veçmas qëndrimi i tij në Kosovë, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së gazetave në Prishtinë. Në këtë ecuri, e përditshmja “Kosova sot” është fokusuar në raportet e SHBA-ve më Serbinë, për shkak të Kosovës, të cilat, sipas gazetës, ende janë të ftohura, ndonëse vullneti politik i Uashingtonit ka qenë gjithnjë në mbështetje të rajonit në përgjithësi.

Në këtë kuptim, gazeta thekson se vizita e nënpresidentit amerikan, Xhozef Bajden, në Serbi mund të ndezë një dritë shprese për t’i dhënë fund frymës konfliktuale që nxitet nga politika serbe ende me tone shoviniste.

Gazeta thekson se porosia e Bajdenit mund të paramendohet fare mirë se si do të jetë, të pranohet realiteti i ri dhe të shikohet përpara.

Ndryshe, siç ka vënë në dukje e përditshmja “Kosova sot”, qëndrimi i zotit Bajden në Serbi është një porosi e qartë për të gjithë - demokraci, paqe dhe marrëdhënie të mira rajonale.

Gazeta thekson, midis tjerash, nevojën e vizitës së nënpresidentit amerikan në rajon, për shkak se në Bosnjë e Hercegovinë, por dhe në Kosovë, destabilizimi është gjithnjë e më i mundshëm dhe se në të dyja rastet serbët janë protagonistët kryesorë dhe instrumentalizimi nga Beogradi është i fuqishëm.

Raporti i fundit i paralajmërimit të hershëm i UNDP-së për Kosovën - Duke vlerësuar këtë raport, e përditshmja “Zëri” thekson se fjala është për të dhëna, të cilat meritojnë të klasifikohen si tej mase shqetësuese, në mos edhe alarmante, veçmas kur bëhet fjalë për preokupimet kryesore të qytetarëve mesatarë.

Gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale në Kosovë, gazeta e cilëson si një “bombë sociale”, duke vënë në pah se nuk ka fare shenja optimiste të rimëkëmbjes ekonomike, ndërkohë që autoritetet e tanishme të Kosovës, së paku publikisht, nuk kanë treguar që janë të vetëdijshme për përmasat e problemeve të mëdha politike dhe sociale, të cilat, sipas gazetës, mund të shpërthejnë si pasojë e një pakënaqësie kaq evidente, bazuar gjithnjë në statistikat e raportit të paralajmërimit të hershëm të UNDP-së.

E përditshmja “Zëri” ka vënë në dukje se kombinimi midis kësaj shkalle të pakënaqësisë me gjendjen ekonomike dhe sociale, dhe problemeve të ditura politike dhe të sigurisë, do të mund të sjellë telashe të mëdha për autoritetet e Kosovës.

E përditshmja “Express” trajton një temë që ka për fokus gjendjen në bankat e Kosovës. Sipas gazetës, tremujori i parë i këtij viti në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është më i keq, veçmas në sektorin e depozitave bankare.

Në këtë kontekst, gazeta thekson se disa banka në Kosovë kanë shënuar një debilanc në mes depozitave dhe kredive.

Sipas të përditshmes “Express”, në këtë tremujor ritmi i rritjes së kredive është më i lartë se ai i depozitave, kështu që depozitat e të gjitha bankave në Kosovë në tre muajt e parë të këtij viti kanë rënë 100 mijë euro, rënie kjo, e cila, për zyrtarët e bankave, nuk është shumë brengosëse.
XS
SM
MD
LG