Ndërlidhjet

Mesazhet e Bajdenit


Duke e dërguar nënpresidentin Bajden, presidenti amerikan, Barack Obama, e ka dërguar jo vetëm njeriun e dytë të Shteteve të Bashkuara në Ballkan, por gjithashtu ekspertin kryesor të politikës së jashtme, shkruan shtypi botëror.


Nënpresidenti Xho Bajden u ka dhënë një mesazh të fuqishëm ligjvënësve në kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës, për të luftuar kundër çdo shenje të ripërtëritjes së nacionalizmit dhe ndarjeve etnike që nxitën luftën civile gjatë viteve të 90’ta, shkruan e përditshmja New York Times.

Zoti Bajden tërhoqi vërejtjen kundër “rritjes së shpejtë dhe të rrezikshme të retorikës nacionaliste” në vitet e fundit, duke e quajtur “nxitje për t’u kthyer prapa në ngjarjet e së kaluarës dhe armiqësitë antike”. Si i tillë, ky është fjalim i ashpër që vjen nga një zyrtar i lartë ndërkombëtar, shkruan gazeta.

Zoti Bajden ka qenë i angazhuar në çështjet e Ballkanit që prej viteve të hershme të 90-tave, kur edhe ka qenë avokat i shquar i çështjes së Bosnjës.

Gjatë fjalimit të tij, zoti Bajden rikujtoi udhëtimin që kishte bërë në këtë vend më 1993 dhe faktin se gjatë fluturimit, kishin shtënë në avionin e tij, ndërkohë që nga lart shiheshin snajperistët e vendosur në shtëpitë e shkatërruara nga bombat, shkruan gazeta.

Duke e dërguar nënpresidentin, presidenti amerikan, Obama, e ka dërguar jo vetëm njeriun e dytë të Shteteve të Bashkuara, por gjithashtu ekspertin kryesor të politikës së jashtme, shkruan NYT.

Në kohën kur administrata amerikane është duke bërë përpjekje që të fitojë zemrat e myslimanëve të huajësuar nga veprimet ushtarake në Afganistan dhe Irak, ky udhëtim i zotit Bajden shërben si një rikujtim për botën mbi konfliktet në Bosnjë dhe Kosovë, aty ku NATO pati intervenuar në emër të popullatës myslimane, pa pasur naftë apo ndonjë program të armatimit nuklear, shkruan NYT.

Gazeta citon ekspertin mbi Ballkanin në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, Cornelius Adebahr, të ketë thënë se “pas disa vitesh jo të braktisjes, por thjesht të shpërqendrimit të vëmendjes, duket si shenjë e mirë fakti i angazhimit të një niveli kaq të lartë”, edhe pse ky fakt, sipas tij, “njëkohësisht dëshmon për dimensionin e problemeve, të cilat kërkojnë zgjidhje”.

Instituti Heritage Foundation ka bërë një shkrim gjithashtu mbi vizitën e nënpresidentit amerikan në rajon, duke i kushtuar një vëmendje më të madhe qëndrimit të tij në Kosovë.

Në këtë shkrim thuhet se nënpresidenti Bajden tashmë e ka të garantuar një mikpritje madhështore me arritjen në Prishtinë.

“Si një vend pro-perëndimor, i banuar me shumicë myslimane, ka pasur spekulime që presidenti Obama të vizitojë Kosovën, në kuadër të prezantimit të tij përpara botës islamike, por në vend të Kosovës, u zgjodh Egjipti, ku presidenti amerikan do të qëndrojë më 4 qershor”, shkruan Heritage.

Megjithatë, vizita e nënpresidentit amerikan Bajden duhet të shihet si një dëshmi thelbësore për mbështetjen që administrata amerikane ka për Kosovën dhe Ballkanin në përgjithësi.

Dhe, ndërkohë që zoti Bajden viziton edhe bazën ushtarake amerikane Bondsteel në Ferizaj dhe zhvillon takime me zyrtarë amerikanë dhe të NATO-s atje, ai mbase do ta ketë në mendje edhe fuqinë e jashtëzakonshme që aleanca ka, si institucioni i vetëm ndërkombëtar - i gatshëm t’i jepte fund spastrimit etnik në Kosovë më 1999, shkruan në fund Heritage Foundation.
XS
SM
MD
LG