Ndërlidhjet

Bajden: “Nuk pajtohemi rreth Kosovës”


Nënpresidenti amerikan, Xho Bajden, gjatë takimit me presidentin serb, Boris Tadiq.
Nënpresidenti amerikan, Xho Bajden, gjatë takimit me presidentin serb, Boris Tadiq.

“…pajtohemi se rreth Kosovës nuk pajtohemi”, ka deklaruar nënpresidenti amerikan, Xhozef Bajden, pas bisedimeve “sy më sy” me presidentin e Serbisë, Boris Tadiq.


Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhozef Bajden (Jospeh Biden) dhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, kanë përfunduar bisedimet që për një orë i kanë zhvilluar “sy më sy”.

Nënpresidenti Bajden, pas takimit, ka deklaruar se në emër të administratës amerikane ka ardhur në Beograd me porosi të qartë - se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të thellojnë bashkëpunimin me Serbinë dhe se Uashingtoni mbështet anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Shtetet e Bashkuara nuk presin që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës. Ky nuk është parakusht për mbështetjen tonë për Serbinë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian”, ka thënë Xhozef Bajden, për të shtuar:

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të insistojnë që serbët në Kosovë të kenë mbrojtjen më të gjerë të mundshme dhe presin nga Serbia që në Kosovë të bashkëpunojë me Bashkimin Evropian dhe faktorët tjerë ndërkombëtarë”, ka thënë nënpresidenti Bajden, për të nënvizuar:

Ne presim që Serbia të bashkëpunojë me Bashkimin Evropian dhe faktorët tjerë ndërkombëtarë rreth Kosovës, në kërkim të zgjidhjeve pragmatike që do të avancojnë jetën e të gjithë njerëzve në Kosovë, të serbëve dhe shqiptarëve, duke shmangur që ata të bëhen viktima të mospajtimeve politike”, ka thënë Xhozef Bajden.

“Konsiderojmë se mund të pajtohemi se rreth Kosovës nuk pajtohemi, me kusht që të kemi pritje të arsyeshme nga njëri-tjetri”, ka thënë Bajden, për të shtuar se pret nga Beogradi që të bëjë krejt çfarë është e mundur për t’i arrestuar të akuzuarit e Hagës.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, pas takimit, ka deklaruar se bisedimet kanë qenë shumë të “hapura dhe produktive” dhe ka shfaqur bindjen se ato do t’i kontribuojnë hapjes së “etapës së re në formimin e politikës amerikane ndaj Serbisë dhe Ballkanit perëndimor”.


“Nënpresidenti Bajden dhe unë jemi pajtuar që tash është rasti për vendosjen e një niveli të ri të komunikimit ndërmjet dy vendeve tona. Jam i bindur se me dialog, që është i bazuar në respektin e ndërsjellë, mund të arrijmë shumë”,
ka thënë Tadiq pas takimit.

Tadiq ka përsëritur qëndrimin e Serbisë se shpallja e pavarësisë së Kosovës paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe ka vënë në pah se “Serbia nuk njeh Kosovën” dhe “këtë nuk do ta bëjë kurrë”.

“Serbia nuk e njeh dhe nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Është e drejtë legjitime e Serbisë të mbrojë integritetin e vet territorial përmes shfrytëzimit të mjeteve paqësore, demokratike dhe ligjore”, ka thënë presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, pas bisedimeve me nënpresidentin amerikan, Xhozef Bajden.

Nënpresidenti Bajden është takuar edhe me ministrin e Mbrojtjes, Dragan Shutanovac. Ministria e Mbrojtjes njoftoi se Bajden dhe Shutanovac janë dakorduar se bashkëpunimi i ushtrisë së Serbisë me Shtetet e Bashkuara dhe me aleatët mund të jetë “faktor kyç për stabilitetin në Ballkan”.

Në komunikatë thuhet se “Bajden ka theksuar se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë mbështetje në realizimin e reformave të sistemit të mbrojtjes, për t’i arritur standardet më të larta”.

Bajden dhe Shutanovac gjithashtu kanë biseduar për rëndësinë e angazhimit të ushtrisë serbe në të ardhmen për ruajtjen e paqes në botë.
XS
SM
MD
LG